VV përkrah protestën kundër Speciales

Kosova

VV përkrah protestën kundër Speciales

Më: 28 maj 2015 Në ora: 19:29

Lëvizja Vetëvendosje nëpermes një komunikate për medie edhe njëherë ka shprehur mospatjimin për krijimin e Gjykatës Speciale, nesër kjo Lëvizje do ta përkrah protestën e organizatave të dala nga lufta.
Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë të gjitha argumentet politike dhe juridike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në tryeza dhe prezantime publike, në konferenca për shtyp, në tubime me qytetarë anekënd vendit, në takime me përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë dhe në çdo forum të mundshëm për të treguar që Gjykata Speciale është një prej padrejtësive më të mëdha që po i bëhet Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë.

Ne jemi kundër kësaj gjykate të stisur enkas për të degraduar sovraniteti e shtetit të Kosovës, luftën çlirimtare dhe vetë drejtësinë. Prandaj ne përkrahim protestën që organizatat e dala nga lufta e UÇK-së do të zhvillojnë ditën e premte, data 29 maj, në ora 10:00, para Teatrit Kombëtar në qendër të Prishtinës.

Ndërkohë që protesta do të mbahet jashtë parlamentit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në bashkëpunim me të gjithë deputetët e tjerë që janë shprehur tashmë kundër kësaj gjykate, do të zhvillojnë betejën e tyre brenda Kuvendit për ta hedhur poshtë propozimin për këtë “padrejtësi speciale”.

I bëjmë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj proteste. Brenda dhe jashtë institucioneve, vetëm kështu mund të ndalet shkatërrimi që po i përgatisin shtetit të Kosovës! , thuhet në komunikatën e këtij subjekti politik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat