Zyra e Thaçit demanton presidencën: Nuk biseduam për Gjykatën Speciale

Kosova

Zyra e Thaçit demanton presidencën: Nuk biseduam për Gjykatën Speciale

Më: 28 maj 2015 Në ora: 22:59

Zyra e Zëvendëskryeministrit të Parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës njofton opinionin se deklarata e lëshuar sonte nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës se në takimin e mbajtur në mbrëmje në mes të Kryeministrit, z.Isa Mustafa, Zëvendëskryeministrit, z. Hashim Thaçi dhe Presidentes, Znj.Atifete Jahjaga, është diskutuar për Gjykatën Speciale, nuk qëndron.
“Takimi nuk ka pasur fare të bëjë me Gjykatën Speciale, por ka qenë temë diskutimi vetëm përfaqësimi i Kosovës në Asamblenë e OKB-së, pas insistimit të presidentes që ajo ta udhëheq delegacionin kosovar, si dhe ndryshimet në Ligjin për Benificionet e Ish Zyrtarëve të Lartë Shtetërorë pas përfundimit të mandatit. Për çështje të tjera, e theksojmë edhe një herë, nuk është diskutuar”, thuhet në fund të njoftimit.
Të kujtojmë se presidenca pak orë më parë e ka lëshuar një komunikatë ku thuhet se tre liderët institucional të vendit kanë diskutuar për amandamentimin e Kushtetutës që ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga takoi sot Kryeministrin zotëri Isa Mustafa dhe Zv/Kryeministrin zotëri Hashim Thaçi me të cilët diskutoi rreth hapave për votimin e amandamenteve kushtetueses për Gjykatën Speciale, në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës.
Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare që ka marrë shteti i Kosovës përmes votimit në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri Mustafa dhe Zv/Kryeministri Thaçi theksuan pritjet e tyre për votimin e amandamenteve dhe procedimit të ligjit i cili rregullon çështjen e Gjykatës Speciale”, thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat