Një qendër gjermane për Migrim, Arsim e Karrierë në Kosovë

Kosova

Një qendër gjermane për Migrim, Arsim e Karrierë në Kosovë

Më: 28 maj 2015 Në ora: 22:05

Ministri gjerman i Zhvillimit dhe Bashkëpunimit ekonomik Gerd Müller, i cili po qëndron për vizitë dyditore (27.05 - 28.05) në Kosovë e sheh si fatkeqësi migrimin e dhjetra mijëra qytetarëve të Kosovës, shumica e të cilëve destinacion kanë Gjermaninë, ku kërkesat e tyre për azil do të refuzohen. Sipas tij njerëzit e rinj kanë nevojë për një të ardhme në Kosovë
"Kërkesa e tyre për azil do të refuzohet edhe pse e di se këta të rinj do të dëshpërohen. Ata duhet ta shohin të ardhmen e tyre në Kosovë", tha ministri Gerd Müller pas takimeve që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe disa ministra të qeverisë në Prishtinë.
Ministri Müller të enjtën(28.05) mori pjesë në hapjen e Qendrës Informative Gjermane për Migrim, Arsim, dhe Karrierë, qendër kjo e themeluar nga organizata gjermane GIZ, në emër të qeverisë federale. I shoqëruar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi, ministri gjerman Gerd Müller, tha se nga kjo qendër qytetarët e Kosovës do të informohen sesi mund të qëndrojnë në Gjermani në mënyrë legale. "Puna e parë me të cilën do të merret kjo qendër është nëse njerëzit dëshirojnë të rrijnë në Kosovë t'i shqyrtojnë mundësitë se çfarë mund të bëjnë ata për të ardhmen e tyre këtu, çfarë pune mund të kryejnë dhe si mund të zhvillohen. Hapi i dytë me të cilin do të merret kjo qendër është çështja nëse dëshiron një kosovar të largohet nga vendi i vet dhe të migrojë në Gjermani apo diku tjetër dhe t'i shqyrtojë mundësitë se si mund ta realizojë ai këtë për të emigruar legalisht. Ne kemi një grup të madh të kosovarëve, të cilët jetojnë në Gjermani dhe kemi lidhje të forta mes popujve tanë dhe në këtë aspekt do të ketë edhe një numër të madh të kosovarëve, që dëshirojnë të shkojnë atje për të punuar në mënyrë legale", tha ministri Müller.
Gjermania sipas ministrit Müller, nuk u jep azil qytetarëve të Kosovës, apo thënë ndryshe, kuota e pranimit të azilit në Gjermani për qytetarët e Kosovës është pothuajse zero. "Ne aktualisht kemi një kuotë të njohjes së të drejtës së azilit për kosovarët e cila është nën 1% ndërsa dje jemi marrë vesh me përfaqësuesit kosovar për një mbështetje të mëtejshme, të cilën e ofron Gjermania me vlerën prej 3 milionë Eurosh për procesin e kthimit të kosovarëve, pra është program për rikthimin e tyre nga Gjermania ku do t'u jepet këshillim për riintegrimin për mbështetjen e tyre dhe për gjetjen e një pune dhe një të ardhmeje në Kosovë", tha ministri Gerd Müller.
Ministri gjerman i Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ekonomik Gerd Müller, gjatë vizitës në Kosovë nënshkroi edhe një marrëveshje bashkëpunimi zhvillimor me qeverinë e Kosovës, përmes së cilës qeveria gjermane ndihmon Kosovën me 29.5 milion Euro.
Këto fonde janë të orientuara në shumë sektorë të ekonomisë, duke kombinuar arsimin, tregun e punës, çështjen e kadastrës, efiçiencën e energjisë dhe fusha të tjera. Ministri gjerman Müller, tha se "Gjermania do t'i qëndrojë Kosovës përkrah në rrugën e saj drejt zhvillimit ekonomik". Ai tha se Gjermania është e interesuar të investojnë për të rinjtë e Kosovës dhe për këtë arsye në marrëveshjen e nënshkruar janë parashikuar një sërë projektesh në fushën e arsimit profesional.
Sipas tij, e mira e këtyre fondeve është që janë të ndara për sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe se ato do të ngrenë kapacitetet teknike të stafit vendas.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave në qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me ministrin gjerman, Müller tha se gjatë takimit ata kanë biseduar edhe për plot ide të tjera, në mënyrë që të zgjerohet bashkëpunimi i dy shteteve në të ardhmen edhe në fusha të tjera. Ministri Hoti, përmendi edhe një ide për të cilën ka folur me ministrin Müller, e që ka të bëjë me krijimin e një fondi për të financuar bizneset e kosovarëve që jetojnë në Gjermani, por që dëshirojnë të investojnë në Kosovë.
Qeveria gjermane është një ndër donatoret më të mëdha në Kosovë. Tash e 15 vjet pas luftës, Gjermania ka dhënë ndihmë prej 480 milionë Euro për projekte zhvillimore në të gjitha fushat në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat