Hapet Qendra Informative Gjermane për migracion

Kosova

Hapet Qendra Informative Gjermane për migracion

Më: 28 maj 2015 Në ora: 11:15

Qeveria Federale Gjermane, hapi sot në Prishtinë Qendrën Informative Gjermane për migracion, arsim dhe karrierë, e cila do të informojë qytetarët e Kosovës për mënyrën e migrimit legal në Gjermani

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Ministri gjerman për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Gerd Muller dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Qendra Informative Gjermane për migrim, arsim dhe karrierë, është themeluar nga GIZ-i në emër të Qeverisë Gjermane, e cila do të informojë qytetarët me ofertat rreth mundësive legale të migrimit në Gjermani. Ministri gjerman për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Gerd Muller, tha se Qeveria gjermane vazhdon të mbështes Kosovën dhe për këtë qëllim është hapur kjo Qendër, që qytetarët të informohen për mundësitë e punësimit dhe migrimit në mënyrë legale.

“Nëse dëshirojnë që njerëzit të shkojnë në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër, të dinë se si të shkojnë atje, pra cilën mënyrë legale ta zgjedhin. Është një sfidë tjetër që ka të bëjë me çështjen e azilit në Gjermani, ku aktualisht kemi një kuotë të njohjes së të drejtës së azilit për kosovarë në Gjermani, e cila është nën 1 %. Jemi marrë vesh me përfaqësuesit këtu, për një mbështetje të cilën e ofron Gjermania, prej 3 milion eurosh për rikthimin e kosovarëve nga Gjermania, pra është një program këshillues për ri-integrimin e tyre në Kosovë..” tha Muller.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se kontributi i Gjermanisë për Kosovën është rreth gjysmë miliardë euro, që ka të bëjë me përkrahje financiare, asistencë teknike dhe forma të tjera.

“Asistenca financiare dhe teknike e Republikës Federale të Gjermanisë, përmes prezencës së saj në Kosovë, konsiston në ndërtimin e një të ardhme më të mirë. Ne kemi përfituar nga përkrahja me performancën e institucioneve, përmirësimin e politikave, përshtatjen e legjislacionit dhe përkrahjen e iniciativave ndërmarrëse.” tha Abrashi.

Ministri Abrashi, tha se Ministria do të kontribuojë në Kosovë përmes promovimit të punësimit në Kosovë, informimin e drejtë të qytetarëve lidhur me migrimin, trajnimin dhe zhvillimin në karrierë si dhe krijimin e Agjencisë së Punësimit. Ndërkohë, në Gjermani aktualisht studiojnë rreth 600 studentë kosovarë dhe vetëm gjatë sezonit të verës Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, do të ndajë 240 viza për studentët nga Kosova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat