Isa Mustafa: Nuk ka kompetenca ekzekutive për Bashkësinë/Asociacionin, Kosova do ta ketë prefiksin ndërkombëtar telefonik

Kosova

Isa Mustafa: Nuk ka kompetenca ekzekutive për Bashkësinë/Asociacionin, Kosova do ta ketë prefiksin ndërkombëtar telefonik

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 09:56

(E plotesuar) - Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar pas takimit 17 orësh në Bruksel se është arritur një përparim lidhur me Bashkësinë/Asociacionin e Komunave Serbe dhe

telekomunikimet, por delegacioni kosovar nuk ka mundur t’i pranojë kërkesat e palës serbe.

“Ata kanë kërkuar kompetenca ekzekutive për Bashkësinë/Asociacionin, gjë që është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën tonë”.

Mustafa ka thënë se ka përparim për telekomunikimet dhe se është arritur marrëveshja për prefiksin telefonik ndërkombëtar për Kosovën, por marrëveshja nuk është nënshkruar pasi bashkësia ndërkombëtare dëshiron që të katër çështjet e diskutuara të nënshkruhen në pako.

Sipas tij, data e raundit të ardhshëm të bisedimeve do të varet nga ftesa e Federika Mogerinit, përfaqësueses së lartë për politikën e jashtme të BE-së.

Përplasje qëndrimesh në Bruksel, Mogherini nuk lëshon pe

Qysh në orën 9 të mëngjesit ka filluar takimi mes kryeministrit Isa Mustafa dhe ati j serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ku po bisedohet për katër çështje madhore: Telekomin, Energjetikën, Asociacionin e Komunave Serbe dhe të ashtuquajturin ‘Parku i Paqës’.

Takimi mes tyre është duke vazhduar edhe këto momente, ndërsa prej se ka filluar në mëngjes, palët e kanë ndërprerë vetëm për një pauzë të shkurtër.

Takimi po zhvillohet nën presione të mëdha, ndërsa dy kryeministrat vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis mes tyre.

Sidoqoftë përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, e cila po ndërmjetëson takimin, po insiston që të mos përfundojë deri në arritjen e marrëveshjeve për pikat e lartpërmendura.

“Aty ku palët janë më të koncentruar dhe ku ka më shumë përplasje është themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe”, tregon ky burim, derisa shton se “pala serbe po insiston në atë që të ketë kompetenca ekzekutive, gjë që po e kundërshton pala e Kosovës e cila po nuk po pajtohet që të ketë themelim të Asociacionit pa u bërë paraprakisht shpërrbërja e strukturave paralele në veri të vendit”.

Po ashtu Mustafa sot pasdite ka pasur të udhëtojë në për Gjermani ku do të takojë kancelaren Angela Merkel, por për shkak të takimit të stërzgjatur në Bruksel i është dashur që të shtyjë fluturimin.

Rifillon dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel

Në Bruksel ka rifilluar dialogu mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Takimi i sotëm është duke u zhvilluar në atmosferë të tensionuar.

Mustafa: Po punojmë për arritjen e marrëveshjeve

Kryeministri Isa Mustafa ka folur për mediat pas ndërprerjes së takimit me palën serbe.

“Po punojmë në të katër fushat në përpjekje për arritjen e marrëveshjeve dhe nënshkrimin e tyre. E kam ndërruar biletën, nuk do të udhëtoj sonte në Berlin, por nesër në mëngjes”, ka thënë Mustafa

Ndërpritet dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel

Bisedimet në Bruksel ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë janë ndërprerë dhe pritet të vazhdojnë sonte rreth orës 20.30.

Në Bruksel sot më herët gjatë ditës ka nisur takimi i ri i dy kryeministrave, Isa Mustafës dhe Aleksandar Vuçiqit, me ndërmjetësim të përfaqësues së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini.

Para fillimit të këtij raundit të dialogut, kryeministri Mustafa dhe delegacioni i Kosovës janë takuar ndaras me Mogherinin, njëjtë sikur edhe delegacioni i Serbisë.

Ashtu edhe siç është pritur, del që ky mund të jetë raundi më i vështirë dhe më i gjatë i dialogut, pasi që pritet të vendoset për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, telekomunikacionin, energjinë dhe “Parkun e Paqes”.

Nis takimi Mustafa-Vuçiç në Bruksel

Ka filluar takimi midis ekipeve të Kosovës dhe Serbisë, kryesuar nga Kryeministrat Mustafa e Vuçiç, ndërsa po ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e lartë e BE’së, Federica Mogherini.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter, zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijancic

Mogherini nis takimin me delegacionin e Kosovës

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini ka nisur takimin me delegacionin e Kosovës në Bruksel.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e saj, Maja Kocijançiç me anë të një postimi në Twitter.

Pas delegacionit të Kosovës, Mogherini do të takohet me atë të Serbisë, e në fund do të mbahet dhe takimi i përbashkët.

Bruksel, fillojnë bisedimet Kosovë - Serbi

Në Bruksel sot po vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, në praninë e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pritet të diskutojnë për energjetikën, telekomin, Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe dhe lirinë e lëvizjes, konkretisht barrikadën që njihet si “Parku i Paqes” në urën qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Takimi i sotëm pason atë të 23 qershorit, i cili përfundoi pa ndonjë marrëveshje mbi këto çështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat