Thaçi nuk ka bërë presion që të votohet Specialja: Ja detajet nga mbledhja e mbrëmshme (Video)

Kosova

Thaçi nuk ka bërë presion që të votohet Specialja: Ja detajet nga mbledhja e mbrëmshme (Video)

Më: 29 maj 2015 Në ora: 20:55

Deputetët e kishin draftligjin për Specialen, por Thaçi e la në vullnetin e tyre. Arsyet se pse Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi me u shty votimi për amendamentet kushtetuese, që krijojnë mundësinë e krijimit te Dhomave të Veçanta, s’ishin të vetmet ato që i prezantoi shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Adem Grabovci.

Televizioni Rrokumi ka mësuar detaje nga mbledhja e mbrëmshme e Grupit Parlamentar të Kryesisë së partisë së Hashim Thaçit, e cila zgjati me orë të tëra.

Burimet brenda këtij takimi kanë thënë për Rrokum se në këtë mbledhje deputetët kanë shfaqë pakënaqësi të shumta, duke u deklaruar se vota e tyre shkon kundër.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se draftligji nga Bashkimi Evropian ju ka ardhur grupeve punuese dhe se atë e kanë kundërshtuar deputetët e PDK-së, duke thënë se kanë paqartësi për strukturën dhe funksionin e kësaj gjykate.

Te njëjtat burime kanë thënë se për herë të parë në mbledhjen e së enjtes, ka munguar presioni i Thaçit për t’u përkrahur kjo nismë legjislative.

Deputetët e anëtarët e Kryesisë, duke dashtë me mbeten anonimë, kanë thanë se Thaçi të vetmen gjë që e tha ishte se kjo gjykatë “edhe nëse e krijon Kuvendi i Kosovës, edhe nëse e krijon OKB, është e keqe për vendin, ndaj ju vendosni vet e vlerësoni cila asht e keqja ma e vogël”. Por, duke parë se numri i deputetëve që ishin kundër ishte i madh, kjo i pamundësonte numrat e nevojshëm në Kuvend për miratimin e amendamenteve.

Takimet e grupit parlamentar të PDK-së kanë vazhduar edhe pas vendimet me u shty seanca. Pas takimit të përbashkët, Hashim Thaçi e Kadri Veseli kanë mbajtur takime të ndara me secilin deputet që tashmë është deklaruar kundër.

Njëri prej këtyre deputetëve, i kontaktuar nga Televizioni Rrokum, ka thanë se Thaçi mbetet pas qëndrimit të një dite më parë, por se Veseli ka insistuar që vota e tyre duhet me shku pro Speciales.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat