​Shokët e Sulltanit dhe Sami Lushtakut: Mungon drejtësia për UÇK-në

Kosova

​Shokët e Sulltanit dhe Sami Lushtakut: Mungon drejtësia për UÇK-në

Më: 27 maj 2015 Në ora: 15:22

Dënimet e larta për ish- eprorët e UÇK-së Sami Lushtaku dhe Sylejman Selimin që sot ua ka shqiptuar Gjykata Themelore në Mitrovicë i ka prekur tejmase disa nga bashkëluftëtarët e tyre.

Sami Lushtaku është dënuar me 12 vjet burg ndërkaq Sylejman Selimi me gjithsej 14 vjet burgim. Ata akuzohen për krime lufte gjatë kohës së luftës së UÇK-së.

Rexhep Selimi, njëri nga pjesëtarët e parë të UÇK-së tha sot se ky vendim është i padrejtë ndaj luftës çlirimtare të UÇK-së.

Sipas tij kur bëhet fjalë për dënimin e luftëtarëve të UÇK-së atëherë vetëm drejtësia mungon.

“Sot bashkëndjejmë edhe me familjet e bashkëluftëtarëve tanë të cilët po vazhdojnë padrejtësisht të mbahen në burg tash e dy vite më shumë. Po vazhdojnë padrejtësisht të gjykohen dhe eventualisht e padrejtësisht të dënohen Kështu që bashkëndjejmë si bashkëluftëtar i tyre me anëtarët e familjeve të tyre dhe me gjithë bashkëluftëtarët . Kur bëhet f jalë për dënimin e luftëtarëve të Kosovës atëherë duhet të them që këtu më nuk bëhet fjalë për drejtësi, këtu bëhet fjalë për dënim paraprak dhe UÇK-ja po vazhdon të jetë nën atak,kështu që megjithëse akoma nuk kemi një verdikt t’i referoheshim, sepse gjykimi akoma po vazhdon atje, unë gjithsesi e konsideroj dhe rreshtohem në anën e tyre që sot janë atakuar e jo në anën e atakuesve”, tha Selimi.

Hiç më lehtë nuk e ka pritur këtë lajm, as njëri nga pjesëtarët e hershëm të UÇK-së Daut Haradinaj. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga AAK-ja tha se Lushtaku dhe Selimi për të janë njerëz që kanë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën, dhe si të tillë do t’i kujtojë gjatë tërë jetës së tij.

“ Personalisht për mua ata i kanë vlerat e luftës dhe ashtu i respe ktoj deri në vdekje, për mu ata janë njerëz të këtij vendi që i kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm këtij vendi. Vendimet nuk i kam pa por gjithsesi me kohë do të përgjigjem sepse ishim në punë, por më vjen keq për vendimet që janë marrë ndaj tyre”, tha Haradinaj.

Të dytë ish pjesëtarët e UÇK-së Selimi dhe Haradinaj kanë kundërshtuar mundësinë që në seancën e së premtes kur do të diskutohet për Gjykatën Speciale, të hyjnë edhe amandamentet për FAK-un.

Haradinaj që është kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrje të FSK-së tha se futja e amendamenteve dhe diskutimi për Forcën e Armatosur të Kosovës në një ditë kur edhe do të flitet për themelimin e Gjykatës Speciale në mënyrë që të merren edhe votat e komunitetit serb, nuk duhet të ndodh, meqë janë dy tema krejtësisht të ndryshime.

“Transformimi i FSK në Forca të Armatosura duhet të jetë i shkëputur për shkak se është një proces krejt tjetër krahasuar me këto ndërhyrjen kushtetuese të Gjykatës Speciale. Gjithsesi shefat e vendosin, por unë mendoj që është gabim në rast se këto përzihen. Është krejt diçka tjetër transformimi i FSK në Forca të Armatosura dhe është krejt diçka tjetër pakoja ligjore që kërkon ndërhyrje ligjore për Gjykatën Speciale, por i mbetet shumicës parlamentare se si do ta procedojnë”, theksoi Haradinaj.

Kjo gjë nuk duhet të ndodh as sipas Selimit, i cili tha se Ushtria e Kosovës nuk duhet të hyjë së bashku me pazaret e pa drejta që po i bëhen Kosovës, duke iu referuar themelimit të Gjykatës Speciale.

“ Jo në asnjë mënyrë, e theksoj në asnjë mënyrë dhe eventualisht kërkesa ose ideja për të qenë kështu, do të ishte një ide e cila do ta fuste Ushtrinë e Kosovës në pazar me diçka që është e padrejtë me Kosovën”, nënvizoi Selimi.

Ndryshe sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, gjykata ka dënuar Sami Lushtakun me 12 vjet burg, ndërsa Sylejman Selimin me gjithsej 14 vjet burf. Po ashtu për krime lufte janë dënuar edhe të akuzuarit tjerë në rastin “Drenica 2”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat