Avokati i Popullit: Rakiqi dhe Gjuriqi shkelën Kushtetutën, Qeveria të marrë masa

Kosova

Avokati i Popullit: Rakiqi dhe Gjuriqi shkelën Kushtetutën, Qeveria të marrë masa

Më: 29 maj 2015 Në ora: 16:05

Avokati i Popullit pas një hetimi për pengesat fizike mbi dhe pranë urës së lumit Ibër, si dhe në rrugë të ndryshme të Mitrovicës, ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Administrative e Komunës së Mitrovicës së Veriut që në afatin më të shkurtë kohor, të largojnë “Parkun e Paqes” nga ura kryesore e lumit Ibër, si dhe të ndalin punimet në “Sheshin Car Lazar” dhe të lejojë lëvizjen e lirë në këtë urë.

Po ashtu, Avokati i Popullit ka rekomanduar që ndaj të gjithë personave përgjegjës për vendosjen e “Parkut të Paqes”, sidomos ndaj udhëheqësve të tyre, kryetarit Rakiq dhe Marko Gjuriq, të ndërmerren masa të parashikuara me ligj për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, duke përfshirë edhe ndjekje penale.
Ja komunikata e plotë:

29 maj 2015 – Në muajin qershor 2014, në pjesën e Komunës së Veriut të Mitrovicës janë vendosur një sërë pengesash fizike, pjesërisht me iniciativën, praninë dhe nën vëzhgimin e autoriteteve të ndryshme publike. Që nga ajo kohë, nuk janë ndërmarrë veprime të tjera nga institucionet publike në lidhje me këto veprime.

Avokati i Popullit ka vlerësuar se ka munguar një trajtim dhe analizë ligjore dhe kushtetuese lidhur me këto ndërtime,të ashtuquajtura “Parku i Paqes”, “Sheshi Car Lazar”, “Sheshi Adem Jashari” dhe “Sheshi UÇK”, në Komunën e Veriut të Mitrovicës. Prandaj, Avokati i Popullit ka vendosur të hapë hetime me vetiniciativë lidhur me këtë çështje, me dy qëllime kryesore: (1) për të vlerësuar nëse ngritja e katër ndërtimeve të lartcekura paraqet shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, posaçërisht të së drejtës për lëvizjen e lirë, sipas standardeve vendore dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, dhe (2) për t’u dhënë rekomandime autoriteteve përgjegjëse në bazë të këtij vlerësimi. Në bazë të analizës juridike lidhur me këtë rast, Avokati i Popullit konstaton se:

(1)Sheshi “UÇK” dhe Sheshi “Adem Jashari” nuk paraqesin asnjë kufizim të së drejtës për lëvizjen e lirë. Por, meqenëse nuk janë ngritur në përputhje me ligj, këto ndërtime janë të kundërligjshme.

(2)Ngritja e “Parkut të Paqes” dhe “Sheshit Car Lazar” përbën jo vetëm një shkelje të ligjit por edhe një shkelje të Kushtetutës dhe instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përkatësisht një shkelje të së drejtës për lëvizjen e lirë.

(3)z. Marko Gjuriq, duke marrë pjesë në mënyrë aktive dhe me veprime konkrete në ndarjen gjeoetnike të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht qytetit të Mitrovicës, ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, duke cenuar me këtë rast të drejtën për lirinë e lëvizjes së individëve në territorin e Republikës së Kosovës dhe për këtë arsye “përbën kërcënim për sigurinë shtetërore [dhe] rendin publik . . . në Republikën e Kosovës” (Ligji 04/L-219 për të Huajt, neni 31.1).

(4)Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, z. Goran Rakiq, dhe kryetarja e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, znj. Ksenija Bozhoviq, kanë dështuar plotësisht për të bashkëpunuar me zyrtarët e tjerë të Komunës.

Në bazë të këtyre konstatimeve d he në përputhje me nenin 135, par. 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 16, par. 1 të Ligjit për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit rekomandon që:

(1)Zyra Administrative e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, në afatin më të shkurtë kohor, të largojnë “Parkun e Paqes” nga ura kryesore e lumit Ibër, si dhe të ndalin punimet në “Sheshin Car Lazar” dhe ta kthejnë rrugën në gjendjen e mëparshme, duke lejuar lëvizjen e lirë në këtë urë, si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet.

(2)Zyra Administrative e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, në afatin më të shkurtë kohor, të largojnë të gjitha pengesat e ndërtuara fizike në Lagjen e Boshnjakëve dhe në hyrje të fshatit Suhodoll, respektivisht te “Sheshi Adem Jashari” dhe “Sheshi UÇK”.

(3)Ndaj të gjithë personave përgjegjës për vendosjen e “Parkut t ë Paqes”, sidomos ndaj udhëheqësve të tyre, kryetarit Rakiq dhe z. Marko Gjuriq, të ndërmerren masa të parashikuara me ligj për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, duke përfshirë edhe ndjekje penale.

(4)Qeveria e Republikës së Kosovës t’i refuzojë hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës, shtetasit të huaj Marko Gjuriq, në bazë të Ligjit për të Huajt, neni 31.1 (“I huaji mund të lejohet të hyjë në Republikën e Kosovës . . . nëse ai [mes të tjerash] nuk përbën kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin publik, shëndeti[n] publik në Republikën e Kosovës”) dhe neni 32.1 (“Të huajit i cili nuk i plotëson kushtet për hyrje të përcaktuara me nenin 31 të këtij ligji, i refuzohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës”).

(5)Kryetari Rakiq dhe kryetarja Bozhoviq, të marrin të gjitha masat e nevojshme për të bashkëpunuar në nivelin e duhur me zyrtarët e tjerë të Komunës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat