Hyseni vazhdon lobimin në New York për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Kosova

Hyseni vazhdon lobimin në New York për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Më: 28 maj 2015 Në ora: 10:44

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni, gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, ka vazhduar me një sërë takimesh me përfaqësues të përhershëm të vendeve të akredituara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) me qëllim të sigurimit të mbështetjes sa më të gjerë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Hyseni ka zhvilluar takime me ambasadorin Vladimir K. Safronkov, zëvendëspërfaqësues i përhershëm i Federatës Ruse në OKB, ambasadorin Sebastiano Cardi, përfaqësues i përhershëm i Italisë, ambasadorin Vladimir Drobnjak, përfaqësues i përhershëm i Kroacisë, ambasadorin Yoshifumi Okamura, zëvendëspërfaqësues i përhershëm i Japonisë, ambasadorin Alvaro Mendonca e Moura, përfaqësues i përhershëm i Portugalisë, ambasadorin Ib Petersen, përfaqësues i përhershëm i Danimarkës, Ambasadorin Martin Sajdik, përfaqësuesin e përhershëm të Austrisë, si dhe ambasadorin Francois Delattre, përfaqësuesin e përhershëm të Francës në OKB-së.

Hyseni ka biseduar me përfaqësuesit e përhershëm për nevojën e intensifikimit të rolit të Kosovës në bashkëpunimin policor ndërkombëtar, duke theksuar profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe gatishmërinë e saj për të qenë partner i barabartë në luftimin e krimit të organizuar, sidomos nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve me vendet anëtare të INTERPOL-it.

“Është esenciale që Kosova të ketë qasje direkt në informacionin e INTERPOL-it dhe të ofrojë informacion nga ana e saj rreth çështjeve që bien nën juridiksionin e INTERPOL-it”, tha Hyseni.

Hyseni u ka kërkuar përfaqësuesve të përhershëm që të mbështesin Kosovën në përpjekjet e saja për tu bërë anëtare e plotë e INTERPOL-it, si mekanizëm tejet i rëndësishëm për bashkëpunim policor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat