Zgjedhjet e sikletshme për Isa Mustafën

Kosova

Zgjedhjet e sikletshme për Isa Mustafën

Më: 30 maj 2015 Në ora: 15:14

Nesër është ditë e madhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK, parti kjo që identifikohet edhe sot me udhëheqësin e saj shumëvjeçar Ibrahim Rugovën. Nesër kjo parti zgjedh kryetarin dhe organet kryesore për 4 vjetët e ardhshme.
Isa Mustafa, Vjosa Osmani, Fatmir Sejdiu e Lutfi Haziri mund të jenë katër kandidatët për të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Tetë të kësaj partie.

Për dy të parët tashmë dihet, por dy të fundit nuk e kanë sosur ende nëse do t’i hyjnë garës për votën e delegatëve, në kërkim të timonit të partisë më të vjetër politike në Kosovë.

Isa Mustafa, përveç kryetar i partisë është edhe kryeministër i vendit. E Vjosa Osmani është deputetja femër më e votuar në Kosovë.

Ndryshe nga këta të dy, ish-kryetari i LDK-së e ish- Presidenti i vendit në kohën e koalicionit PDK-LDK, Fatmir Sejdiui i ka deklaruar “Jetës në Kosovë” se është në fazën kur vendimin mund ta qartësojë në Kuvendin e Tetë të LDK-së.

“Secili është pretendent, por kandidat janë atëherë kur ta shpallin kandidaturën. Unë kam edhe pak kohë edhe dua t’i shikoj disa aspekte”, i ka thënë ai “Jetës në Kosovë” të hënën me 25 maj.

Në anën tjetër, Lutfi Haziri, i cili ka mbajtur disa poste qeveritare në koalicionet e mëhershme thotë se ka ambicie për të parin e LDK-së, por kërkon marrëveshje politike për kuvendin. Këtë ai e ka deklaruar në “Jeta në Kosovë”, të enjten në mbrëmje, por e ka komentuar edhe në profilin e tij personal në Facebook.

“Sa i përket vetes time kam qenë për një marrëveshje politike për kryetar të LDK-së. Një marrëveshje politike e madhe që ka munguar në vitin 2006, për një politikë post-rugoviane. Unë mendoj se marrëveshja politike e ndihmon unifikimin e LDK-së. Unë besoj që nëse ka vullnet të mirë, do të arrihet marrëveshja, por nëse jo, atëherë vota është e fshehtë. Secili që do të kandidojë, duhet të ketë së paku 176 delegatë pas vetes”.

Ndërsa Vjosa Osmani kandidate për të udhëhequr partinë, ka pohuar se ajo është më se e sigurt se do të fitojë ekipi i fitores.

“Siç e dini unë kam bërë publik qëllimin tim, pra të dielën edhe kur zyrtarizohen kandidaturat do të kandidohem për kryetare të LDK-së dhe kam paraqitur një platformë’’, ka thënë Osmani për “Jeta në Kosovë”.

Por kandidatura e saj nuk ka gjetur shumë përkrahje të kryetarit të degës së LDK-së në Ferizaj, Muharrem Sfarqa.

“Unë mendoj që të hënën (1 qershor) do të kemi kryetarin legjitim për 4 vjetët e ardhshme që vlerësoj do të jetë Isa Mustafa, sipas preferencës sime”, tha Sfarqa në Emisionin “Jeta në Kosovë” të enjten.

Madje Sfarqa tha se ai është serioz dhe nuk tallet me LDK-në.

Por Vjosa Osmani e cila ka punuar afër edhe me Isa Mustafën e Fatmir Sejdiun, tha se e ka pritur këtë që deklaroi kryetari i Ferizajt Sfarqa, por ajo pret që delegatët e Ferizajt të votojnë ndryshe nga kryetari i degës.

“Nga ajo që shoh në terren, jam shumë e lumtur e në anën tjetër ka panik”, ka thënë Osmani.

Por ndryshe nga Sfarqa mendon Donika Gërvalla, kryetare e degës në Gjermani, e cila vlerëson se LDK-së i duhet ekip tjetër për të kthyer atë si të parën në zgjedhjet e ardhshme.

“Kam frikë që Kuvendi zgjedhor do të përfundojë shpejt, pa debat, pa vota të fshehta, një proces që nuk i ka hije LDK-së”, ka thënë Gërvalla.

Këto janë zgjedhjet e Kuvendit të Tetë të LDK-së. Lidhja Demokratike e Kosovës deri tash i ka pasur 3 kryetarë në historinë e saj.

I pari është Ibrahim Rugova, i cili kishte vdekur gjatë kohës kur ishte në koalicion bashkë me AAK-në e Ramush Haradinajt dhe po ushtronte detyrën e Presidentit të Kosovës.

Atë e kishte pasuar Fatmir Sejdiu në kohën e shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008, në koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit.

Sejdiu kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit, pasi Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se ai kishte shkelur Kushtetutën duke mbajtur dy poste në të njëjtën kohë-atë të Presidentit dhe të kryetarit të LDK-së.

Pas kësaj ishte prishur koalicioni PDK-LDK dhe Kosova kishte shkuar në zgjedhje parlamentare.

Në zgjedhjet e fundit të LDK-së në vitin 2010, Isa Mustafa ishte kundërkandidat i Fatmir Sejdiut duke mundur atë.

Mustafa ishte kryetar i Prishtinës për dy mandate, në ndërkohë në zgjedhjet e fundit lokale ka humbur nga Shpend Ahmeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”. LDK-ja nën udhëheqjen e tij që dy herë radhazi është votuar si partia e dytë pas PDK-së të Hashim Thaçit.

LDK-ja kishte dalë partia e dytë edhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014 dhe pas 6 muaj bllokade, LDK-ja u tërhoq nga blloku opozitar LVAN dhe lidhi koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit.

Kjo marrëveshje e bëri LDK-në për herë të parë drejtuese të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Isa Mustafa.

LDK-ja në Kuvendin e Gjashtë në vitin 2006 ishte ndarë keq kur edhe plasi sherri i karrigeve.

Për të parin e LDK-së në Kuvendin e 6-të ishin kandidatë Fatmir Sejdiu e Nexhat Daci.

Pas kësaj LDK-së iu nda një pjesë e saj dhe formoi Lidhjen Demokratike të Dardanisë. Kjo LDD nuk pati jehonë të madhe dhe sot ajo ka shuar aktivitetin e saj politik brenda LDK-së.

Por Vjosa Osmani, Donika Gërvalla e Lutfi Haziri vlerësuan se kësaj radhe nuk do të ketë karrige të përdorura në këtë kuvend të tetë.

Në Kuvendin e Tetë të LDK-së do të marrin pjesë 355 delegatë të cilët do ta zgjedhin kryetarin e ri dhe strukturat tjera drejtuese të partisë për katër vjetët e ardhshëm.

Organet e reja drejtuese të LDK-së e kanë në dorë që ta përcaktojnë edhe fatin e koalicionit të kësaj partie me PDK-në, meqë në ditët e para të kësaj marrëveshjeje, kishte pakënaqësi edhe nga deputetë edhe nga baza zgjedhore e partisë. /kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat