Opozita se voton Specialen edhe me ndryshimin eventual të draftit

Kosova

Opozita se voton Specialen edhe me ndryshimin eventual të draftit

Më: 30 maj 2015 Në ora: 15:37

Paritë opozitare Lëvizja Vetëvendosjes dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë të vendosur për të mos e votuar formimin e Gjykatës Speciale, edhe nëse bëhet ndonjë ndryshim në draft ligjin për këtë gjykatë.

Kuvendi i Kosovës të premten vendosi që seanca për votimin e amendamenteve kushtetuese, të cilat do ti hapin rrugë formimin të Gjykatës Speciale të shtyhet për një kohë të pacaktuar.
Arsyetimi i partnerëve në Qeveri ishte mungesa e materialeve lidhur me draftligjin për këtë gjykatë.

Por, siç ka raportuar Klan Kosova, duke u thirrur në burime ndërkombëtare, përfaqësues të BE-së kishin punuar gjatë tërë natës të së enjtes me përfaqësuesit e qeverisë për të arritur një pajtim në lidhje me tekstin e draftit të dokumentit që do të vihej në votim në Kuvend, por pa ndonjë sukses.

E përfaqësues të partive opozitare shprehen se votën e tyre për këtë gjykatë nuk do japin në asnjë mënyrë, pasi e konsiderojnë si të dëmshme dhe të padrejtë.

Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit kryetare e Komisionit për Legjislacion ka thënë se projektligji i sjellë nga mistria e Drejtësisë është tejet i dëmshëm. Ajo thotë se këtë e ka pranuar edhe vet ministri Hajredin Kuçi, i cili është shprehur se “nuk beson që i njëjti do të pësojë ndryshime”.

Në një prononcim për lajmi.net, Haxhiu ka thënë se qeveritarët asnjëherë nuk kanë këmbëngulur karshi kërkesave të ndërkombëtarëve, duke pranuar që, sipas saj, çdo gjë t’i sërviret e gatshme, për shkak të dosjeve të korrupsionit që i kanë ndër tavolinat e tyre.

“Arsyeja kryesore e shtyrjes së seancës për Gjykatën Speciale nuk ishte që këta kanë pasur nevojë diskutim për dokumente shtesë, sepse as nuk e qajnë kokën për to, por se nuk i kanë pasur numrat e mjaftueshëm dhe tani mundohen që të bëjnë presion në forma të ndryshme te ata deputetë të pozitës që janë rreshtuar kundër kësaj Gjykate”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka bërë me dije se Vetëvendosje nuk do të ndryshojë qëndrim sa i përket Gjykatës Speciale.
“Lëvizja Vetëvendosje ka qenë konsistente në kundërshtimin për Gjykatën Speciale, mjafton të shihet amendamenti për të kuptuar se çfarë dëme do t’i sjellë ajo Kosovës”.

“Edhe njëherë, i thërrasim deputetet e Kuvendit që të kundërshtojnë këtë Gjykatë etnike dhe të mbrojnë luftën e drejtë të UÇK-së”, është shprehur Haxhiu.

Edhe shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi shprehet se ligjvënësit e AAK-së, nuk do të ndryshojnë qëndrim, në asnjë skenarë të Qeverisë.

“Pavarësisht përpjekjeve, shtyrjeve ose prolongimeve, ne konsiderojmë që ky projekt ligj nuk duhet të sillet fare në Kuvend, sepse është i dëmshëm dhe kjo gjykatë nuk do të duhej të votohej në asnjë variant”, ka deklaruar Kadaj- Bujupi.

Ndryshe Gjykata Speciale, formimi i së cilës është kërkuar edhe nga faktori ndërkombëtar, do të hetojë pretendimet e Dick Martit, për kryerje të krimeve të luftës nga disa ish-pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës 1998-2000.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat