Vendim i Ministrisë së Arsimit: Ulje drastike të pagave, nga 1250 në vetëm 250 euro

Kosova

Vendim i Ministrisë së Arsimit: Ulje drastike të pagave, nga 1250 në vetëm 250 euro

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 15:28

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë një vendim i cili do të ketë ndikim goditës për xhepat e kryetarëve dhe anëtarëve të Këshillave Drejtuese të të gjitha institucioneve publike të arsimit të lartë dhe instituteve kërkimore-shkencore publike, që financohen nga Buxheti i Kosovës.

Me këtë vendim për unifikim të pagave dhe shtesave të këtyre zyrtarëve, ata do të arrijnë të arkëtojnë vetëm nga 250 deri në 150 euro në muaj paga, varësisht nga pozicioni i tyre në institucion, dhe 30 deri në 25 euro mëditje për një mbledhje.

Ky unifikim i pagave dhe shtesave, paraqet ulje drastike të të ardhurave për këta zyrtarët, pasi nga burime brenda Ministrisë së Arsimit, ata deri tani kanë arkëtuar të ardhura mujore, deri në 1250 euro.

Në vendimin e Ministrisë së Arsimit, thuhet se “Kryetarët/Kryesuesit të zgjedhur apo emëruar në Këshillat Drejtues të të gjitha institucioneve publike të arsimit të lartë, për punën e tyre ju takon paga mujore 250 euro në muaj dhe shtesa prej 30 euro për çdo mbledhje”.

“Anëtarët të zgjedhur apo emëruar në Këshillat Drejtuese të të gjitha institucioneve publike të arsimi të lartë për punën e tyre ju takon paga mujore 200 euro në muaj dhe shtesa prej 25 euro për çdo mbledhje”.

“Kryetarët/Kryesuesit të zgjedhur apo emëruar në Këshillat Drejtuese të të gjitha institucioneve kërkimore-shkencore publike, për punë e tyre ju takon paga mujore 200 euro në muaj dhe shtesa prej 30 euro për cdo mbledhje”.

“Anëtarët të zgjedhur apo emëruar në Këshillat Drejteuse të të gjitha instituteve kërkimore-shkencore publike, për punë e tyre ju takon paga mujore 150 euro në muaj dhe shtesa prej 25 euro për çdo mbledhje”.

Ky vendim i nënshkruar sot nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, shfuqizon menjëherë të gjitha aktet juridike në fuqi të nxjerra nga organet e institucioneve publike të arsimit të lartë dhe instituteve kërkimore-shkencore publike, në të cilat është përcaktuar paga dhe shtesa e Kryetarit/Kryesuesit dhe anëtarëve të zgjedhur apo të emëruar në këshillat Drejtues të institucioneve publike të arsimit të lartë dhe instituteve kërkimore-shkencore publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat