​Shtyhet seanca e Kuvendit të Kosovës për Gjykatën Speciale

Kosova

​Shtyhet seanca e Kuvendit të Kosovës për Gjykatën Speciale

Më: 29 maj 2015 Në ora: 06:50

(E plotësuar) - Me 78 vota për 2 abstenime dhe një kundër është shtyrë seanca e Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Vesleli ka thënë se shtyhet seanca por nuk ka dhënë një datë se kur do të ketë seancë të re.

Ky është hapi i parë i Kosovës drejt dështimit për të votuar Gjykatën Speciale. Nuk dihet se kur do të mbahet seanca e radhës dhe as kur do të hapet mundësia për t’u themeluar kjo Gjykatë në Këshillin e Sigurimit të OKB’së.

Kadaj-Bujupi: Projektligji për Specialen të mos sjellet fare

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, pas vendimit që të shtyhet seanca e Kuvendit për votimin e Gjykatës Speciale, ka thënë se janë të kënaqur që është shtyrë seanca, por në fakt ajo nuk duhet të sjellet fare.

“Jemi të kënaqur që është shtyrë, por në fakt nuk duhet të shtyhet, por nuk duhet të vije fare. Grupi Parlamentar i AAK-së, ka mbajtur takime, ne konsiderojmë që ky projektligj nuk duhet të vijë fare. Po ashtu ndryshimet dhe amendamentet kushtetuese nuk duhet të ndodhin fare”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
Ajo ka thënë se, votimi i kësaj gjykate e cenon sovranitetin dhe integritetin brenda Republikës së Kosovës.

“Gjyqësori brenda përbrenda Republikës së Kosovës duhet të fuqizohet që të jetë i aftëzuar që të merret me të gjitha temat. Veprimet që nuk shkojnë në favor të qytetarëve, rezultatet nuk janë të mirëfillta për shtetin”, ka thënë ajo.

Limaj: Askush nuk mund ta blej vullnetin e deputetëve

Kryetari i NISMA për Kosovën Fatmir Limaj ka thënë se arsyetimi për mos pasje të materialit është banal, për mos votimin e Speciales.

Limaj ka thënë se dikush dëshiron të blej kohë dhe të provoj t’i bind deputetët të votojnë kundër vullnetit të tyre.

“Ju e dini mirë që seancën e kanë thirrur për Specialen, materialet nuk janë dorëzuar dikush dëshiron të blej kohë ende për ta zhvilluar këtë propagandë për të treguar se sa është e rëndësishme votimi. Askush nuk e përmendi sovranitetin e shtetit. Ne me këto amendamente po e gërmojmë kufizimin e sovranitetin tonë, po ndërtojmë një gjykatë tjetër kushtetuese, thjesht pavarësinë e mbikëqyrur që e kemi pasur, tash po dyfishohet mbikëqyrja e shtetit tonë në një mënyrë krejt tjetër . Dëshirojnë të blejnë kohë dhe fatkeqësisht ky parlament është duke u shndërruar në parlament të kukullave. Me gjithë tendencën për të blerë kohë ata nuk do të arrijnë që t’i blejnë deputetët që të votojnë kundër vullnetit të tyre”, ka thënë Limaj.

PDK bën kërkesë për shtyrjen e seancës

Në emër të PDK’së, Adem Grabovci, ka thënë se, pas konsultave me shefat e grupeve parlamentare, duhet të shtyhet seanca parlamentare për votimin e Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se janë disa pengesa teknike pasi projektligji për Gjykatën Speciale.

“Propozojmë që për shkak të këtyre çështjeve teknike të shtyhet seanca”, ka thënë Grabovci.

Para votimit të Speciales, Mustafa dhe Thaçi në takim me ndërkombëtarët

Para se të nis seanca e paralajmëruar për ditën e sotme, shefat e dy partive më të mëdha në vend Isa Mustafa i LDK-së dhe Hashim Thaçi i PDK-së po zhvillojnë takime me ndërkombëtarët.

Këtë e bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Përderisa është duke vazhduar ky takim, deputetë të tjerë janë në pritje të seancës.

Disa prej tyre kanë zënë vendet në sallën e Kuvendit e disa të tjerë po qëndrojnë në hollin dhe në bufenë e Kuvendit.

Policia ka mbyllur derën kryesore të Kuvendit

Një numër i madh i Forcave të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, kanë rrethuar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës do të debatojnë mbi themelimin e Gjykatës Speciale. Lidhur me këtë, para ndërtesës së Kuvendit kanë filluar të grumbullohen shumë njerëz që do të marrin pjesë në protestën e organizuar nga Organizatat e dala nga lufta, kundër themelimit të Gjykatës Speciale dhe njollosjes së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Themelimi i Gjykatës Speciale, po kundërshtohet edhe nga partitë opozitare, derisa ende nuk është e sigurt nëse pozita do t`i arrij votat e mjaftueshme në mënyrë që ligji të kaloj.BS

Policia gati për protestë

Protesta e paralajmëruar dje nga OVL e UÇK-së dhe Lëvizja Vetëvendosje, do të fillojë në orën dhjetë.

Por, që tani kanë filluar përgatitjet nga Policia e Kosovës, të cilët kanë nisur të pozicionohen në qendër.

Në komunikatën për media të OVL UÇK-së, ku edhe jepet njoftimi për protestën thuhet se me krijimin e kësaj gjykate po degradohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndryshe, Gjykata Speciale pritet të votohet sot në ora dhjetë. Kuvendi ka lëshuar një njoftim përmes të cilit tregon se në seancë do të bëhet shqyrtimi i Propozim Amandamentit 24 të propozuar nga Qeveria e Kosovës.

Ky ndryshim i amendamentit të Kushtetutës zyrtarizon themelimin e Gjykatës Speciale për të vazhduar pastaj me miratimin e akteve tjera ligjore për të funksionalizuar këtë gjykatë.

Gjykata Speciale do të merret me krimet e pretenduara të ish-udhëheqësve të UÇK-së gjatë kohës së luftës. Nuk dihet ende nëse juridiksioni i kësaj gjykate do të jetë edhe për hetimin e krimeve politike të pasluftës.

Kosovë: Parlamenti debaton sot ngritjen e Gjykatës Speciale

Policia gati për protestë
Protesta e paralajmëruar dje nga OVL e UÇK-së dhe Lëvizja Vetëvendosje, do të fillojë në orën dhjetë.

Por, që tani kanë filluar përgatitjet nga Policia e Kosovës, të cilët kanë nisur të pozicionohen në qendër.

Në foto mund të shihni policë duke u bërë gati për protestë

Parlamenti i Kosovës do të hedh sot për miratim ndryshimet kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare kanë paralajmëruar protestë kundër saj, ndërsa votimin kundër e kanë paralajmëruar edhe partitë e opozitës që e shohin gjykatën si të dëmshme për drejtësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Drejtues të institucioneve dhe diplomatë perëndimorë thonë se dështimi i mundshëm i parlamentit mund të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Partitë e koalicionit druajnë së mund të mos kenë votat e mjaftueshme, meqë themelimi i gjykatës kundërshtohet edhe nga një pjese e deputetëve të këtyre partive. Miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për Gjykatën kërkon dy të tretat e votave të deputetëve si dhe mbështetjen e dy të tretave të votave të komuniteteve pakicë.

Të enjten presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha nëpërmjet një komunikate se ka takuar kryeministrin Isa Mustafa dhe Zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi me të cilët “diskutoi rreth hapave për votimin e amendamenteve kushtetuese për Gjykatën Speciale, në seancën e Parlamentit të Kosovës. Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare që ka marrë shteti i Kosovës përmes votimit në Parlamentin e Kosovës. Kryeministri Mustafa dhe Zv/kryeministri Thaçi theksuan pritjet e tyre për votimin e amendamenteve dhe procedimin e ligjit i cili rregullon çështjen e Gjykatës Speciale”, thuhej në komunikatë.

Por, pas orë më pas, nga zyra e zëvendëskryeministrit Thaçi u tha se deklarata e lëshuar nga zyra e presidentes se në takimin e mbajtur në mbrëmjen e së enjtes është diskutuar për Gjykatën Speciale, nuk qëndron.

“Takimi nuk ka pasur fare të bëjë me Gjykatën Speciale por ka qenë temë diskutimi vetëm përfaqësimi i Kosovës në Asamblenë e OKB-së, pas insistimit të presidentes që ajo ta udhëheq delegacionin kosovar, si dhe ndryshimet në Ligjin për Benificionet e Ish Zyrtarëve të Lartë Shtetërorë pas përfundimit të mandatit. Për çështje të tjera, e theksojmë edhe një herë, nuk është diskutuar”, thuhet në komunikatën e zyrës së zëvendëskryeministrit Thaçi.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për miratoi themelimin e gjykatës së posaçme, e cila do të vendoset në Holandë, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje për këtë çështje dhe ajo do të drejtohet nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat