Komuna e Skenderajt: Vendimi për Lushtakun, abstrakt dhe i papritur

Kosova

Komuna e Skenderajt: Vendimi për Lushtakun, abstrakt dhe i papritur

Më: 27 maj 2015 Në ora: 14:48

Pas vendimit të Gjykatës themelore në Mitrovicë për dënimin e kryetarit, Sami Lushtaku dhe ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, komuna e Skenderajt ka reaguar, duke e quajtur abstrakt dhe me tendencë për denigrimin siç thuhet të imazhit të Sami Lushtakut.

Komuna e Skenderajt, vendimin e sotëm të Gjykatës themelore në Mitrovicë për dënimin për krime lufte të kryetarit Sami Lushtaku dhe ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së e ka quajtur abstrakt dhe të papritur.

“Institucionet komunale dhe qytetarët e Skenderajt me gjithë pakënaqësitë e shprehura që nga fillimi i procesit ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve, kanë qenë të bindur se megjithatë ky proces do të udhëhiqet në mënyrë të paanshme dhe të drejtë. Fatkeqësisht ka ndodhur e kundërta, pasi Gjykata, nuk ka arritur apo nuk ka dashur të faktojë akuzat e supozuara dhe të veshura”, thuhet në komunikatë.

Sipas kumtesës, procesi gjyqësor dhe vendimi i sotëm ka qenë politik dhe i adresuar më qëllim të dëmtimit të imazhit, posaçërisht të Lushtakut, si udhëheqës ushtarak në luftë dhe udhëheqës brilant në paqe.

“Ne i bashkohemi qëndrimit të qytetarëve të Skenderajt si atakimi i kryetarit Lushtaku që në fillim ka qenë i padrejtë, ndërsa procesi dhe dënimi nuk është i bazuar në fakte, por në deklarata verbale të dëshmitarit të mbrojtur, që kanë pasur motiv kryesor rivalitetin politik dhe inatet personale. Ne vazhdojmë të besojmë fuqishëm se Sami Lushtaku është dënuar padrejtësisht, pa fakte konkrete dhe bazuar vetëm në deklaratën e trilluar të një dëshmitari të mbrojtur. Konsiderojmë se sot drejtësia në Kosovë ka dështuar, sepse ka dënuar ish pjesëtarët e UÇK-së për veprime të pavërtetuara, ndërkohë që është sot kriminelët e vërtetë të luftës nuk ndiqen, nuk dënohen dhe nuk akuzohen”, thuhet në komunikatë.

“Edhe përkundër vendimit të sotëm, i sigurojmë qytetarët e Skenderajt se edhe përkundër dëshirës së dikujt që Sami Lushtaku të etiketohet si kriminelë lufte, ai është plotësisht i pafajshëm gjë të cilën do ta vërtetojë koha”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat