​Panair i bizneseve familjare të minoriteteve me përkrahjen e BE-së

Kosova

​Panair i bizneseve familjare të minoriteteve me përkrahjen e BE-së

Më: 28 maj 2015 Në ora: 17:46

Në përpjekje për të promovuar zhvillimin socio-ekonomik të komuniteteve minoritare në Kosovë, një projekt i financuar nga BE, është organizuar sot në Prishtinë një panair biznesi, i cili u ofron anëtarëve të komuniteteve mundësi për t’i prezantuar punimet dhe produktet e tyre, si dhe për të gjetur lidhje dhe rrjete të reja tregu.

Me këtë rast, Zyra për Informim dhe Komunikim e BE-së në Kosovë njofton se ngjarja e sotme shënon fundin e programit i cili ka mbështetur 233 biznese familjare të vogla dhe të mesme dhe 84 projekte për zhvillimin e komuniteteve, dhe si rezultat ka krijuar më shumë se 830 vende të reja pune në zonat e minoriteteve gjatë tri viteve të kaluara. Ky projekt është pjesë e programit i cili ka nisur në vitin 2002 dhe që atëherë ka mbështetur mbi 2,100 biznese familjare, duke krijuar kështu më shumë se 8,000 vende pune në zonat jo të favorizuara të minoriteteve.

Përmes projektit të financuar nga BE, mbi 230 familje të komuniteteve minoritare kanë themeluar dhe zgjeruar fermat dhe serat e tyre, prodhimin e frutave, furrat, floktoret, karpentieritë dhe punëtoritë e tyre të farkëtarisë. Përveç kësaj, projekti ka ofruar për përfituesit edhe trajnime për menaxhimin më të mirë të bizneseve, fin ancave dhe llogarimbajtjes së tyre. Ai po ashtu u ka ofruar atyre mbështetje në etiketimin më të mirë të produkteve të tyre, krijimin e rrjeteve me bizneset e tjera dhe në gjetjen e tregjeve të reja.

Ky projekt ka mbështetur edhe 83 iniciativa për zhvillimin e komuniteteve, të cilat kanë përfshirë përmirësimin e objekteve të sportit dhe mësimdhënies në shkollat fillore dhe të mesme, rehabilitimin e qendrave kulturore, sigurimin e instrumenteve muzikore dhe përmirësimin e infrastrukturës së fshatrave.

Programi për Stabilizimin e Komuniteteve, i financuar nga BE, ka siguruar më shumë se 830 vende pune dhe ka përmirësuar jetesën e më shumë se 65,000 njerëzve në zonat minoritare. Ai është bashkë-financuar nga Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe është implementuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM). Faza e ardhshme e këtij programi pritet të nisë në fund të vitit 2015, thuhet në njoft imin e Zyrës së BE-së.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, në panair tha se është mirënjohës për partnerët ndërkombëtarë, Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe organizatën IOM, për bashkëpunimin shumë të mirë dhe se faza e realizuar me sukses e CSP-së është shumë e rëndësishme sepse është siguruar hapja e një numri të konsiderueshëm të vendeve të punës.

"Nëpërmjet programeve ekonomike të cilat i kemi zbatuar, kemi arritur që të krijojmë vende të reja për ata që kthehen në Kosovë, por edhe për ata që janë në Kosovë dhe kanë qenë gjatë gjithë kohës, është fjalë për anëtarët e komuniteteve jo-shumicë. Punësimi dhe gjendja e mirë ekonomike gjatë kthimit është një gjë shumë e rëndësishme në procesin e kthimit dhe mbijetesës.

Në këtë fazë t ë projektit ofrohen 310 vende pune, ndërsa 284 përfitues me orar të plotë të punës dhe gjithashtu janë miratuar 84 projekte të përbashkëta. Rreth 90 000 ishin ata që përfituan në mënyrë indirekte në këtë program. Se sa është i suksesshëm ky program, të dhënat flasin vetë ", ka thënë Jevtiq.

Përfaqësuesit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, Thomas Gnocchi dhe Jorge Baca thanë se një numër i madh i produkteve në panairin e tregtisë tregon efektivitetin e programit dhe falënderuan Ministrinë për Komunitete dhe Kthim për bashkëpunimin e shkëlqyer.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat