Përfundon takimi në Berlin: Tri kërkesat e Gjermanisë për Kosovën

Kosova

Përfundon takimi në Berlin: Tri kërkesat e Gjermanisë për Kosovën

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 06:43

(E plotësuar) Vazhdimi i dialogut, kompromiset e nevojshme dhe themelimi i Gjykatës Speciale janë tri kërkesat që kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka paraqitur sot Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në takimin e zhvilluar në Berlin. Në konferencën e përbashkët për media me Mustafën, Merkel theksoi se marrëveshjet kërkojnë kompromis të dyanshëm mes palës kosovare dhe asaj serbe.

“Natyrisht, ne kemi një ineres shumë të madh që të bëhet marrëveshje e drejtë dhe kjo vlen për të dyja palët. Kompromise duhet të bëjnë të dyja palët, jo vetëm Kosova, natyrisht edhe Serbia. Unë i inkurajoj të dyja palët, sepse vetëm nëse kanë përparime në dialog, kanë përparime edhe në rrugën evropiane. Kjo vlen edhe për Serbinë, edhe për Kosovën”, ka thënë Merkel. Kancelarja ka ripërsëritur qëndrimin e Berlinit se nuk ekziston asnjë shans që shtetasve të Kosovës t’u miratohet kërkesa për azil.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës tha se kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve, situatën në Kosovë si dhe për raportet me BE-në. “Kemi biseduar për çështjet themelore që e preokupojnë Kosovën dhe BE-në, çështjet zhvillimore, integrimin evropian dhe përmbushjen e kritereve tona për nevojën e luftimit të krimit dhe korrupsionit - si një nga kriteret që ne duhet përmbushur për liberalizimin e vizave”, ka deklaruar Mustafa.

Kryeministrit i Kosovës u prit sot në Berlin me nderimet më të larta shtetërore para Kancelaramtit. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar Gjerman dhe atij shtetëror të Kosovës, Isa Mustafa dhe mikpritësja e tij, Angel Merkel parakaluan para Gardës së Nderit të Gjermanisë.

Ja dy mesazhet e kancelares Merkel për Kosovën!

Ka përfunduar takimi mes kancelares Angela Merkel dhe kryeministrit Isa Mustafa, në Berlin, ku u diskutua për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, situatën në Kosovë, raportet e Kosovës me BE-në, dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Merkel i ka dhënë dy mesazhe të qarta delegacionit të Kosovës: përkrahjen për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe themelimin e Gjykatës Speciale.

“Kancelarja na ka dhënë përkrahje për dialogun dhe themelimin e Gjykatës Speciale”, ka thanë Mustafa.

“Jemi të interesuar të kemi një përkrahje më të madhe ekonomike prej Gjermanisë”, ka deklaruar kryeministri Mustafa, në konferencën e përbashkët për media.

Fillon takimi Mustafa-Merkel

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është pritur me nderimet më të larta shtetërore në Gjermani. Mustafa dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel kanë filluar takimin, ndërsa pritet të diskutohen shumë çështje.

Në takimin ndërmjet kryeministrit Isa Mustafa dhe kancelares Angela Merkel do të bisedohet për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, për proceset në Kosovë, për marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian, si dhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë Hashim Thaçi, ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të tjerë të lartë gjermanë.

Mustafa pritet në Berlin me ceremoni shtetërore

Kancelarja Angela Merkel do të presë kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, me nderimet më të larta shtetërore. Ata të dy së bashku do të parakalojnë edhe para gardës së nderit, që organizohet për përfaqësuesit e shteteve. Takimi me delegacionin e Kosovës, të kryesuar nga Mustafa, i cili fillon në mesditë, pritet të zgjatë rreth dy orë. Gjermania dhe Berlini zyrtar po përballen për momentin me një krizë shumë të rëndë financiare në Greqi. Por as kjo nuk ka ndikuar në shtyrjen, apo shkurtimin e takimit me delegacionin e Kosovës. Zëvendësja e zëdhënësit të Qeverisë, Christiane Wirtz, ka bërë të ditur se kancelarja pret që nga dora e parë të informohet për gjendjen në Kosovë dhe për ecurinë e dialogut me palën serbe. Në këtë takim do të bisedohet për raportet bilaterale dhe mundësinë e thellimit të marrëdhënieve, si dhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, thuhet në kumtesën zyrtare.

Nga delegacioni i Kosovës mësojmë se ata janë të interesuar për thellimin e raporteve bilaterale, afrimin e mëtutjeshëm me Berlinin dhe Bashkimin Evropian, si dhe për shtimin e investimeve gjermane në Kosovë. Shtimi i investimeve do të jetë një prej temave kryesore në takimet, që delegacioni i Kosovës do të ketë ditën e dytë me përfaqësuesit e landit të Baden- Würtenbergut, por edhe me përfaqësues të institucioneve gjermane në Berlin.

Vizita në Berlin menjëherë pas bisedimeve në Bruksel

Takimi në Berlin mbahet menjëherë pas bisedimeve në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, të prira nga kryeministrat Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq. Në këto bisedime janë prekur disa nga çështjet më të rëndësishme për raportet mes Kosovës dhe Serbisë: Asociacioni i komunave me shumicë serbe; çështja e energjetikës; telekomunikacioni dhe i ashtuquajturi "Parku i Paqës", mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë. Kryeministri Isa Mustafa ka deklarauar se nga vizita në Berlin pret thellimin e raporteve me këtë vend mik. Por pala kosovare do të ketë vështirësi të argumentojë mosthemelimin e Gjykatës Speciale, për krimet e pretenduara të disa pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. "Pala kosovare është e hendikepuar me këtë vendim", deklaroi Mustafa për RTK.

Gjermania ka shtuar interesimin për Ballkanin Pertëndimor në disa vitet e fundit. Sinjalet e para shumë të qarta për domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemeve në këtë rajon janë dërguar gjatë vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel në Beograd, në gusht të vitit 2011. Interesimi i Gjermanisë dhe vendeve perëndimore për Ballkanin është shtuar në veçanti pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe mundësisë që Moska të shtrijë influencën e saj edhe në Ballkan.

Vitin e kaluar, me iniciativën e kancelares Merkel është mbajtur edhe konferenca e Berlinit, me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nesër në Berlin kancelarja pret delegacionin e Kosovës. Ndërsa së shpejti do të vizitojë edhe Shqipërinë, Serbinë e ndoshta edhe Bosnje-Hercegovinën. Gjatë këtyre vizitave Merkel do të ritheksojë domosdoshmërinë e zgjerimit të bashkëpunimit rajonal, si një prej parakushteve për afrimin me Bashkimin Evropian. Por edhe zbatimin e reformave të domosdoshme në këto vende. Serbia shpreson se së shpejti do të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Por pikërisht Gjermania është vendi, i cili më së shumti insiston që negociatat me Serbinë të fillojnë me kapitullin 35, i cili nënkupton normalizimin e plotë të raproteve mes Kosovës dhe Serbisë. Pritet që në fund të dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, të nënshkruhet edhe një marrëveshje, e cila do të rregullonte raportet mes këtyre dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat