“UÇK-ja të zbardhet nga akuzat e rënda dhe të votohet Gjykata Speciale”

Kosova

“UÇK-ja të zbardhet nga akuzat e rënda dhe të votohet Gjykata Speciale”

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 28 maj 2015 Në ora: 10:54

Republika e Kosovës, në mungesë të vullnetit politik ka dështuar që të merret me rastet e krimeve të luftës të ngritura tash e sa vite, dhe si pasojë sot po ballafaqohemi me gjykata të EULEX-it dhe me Gjykatën Speciale, vlerëson analisti politik, Dardan Islami.

“Pa dashur ti komentoj vendimet e gjyqësisë, vazhdoj të kem besim në gjyqësinë ndërkombëtare duke besuar se nëse ka ndonjë paqartësi apo gabim të mundshëm, momentin që dëshmohet e kundërta akuzat do të bien poshtë. Pyetja që rrjedh është se si u thyen ndërkombëtarët para presionit rus dhe pranuan një Gjykate Speciale kur në Kosovë tash e sa vite ishte misioni evropian EULEX, që kishte kompetenca ekskluzive për raste të tilla”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.

Islami, thotë që mos të harrojmë se krimet e mundshme nuk vjetrohen asnjëherë dhe si të tilla, duhet të hetohen, duke i zbardhë dyshimet dhe duke e sjell drejtësinë në vend.

“Akuzat që rendojnë UÇK-në janë të renda dhe si të tilla duhet të zbardhen njëherë e përgjithmonë, me ç’rast për fatin e trupave të rreth 300 serbëve të zhdukur, duhet dëshmuar se përgjegjësia mund të jetë individuale nga keqbërës të mundshëm duke e pastruar lavdin dhe luftën e drejtë të UÇK-së”, thotë ai.

“Populli i Kosovës, ish pjesëtaret e UÇK-së dhe deputet e Parlamentit nuk duhet të frikohen nga akuzat, por duhet të ballafaqohemi me këto raste, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që marrëdhëniet tona me aleatet tanë të ftohën, në këtë situatë delikate në të cilën po kalojmë”, thotë Dardan Islami.

Më 29 maj, Kuvendi i Republikës së Kosovës pritet që të shqyrtoj dhe të miratoj amendamentet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte. Njëherësh, pritet që të njëjtën ditë të miratohet edhe ligji për këtë gjykatë i cili është negociuar midis Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Gjykata Speciale do të hetojë dyshimet e supozuara në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty për trafik organesh të disa civilëve serbë nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilat u hetuan më pas nga një Task Forcë speciale ndërkombëtare.

Selia e Gjykatës Speciale për Krime Lufte pritet të jetë jashtë Kosovës. Në përbërjen e saj do të ketë prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat