Gjini: Dua ta ndryshoj kapitullin e Gjakovës

Kosova

Gjini: Dua ta ndryshoj kapitullin e Gjakovës

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 22:40

Ardian Gjini, kryetari sapozgjedhur i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjakovë, ka folur në Zona B për procesin zgjedhor në Aleancë, planifikimet për rimarrjen e pushtetit në këtë qytet, si dhe Gjykatën Speciale.

Ai tha se do të punojë me secilin qytetar të Gjakovës dhe se ka për qëllim ta rindërtojë strukturën e AAK-së në këtë qytet.

“Ideja është të rienergjizohet struktura e partisë në Gjakovë”.

“Ta rrisim peshën nëpër degë dhe të jemi të pastër për t’i fituar edhe komunat tjera”.

“Kemi bërë shumë analiza”.

“Duhet të them se kemi numër të madh të njerëzve që na përkrahin në Gjakovë dhe unë do të punoj me secilin prej tyre”.

“Kemi një këshill drejtues korrekt dhe jashtëzakonisht të mirë”.

Gjini foli për dinjitetin e qytetit të Gjakovës si dhe për qeverisjen komunale.

“Bindja ime është se për të qeverisur një komunë duhet të punohet për të”.

“Unë besoj se qëllimi kryesor i Mimoza Kusari Lilës ka qenë vetëm që t’i fitojë zgjedhjet”.

“Nuk e besoj se kryetarja e komunës, si një ekonomiste, e ka pasur të paqartë se mund t’i nuk mund t’i hapë 15 mijë vende të punës në Gjakovë për katër vjet”.

“Nëse nuk e ka pasur të qartë, atëherë nuk është as ekonomiste e mirë”.

“Por, nëse e ka pasur të qartë – dhe e ka premtuar – atëherë këtu ka defekte tepër të mëdha”.

“Ka premtuar diçka që nuk mundet ta bëjë”.

“Ka pasur gabime strategjike”.

“Premtimet e saj e kanë shndërruar elektoratin në elektorat të frustruar, sepse njerëzit kanë votuar për diçka që kurrë nuk po ndodh”.

“Nuk do të ishte e drejtë që Mimoza Kusari të mos kandidohej edhe një herë sepse duhet ta përjetojë verdiktin e dytë të qytetarëve të Gjakovës”.

“Nëse ka punuar mirë – ndoshta e zgjedhin edhe një herë”.

“Nëse nuk ka punuar mirë – ndoshta nuk e zgjedhin”.

“Por, me ardhë një mandat me premtime që janë shtrirë edhe 30 vjet prej sot – ka pasur asi premtime që nuk mund të realizohen për 30 vjet – dhe të ikë pas 4 viteve nuk është në rregull demokratikisht”.

“Shpresoj se do të jetë kandidate”.

Ardian Gjini tha se qëllimi i tij është të udhëheqë për një kohë Gjakovën, ta ndërrojë kapitullin ngase ajo ka mbetur me premtime të rreme.

Gjini u shpreh edhe në lidhje me Gjykatën Speciale dhe tha se cilido që të jetë vendim i Qeverisë në lidhje me këtë Gjykatë, opozita do ta kundërshtojë.

“Është naivitet të fajësohet opozita kur pozita i ka votat e mjaftueshme”.

“Thaçi ka dashur t’i ndajë problemet me të tjerët, ndërsa të tjerët nuk duan që të ndajnë asgjë më Thaçin”.

“E vetmja mënyrë që të përmbyllen akuzat e Dick Martit është që të kemi prokurori dhe gjyqësi të pavarur”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat