Kryejnë fakultetin, por s’janë të përgatitur për punë

Kosova

Kryejnë fakultetin, por s’janë të përgatitur për punë

Më: 30 maj 2015 Në ora: 15:48

Të sapodiplomuarit në fakultete dhe kolegje në Kosovë, të cilët hyjnë në tregun e punës, konsiderohet se nuk po janë të përgatitur mirë për punë, rrjedhimisht këta të rinj nuk po arsimohen në nivel të duhur për të zotëruar punën që po iu ofrohet.

Këto vlerësime jepen nga ekspertë të fushës së arsimit, përfaqësues të bizneseve dhe organizatat ekonomike në Kosovë.

Drejtori i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Samir Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se bizneset në Kosovë kryesisht nuk janë të kënaqura me kuadrot që dalin nga fakultetet.

Problemi thelbësor, sipas Krasniqit, është se këta të rinj, të cilët po përfundojnë shkollimin, nuk po e mësojnë praktikën.

“Një ekonomist që punësohet në një kompani, biznesit apo punëdhënësit po i duhet një kohë e gjatë derisa ta përgatisë punëtorin në profesionin adekuat. Në teori, ai i di të gjitha, por në praktikë ai nuk ka njohuri. E njëjta vlen edhe për profesionet profesionale si elektricist apo profesion tjetër. Kjo është pengesë dhe një kosto për bizneset në Kosovë”, thotë Krasniqi.

Në Republikën e Kosovës veprojnë 45 institucione të arsimit të lartë. Nga ky numër, të akredituara në rajone të ndryshme të Kosovës janë tetë universitete publike, kurse 37 janë kolegje private dhe asnjë universitet privat.

Cilësia e këtyre universiteteve dhe kolegjeve, në veçanti atyre private, është vënë në dyshim vazhdimisht nga ekspertët e arsimit.

Eksperti i arsimit, Jonuz Salihaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se këto shkolla, në të shumtën e rasteve, nuk po arrijnë t’i përgatisin studentët për punë ashtu si duhet.

“Marrin diploma të pavlera që nuk i përgatisin për tregun e punës. Me ato diploma nuk arrijnë të inkuadrohen në vende të punës. Kolegjet private në Kosovë kanë shkuar një shkallë më poshtë se ato publike sa i përket cilësisë,pra nuk ofrojnë cilësi”, vlerëson Salihaj.

Përpjekjeve për të zbutur papunësinë në Kosovë, përveç zhvillimit të politikave ekonomike, iu shtohet edhe arsimimi, vlerëson Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”.

Kosovës, sipas Mehmetit, i duhet një sistem më i avancuar i arsimit.

“Nëse shikohen disiplinat ose programet shkollore, të cilat ofrohen nga Universitetet e Kosovës, kryesisht janë të përqendruara në nxënien e mësimit teorik dhe shumë pak këta persona aftësohen në aspektin praktik. Pra, praktika asnjëherë nuk ka pasur një fokus të veçantë në shkollat tona”, shton Mehmeti.

Ndryshe, të tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë. Papunësia në Kosovë ka arritur në shkallën mbi 30 për qind.

Papunësia te të rinjtë është shumë e lartë.

Nga popullsia në moshë pune, afër 60 për qind nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat