Kryesia e Kuvendit vendos të hënën se kur mbahet seanca për Gjykatën Speciale

Kosova

Kryesia e Kuvendit vendos të hënën se kur mbahet seanca për Gjykatën Speciale

Më: 30 maj 2015 Në ora: 17:51

Shtyrja e seancës për votimin e amendamenteve kushtetuese për krijimin e Gjykatës Speciale në Kuvend, me gjasë nuk do të zgjatë shumë. Hedhja në votim e këtyre amendamenteve që tashmë edhe publikisht po kundërshtohen edhe nga disa deputet të koalicionit të madh PDK-LDK pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme.
Shefi i GP të PDK-së, Adem Grabovci i cili vetë, dje, në emër të koalicionit kërkoi shtyrjen e seancës për votim të këtyre amendamenteve ka treguar për Gazetën Express se Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të hënën për të diskutuar për draft ligjin që do ta propozojë Qeveria për këtë Gjykatë dhe rrjedhimisht do të vendoset se kur do të mbahet seanca e re e votimit të saj.

“Të hënë është thirrë mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Me siguri se do të jetë pikë e rendit të ditës draft ligji i cili do të vijë nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe me siguri edhe ligji për shpenzimet. Kështu që mbetet të caktohet seanca e rregullt plenare se kur do të diskutohet. Me siguri që duhet të jetë gjatë javës së ardhshme”, ka thënë Grabovci.

Ndryshe, amendamentet kushtetuese ishin paraparë të kalonin për votim në Kuvend gjatë seancës të së premtes, megjithatë kjo seancë u shty pikërisht me kërkesë të pushtetit, e që u përkrah edhe nga partitë opozitare, VV, AAK dhe NISMA.

Grabovci, i cili parashtroi kërkesën për shtyrjen e kësaj seance, e arsyetoj atë me faktin se ende nuk është përkthyer drafti final i Ligjit për Gjykatën Speciale i cili është negociuar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

"Draft-ligji duhet të na vijë nga Brukseli. Ai duhet të përkthehet në të gjitha gjuhët dhe t'u shpërndahet deputetëve. Kështu që propozojmë që kjo seancë plenare të shtyhet derisa t'i kemi materialet e nevojshme për t'i analizuar", kishte deklaruar Grabovci të premten.

Por, jo vetëm deputet e partive opozitare po e kundërshtojnë këtë gjykatë, tashmë kundër kanë dalë edhe të paktën 4 deputet të PDK-së dhe disa të tjerë të LDK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat