Kuvendi, “herët a vonë” duhet të votojë për Gjykatën Speciale

Kosova

Kuvendi, “herët a vonë” duhet të votojë për Gjykatën Speciale

Më: 30 maj 2015 Në ora: 16:20

Shtyrja për kohë të pacaktuar e votimit të amendamentit kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte nga ana e Kuvendit të Kosovës, dëmton besueshmërinë për Kosovën, si vend që i kryen obligimet ndërkombëtare, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se të premten u pa në Kuvendin e Kosovës që partitë politike të koalicionit qeveritar nuk i kanë votat e mjaftueshme për t’i kaluar ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

“Pavarësisht arsyetimeve që u dhanë dje, në kuptimin e sjelljes me vonesë të projekt-ligjit ose aspekteve të përkthimit, megjithatë, konsideroj se sidomos brenda Partisë Demokratike të Kosovës, ka mosmarrëveshje të mëdha. Ka rezistencë të madhe nga deputetë të caktuar për të votuar ndryshimet kushtetuese për krijimin e gjykatës. Kjo besoj se do të marrë kohë, derisa të rikuperohet, në kuptimin që, kur të hidhen në votim ndryshimet, t’i kenë votat e mjaftueshme për t’i kaluar”, thotë Mushkolaj.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se mosvotimi eventual edhe në të ardhmen i ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte nga ana e Kuvendit të Kosovës, do të ketë pasoja për vetë shtetin.

“Pasoja e parë ka të bëjë pikërisht me humbjen e kredibilitetit të Kosovës si një shtet, në vënien në jetë të obligimeve ndërkombëtare, të cilat i ka marrë vullnetshëm me vota të Kuvendit të Kosovës, sidomos me votat e partive më të mëdha politike në Kosovë. Dhe, rreziku i dytë, i cili është shumë i dëmshëm për Kosovën, ka të bëjë me mundësinë reale të themelimit të kësaj gjykate nga ana e OKB-së, pa Kosovën dhe në emër të Kosovës”, shprehet Doli.

Ndryshe, njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se shtyrja e votimit të amendamentit kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte nuk do të mund të bëhet deri në pafundësi.

Analisti Mushkolaj vlerëson që pavarësisht zvarritjeve dhe rezistencës nga ana e deputetëve të caktuar për të votuar ndryshimet kushtetuese që çojnë drejt themelimit të Gjykatës Speciale, kjo do të ndodhë.

“Thjesht, deputetët nuk kanë çare pa e votuar Gjykatën Speciale. Nëse jo tash - po mendoj, në seancën e ardhshme, sepse unë jam skeptik që mund të ndodhë edhe të hënën një gjë e tillë - pavarësisht, sa të zvarritet, prapë duhet ta votojnë. Konsideroj që është më mirë që një gjë e tillë të bëhet sa më shpejt, se sa pastaj, mbase të vuajmë edhe pasojat tjera ne si shoqëri, si institucione dhe si shtet”, vlerëson Mushkolaj.

Ndryshe, analisti Doli vlerëson se Gjykata Speciale për Krime Lufte do të themelohet, qoftë me votat e deputetëve të Kosovës, qoftë nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

“Shpresoj që të gjithë liderët politikë në Kosovë ta kenë parasysh këtë situatë. Sidomos, ata liderë politikë, të cilët tashmë kanë pranuar që t’ia vënë Kosovës këtë kusht, vitin e kaluar”, thekson Doli.

Gjykata Speciale pretendon që të hetojë tutje supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 - 2000. / rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat