Nipi i Tahir Mehës: Mos i ndani dëshmorët (Foto)

Kosova

Nipi i Tahir Mehës: Mos i ndani dëshmorët (Foto)

Më: 30 maj 2015 Në ora: 14:17

(E plotesuar) - Familjarët e dëshmorëve të rënë para luftës së fundit, protestuan sot para Teatrit Kombëtar ku kërkuan nga Komisioni Qeveritar për Verifikim, që t’i përfshijnë këta të rënë në listat e dëshmorëve të kombit të cilët, kanë rënë para luftës së fundit, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ata thanë se kjo është një padrejtësi e madhe që po iu bëhet këtyre dëshmorëve, që sipas tyre ata janë kategoria më e lavdishme dhe më e çmueshme e historisë sonë, për shkak se, ata qysh herët kanë filluar në mënyrë organizative të veprojnë kundër shtetit serb.

Naim Zhitia, kryetari i Komisionit të Dëshmorëve të Kombit, tha se qëllimi i kësaj proteste është që ta bëj Qeverinë që të zbatojë ligjin e miratuar nga vet Kuvendi i Kosovës. Ai po ashtu tha se është turp që asnjëri nga deputetët e Kuvendit nuk është i pranishëm në këtë protestë edhe pse, sipas tij të gjithë kanë qenë të ftuar.

Zhitia: Qeveria e Kosovës duhet ta zbatojë ligjin

“Të nderuar qytetarë jemi tubuar sot këtu me të vetmin qëllim që Qeverisë së Kosovës t’i themi që ta zbatojë ligjin që e ka miratuar Kuvendi i Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës. Unë sot nuk po shoh deputet të Kuvendit të Kosovës, të cilët i kam ftuar të marrin pjesë në këtë protestë, arsyen pse ata nuk i janë bashkangjitur kësaj proteste nuk e di, por kjo është turp sepse po anashkalohet kategoria më e çmuar e popullit tonë, prandaj ju lus të gjithëve që ne të jemi të qetë, sepse sot Qeveria edhe ata qeveritarë janë shumë të mërzitur për neve që ne po protestojmë këtu, se ne po protestojmë me të vetmin qëllim që kategoria më e lavdishme e popullit tonë është jashtë listave të dëshmorëve të kombit”, tha Zhitia.

Ndërsa, nipi i Tahir Mehës, Ilir Meha, tha se ata janë mbledhur aty që të shprehin mllefin dhe indinjatën e tyre të thellë për mosnjohjen e statusit të dëshmorëve familjarëve të tyre. Sipas Mehës, nuk duhet të ndahen dëshmorët e kombit të cilët të gjithë kanë rënë për lirinë e vendit.

Meha: Nuk duhet të ndahen dëshmorët

“Jemi mbledhur këtu që të shprehim mllefin dhe indinjatën tonë të thellë ndaj mosnjohjes së statusit dëshmor, familjarëve tanë të rënë në periudha kohore të historisë së robërisë së Kosovës për liri e për atdhe, prandaj kërkojmë nga instancat më të larta të Qeverisë dhe shtetit tonë të ri që të reflektojë dhe të marr seriozisht kërkesat tona për njohjen e statusit dëshmor, për të gjithë të rënëve nga periudha 1960 e deri në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si mund të ndahen dëshmorët që ranë me armë në dorë në shtetrrethim duke luftuar armikun shekullor siç ishte mixha Tahir dhe Nebihu, Afrim Zhitia e Nuhi Berisha e shumë e shumë të tjerë”, tha Meha.

Përmes kësaj proteste ata po ashtu kërkuan që t’iu njihet statusi i dëshmorëve edhe të gjithë atyre që morën plagë të rënda gjatë periudhës koho re të demonstratave për të kërkuar liri dhe pavarësi.

Ata bën të ditur se nuk do të ndalen edhe më tej deri sa Qeveria të realizojë kërkesat e tyre.

***

Qindra protestues kanë arritur para objektit të Qeverisë së Kosovës, ndërkohë, kryetar i komisionit të dëshmorëve të kombit, Naim Zhitia ka bërë thirrje që të rënë nga viti 1960 deri në luftën e fundit, të mos anashkalohen nga lista e dëshmorëve të kombit.

Ai para protestuesve tha se kjo është kategoria më e çmueshme pasi ata kanë qenë të parët që kanë filluar të kundërshtojnë forcat serbe.

“Jemi tubuar me të vetmin qëllim që t’i themi Qeverisë ta zbatoj ligjin që është miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Është turp që nuk janë këtu edhe deputetët sepse i kemi ftuar. Jemi këtu të protestojmë që të mos anashkalohen edhe këta të rënë nga lista e dëshmorëve të kombit”, ka thënë ai.

Ilir Meha, nipi i Tahir Mehës tha se janë mbledhur për të shprehur dëshpërimin e ndarjes së dëshmorëve të cilët kanë rënë gjatë periudhës kohorë prej viti 1960 deri në luftën e fundit.

Fillon protesta e familjarëve të dëshmorëve të rënë para luftës

Familjarët e Dëshmorëve të Kombit të rënë para luftës së fundit në Kosovë, kanë filluar marshin protestues drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Komisioni i Familjeve të Dëshmorëve të Kombit, të rënë që nga viti 1963 e këtej, kërkon nga Komisioni Qeveritar për Verifikim, që të përfshijë në Ligjin për statusin e dëshmorëve të kombit edhe veprimtarët shqiptarë, të cilët para luftës së fundit, kanë rënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.



Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat