Në Gjakovë diskutohet për Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar "Bjeshkët e Nemuna"

Kosova

Në Gjakovë diskutohet për Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar "Bjeshkët e Nemuna"

Më: 29 maj 2015 Në ora: 14:49

Me organizim të Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës, sot është mbajtur shqyrtimi publik për planin hapësinor të parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ku pjesë e këtij parku është edhe komuna e Gjakovës me një pjesë të territorit të saj.

Hapjen e shqyrtimit publik e bëri nënkryetari i Komunës së Gjakovës, Ramadan Hoti, i cili bëri të ditur se këtij shqyrtimi i kanë paraprirë disa procese të mëparshme ku janë organizuar takime me grupe punuese të komunave që përfshihen në këtë territor. Nënkryetari Ramadan Hoti ka shtuar se i tërë angazhimi institucional i Komunës do të jetë që ky projekt të miratohet dhe të implementohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndërsa, Ferat Shala, zv. Ministër në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor ka pohuar se ky është një shqyrtim publik me vlera të mëdha, ku çdo vërejtje apo propozim i qytetarëve do të merret në konsideratë dhe do të gjejë zbatim në dobi të asaj që implementojmë. “Ky projekt prek sektorë të shumtë dhe të ndryshëm në të cilët aktualisht kemi probleme me dëmtimin e këtij mjedisi. Ne, synojmë që të kemi një zonë turistike me infrastrukturë të rregulluar dhe besoj se jemi në rrugë të mbarë për planifikim hapësinor. Me këtë plan-rregullues pretendojmë edhe integrimin e trekëndëshit ndërshtetëror Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi.

Ilir Morina, Krye shef i Agjencionit për Mbrojtje të Mjedisit ka pohuar se implementimi në mënyrë administrative ka shkuar shumë mirë dhe përparësitë e parkut janë shumë të mëdha që bëjnë këtë zonë të Kosovës shumë tërheqëse. Më pas, nga Luan Nushi, drejtor i Institutit për Planifikim Hapësinor, është bërë prezantimi i draft - planit për parkun kombëtar "Bjeshkët e Nemuna" që sipas këtij prezantimi ka sipërfaqe të përgjithshme prej 63.028 hektarë, me shtrirje territoriale në pesë komuna, prej të cilave komuna e Gjakovës ka sipërfaqe prej tre mijë hektarëve. ”Kur jemi tek territori i komunës së Gjakovës, pjesë e parkut kombëtar është edhe kompleksi memorial në Koshare, ndërsa hyrja për në parkun kombëtar është në fshatin Batushë” ka sqaruar z. Nushi. Ai më tutje ka dhënë edhe të detaje tjera mbi gjendjen aktuale në këtë park ku mungon infrastruktura sociale, infrastruktura teknike, etj. Me këtë plan-rregullues synohet që si ambient të kthehet në një vend të kënaqshëm për vizitorë, në mbrojtjen e zonës, zhvillimin e turizmit dhe për zhvillimin socio – demografikë. Për këtë shqyrtim publik ka qenë një interesim i dukshëm i qytetarëve të cilët janë interesuar për përfshirjen në zona të tre liqeneve, një pjesë të lumit Ereniku, për vendbanimet ekzistuese, etj. Gjithashtu ka pasur edhe kërkesë të shprehura për ndryshimin e emrit të Bjeshkëve të Nemuna, gjë që nga zv. Ministri Ferat Shala ka vlesuar këtë takim i cili ka sjellë ide, propozime dhe informata shtesë që do të shqyrtohen më tutje para shqyrtimit në parlamentin e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat