Gjergji e quan diskriminues përjashtimin e disa delegatëve

Kosova

Gjergji e quan diskriminues përjashtimin e disa delegatëve

Më: 30 maj 2015 Në ora: 10:57

Gjergji, e ka quajtur diskriminues dhe linçues vendimin e partisë për të anuluar zgjedhjet në degët e Gjermanisë dhe Zvicrës.

Delegati i LDK-së, Rexhep Gjergji, e ka quajtur diskriminues dhe linçues vendimin e partisë për të anuluar zgjedhjet në degët e Gjermanisë dhe Zvicrës.
Ai i është drejtuar kreut të kësaj partie, Isa Mustafës, në një letër të hapur:

I nderuari z. Mustafa, vendimi juaj dhe i një pjese të kryesisë suaj i para pak ditësh për anulimin e zgjedhjeve në degët e LDK në Gjermani dhe Zvicër nuk ka mbështetje statutare dhe është diskriminues dhe linçues për zërat që mund të kenë mendim tjetër me tuajin dhe të rrethit tuaj. Aq më tepër që ju keni refuzuar të pranoni dokumentacionin e ofruar. Ky vendim është shkatërrimtar për frymën demokratike që në LDK është kultivuar me dekada dhe bie ndesh me qëllimet e organizimit politik të sa më shumë bashkëmendimtarëve rreth një programi dhe një ideje për arritjen e synimeve politike.

Me veprime të tilla ju po rrezikoni që partinë e parë politike antikomuniste shqiptare ta nxirrni nga skena politike dhe me këtë ju po shkaktoni prishje të ekuilibrave politik në Kosovë e që mund të ketë pasoja për Kosovën dhe të ardhmen e saj si shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe i integruar në strukturat euroatlantike. Destabilizimi, të cilit ju po i fryni me ose pa dijen tuaj, po rrezikon shumë procese në kuadër të politikave rajonale e globale të aleatëve të Kosovës e të cilat sollën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ju me një vendim arbitrar sikur doni të mbuloni të gjitha manipulimet dhe blerjet votave që ju dhe rrethi juaj keni bërë për të siguruar edhe një mandat shkatërrimi të LDK dhe të vazhdoni rënien që keni arritur deri tash. Ju me “rritjet tuaja të votës” LDK e sollët në 13% mbështetje në elektorat. Ju me grupin tuaj për rreth duket sikur këtë keni mision.

Degët e LDK në diasporë, kryesisht ato në Gjermani dhe Zvicër ishin ato që mundësuan mbajtjen dhe organizimin e jetës në Kosovë. Ato ishin misione të fuqishme diplomatike të Kosovës në botë. Ato mbajtën me bukë familjet tuaja, siguruan shkollimin e fëmijëve tuaj, organizuan dhe mbajtën luftën në Kosovë. Si mund të jeni ju kaq mosmirënjohës dhe bukëshkelës duke fyer mijëra veprimtarë në diasporë, të organizuar në kuadër të LDK-së.

Prandaj, kërkoj nga ju, si një njeri që është munduar të kontribuoj për këtë vend në kuadër të kësaj partie, të tërhiqni menjëherë këtë vendim absurd e të pabazuar dhe të lejoni që kuvendi zgjedhor i LDK të ecë rrugës normale përkundër lëndimeve serioze që i keni shkaktuar deri tash me shkeljet tuaja statutare dhe veprime të dënueshme ligjore.

Dr. Rexhep Gjergji,

delegat i Kuvendit të VIII të LDK

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat