Formula e qeverisë: Kushtetuta nuk e ndalon rivotimin

Kosova

Formula e qeverisë: Kushtetuta nuk e ndalon rivotimin

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 17:24

Falë kreativitetit të ndërkombëtarëve, qeveria e ka gjetur vegëzën, sipas të cilës, do të mund të procedojë përsëri, ndryshimet kushtetuese në Kuvend – kushtetuta, në asnjë nen të saj, nuk thotë se një votim i dështuar për ndryshime kushtetutese nuk mund të mos kthehet përsëri për votim. E njëra nga pasojat e refuzimit të mëtejshëm të Speciales, është injorimi i Kosovës si shtet, por edhe përfaqësuesve të saj, në skenën ndërkombëtare.

Qeveria e ka gjetur formulën si ta procedojë edhe njëherë në kuvend, votimin e amandamentit që mundëson ndryshimet kushtetuese për gjykatën speciale.

Për këtë, sic mësohet, është konsultuar me juristë nga ambasadat e Quintit në Prishtinë, që e ndihmuan ta gjejë zgjidhjen.

E ajo është e thjeshtë, ka thënë një burim i Klan Kosovës – në asnjë pikë të Kushtetutës së Kosovës nuk sanksionohet mundësia që një votim i dështuar për ndryshime kushtetutese të mos kthehet përsëri.

Në këtë mënyrë mposhtet qëndrimi i opozitës, shprehur nga Ramush Haradinaj se një projektligj, nuk mund të kthehet përsëri në votim, pa u përmbushur afatet kohore, që janë goxha të gjata.

Qeveria do të insistojë se kërkesa për amandamentin 24 nuk kishte formë projektligji, prandaj, nuk ka kufizim kohor për tentimin tjetër për të bërë ndryshime kushtetuese, që bëhet në pak ditë kohë.

Pasojat e mosvotimit?

1 qershori ka qenë datë e fundit e parashikuar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë për të themeluar Specialen. Në dy tentativa, legjistlativi nuk arritit të bëjë një gjë të tillë.

Burimi i Klan Kosovës ka thënë se pasojat e mosthemelimit të speciales, edhe në një tentim të tretë, janë të rënda.

E para është që Gjykatën do ta bëjë Këshilli i Sigurimit. SHBA dhe aleatët e saj as që do të bëjnë ndonjë përpjekje për ta penguar Rusinë.

Dëmi i dytë që i shkaktohet Kosovës edhe mosnënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, që ishte papraparë të bëhet këtë vit.

I treti ka të bëjë me shtyrjen në një afat të pacaktuar të liberalizimit të vizave, e jo në fund të këtij, ose fillimin e vitit tjetër, sikur ishin bërë premtimet.

Pasoja e katërt është injorimi i Kosovës si shtet, në skenën ndërkombëtare. Kjo, sikur ka thënë burimi i Klanit, nënkupton që asnjë udhëheqës i lartë i Prishtinës nuk do të ftohet në ngjarje të rëndësishme, e as nuk do të pritet në nivele të larta, në ndonjë vizitë të mundshme jashtë vendit.

Kur mund të votohet përsëri në Kuvend?

Qyshdo që të jetë puna, ndërkombëtarët nuk do të pranojnë ndonjë ndryshim në projektligjin për gjykatën. Me këtë nënkuptohet se dëshira e opozitës, për t’i dhënë mundësi rinegocimit të përmbajtjes, nuk do të realizohet.

Tentimi i ri për të votuar ndryshimet kushtetuese, s’pritet të ndodhë gjatë kësaj javë, ndonëse kjo nuk përjashtohet krejtësisht.

Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaci, ndodhen jashtë vendit, deri të mërkurën mbrëma ose të enjten, kur të kryejnë negociatat në Bruksel dhe muhabetet me kanceralen Angela Merkel në Berlin. Ky fakt e bënë të vështirë procedimin e ndryshimeve në Kuvend në dy-tri ditët e ardhshme.

Kjo kohë do të shfrytëzohet për të negociuar me deputetët e PDK-së, refuzues të Speciales, që të ndryshojnë mendje. Merret vesh se bisedimet me tetë prej tyre tashmë kanë nisur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat