Veteranët e luftës kundërshtojnë vendimet për dënimin e bashkëluftëtarëve

Kosova

Veteranët e luftës kundërshtojnë vendimet për dënimin e bashkëluftëtarëve

Më: 27 maj 2015 Në ora: 14:50

Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së theksuan se edhe sot, vendimet politike në emër të drejtësisë, të marra ndaj bashkëluftëtarëve në rastet Drenica 1 dhe Drenica 2, dëshmojnë se janë të orkestruara nga Beogradi, janë veprime antishqiptare dhe përpjekje e vazhdueshme për kriminalizimin e luftës çlirimtare, me tendenca për të barazuar luftën e shenjtë me luftën kriminale dhe gjenocidale të Serbisë që e ka bërë në Kosovë.

Në komunikatë thuhet se për më shumë se një dekadë, ishin dëshmitarë të dështimit total të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë, e cila përmes mekanizmave të ashtuquajtur të drejtësisë, vazhdimisht organizoi komplote kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, kundërshtojnë fuqishëm këto vendime, ashtu siç e kundërshtojnë krijimin e gjykatës speciale, sepse ndërkombëtarët që kanë ardhur për drejtësi, kanë bërë padrejtësi ndaj pjesëtarëve të Luftës së UÇK-së, gjë që edhe vet i kanë pranuar dështimet e tyre si UNMIK dhe EULEX. Lirinë e fituam me gjak dhe falë luftës çlirimtare u krijuan Institucionet e Republikës së Kosovës, të cilat kanë obligim ta marrin kërkesën e mëhershme që ua kemi drejtuar për heqjen e kompetencave ekzekutive të EULEX-it. Gjithashtu, ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të mos e votojnë gjykatën speciale sepse vetëm kështu ndërpriten padrejtësitë ndaj luftës çlirimtare dhe pjesëtarëve të saj”, thuhet në komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat