Reagon Fatmir Sejdiu: Kryesia e LDK’së me qasje linçuese e përjashtuese

Kosova

Reagon Fatmir Sejdiu: Kryesia e LDK’së me qasje linçuese e përjashtuese

Më: 27 maj 2015 Në ora: 14:24

Kryetari i Nderit i LDK-së, Fatmir Sejdiu e ka quajtur abuzim me statutin e LDK’së vendimin e Kryesisë së kësaj partie për t’i anuluar zgjedhjeve partiake në Gjermani e Zvicër.

Sipas tij, vendimi i Kryesisë së LDK’së tregon se udhëheqja aktuale është duke u struktur nga paniku i humbjes së zgjedhjeve partiake.

“Kjo qasje diferencuese, përjashtuese dhe linçuese që e ka instaluar kryesia e LDK-së është goditje e rëndë në qenien identitare demokratike dhe tolerante të LDK-së”, ka thënë Sejdiu, në një kumtesë për media.

Lexojeni të plotë reagimin:

Komunikata e orëve të vona të mbrëmshme e Kryesisë së LDK-së, me të cilën lajmëron vendimin për anulimin e zgjedhjeve në dy degët më të mëdha të LDK-së në diasporë, në Gjermani e në Zvicër, të cilat kanë kontribuar fuqishëm në organizimin politik të LDK-së që nga themelimi dhe në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës, shpreh përmasën reale të krizës në të cilën e kanë sjellur LDK-në një klientelë e ngushtë duke abuzuar hapur me parimet, Statutin dhe Programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ky vendim që Kryesia e LDK-së e mori me urgjencë dhe pa ftuar të gjithë anëtarët e saj, vetëm pak ditë para mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor, s’ka se si të kuptohet ndryshe, pos si një strukje dhe panikë e disa anëtarëve të Kryesisë për rezultatet e dala nga zgjedhjet në këto degë që e trembin klientelën aktuale të LDK-së, e cila të deleguarit në Kuvendin e Tetë të LDK-së, i konsideron si kundërshtarë dhe armiq.
Kryesia e LDK-së me këtë veprim të padrejtë karshi procesit të udhëhequr në këto degë ka treguar edhe njëherë përfundimisht qasjen autoritare dhe arbitrare, dhe madje se është e gatshme të mbyllë derën e Kuvendit për të gjithë të tjerët që mund të kenë mendim dhe qëndrim të ndryshëm nga lidershipi aktual karshi zhvillimeve brenda partisë dhe në raport me proceset dhe qeverisjen në shoqërinë e Kosovës. Vendimi për organizimin e zgjedhjeve në këto degë pas mbajtjes së Kuvendit të Tetë nuk ka se si të kuptohet ndryshe përpos si përjashtim i delegatëve, të cilët nuk mendojnë njëjtë sikur lidershipi aktual i LDK-së dhe veprim për të devijuar rezultatet e pritshme në zgjedhjen e lidershipit në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor të LDK-së.
Për më tepër, në anën tjetër kryesia e LDK-së me një standard “special” ka instruktuar dhe bekuar zgjedhjet në disa degë të tjera, në të cilat ka pasur ankesa të shumta publike të veprimtarëve e të anëtarësisë për deformime ekstreme të procesit zgjedhor, dhe të cilat ankesa i janë drejtuar disa herë Kryesisë së LDK-së dhe Komisonit Statutar, ndërsa asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje, megjithëse këtë e përcakton qartë Statuti i partisë. Duhet përmendur me këtë rast ankesat e shumta të bëra edhe publike nga veprimtarët dhe anëtarësia në degët e Gjakovës, Podujevës, Obiliqit, Rahovecit e gjetiu, për manipulime dhe përjashtim të aktivistëve dhe anëtarësisë së LDK-së nga procesi zgjedhor.

Kjo qasje diferencuese, përjashtuese dhe linçuese që e ka instaluar kryesia e LDK-së është goditje e rëndë në qenien identitare demokratike dhe tolerante të LDK-së. Nga kjo shihet qartë se lidershipi aktual i LDK-së në krye me zotin Isa Mustafa, në mënyrë më antidemokratike dhe jashtë çdo standardi të mundshëm është duke u përpjekur që me makinacione dhe manipulime të sigurojë edhe një mandat udhëheqjeje me LDK-në duke e dërguar atë në një rrugë të pakrye me pasoja të paparashikueshme. Në këtë përpjekje ai premton dhe blen delegatë me poste, duke kërkuar përulësinë për një vend pune.

Zoti Isa Mustafa duhet ta ketë të qartë se anëtarësia e gjerë e LDK-së është duke i përcjellur me vëmendje dhe shqetësim gjithë këto zhvillime dhe sigurisht që nuk do të lejojë të shpërfillet dhe manipulohet vullneti i saj. Ajo do një fazë të re të ristrukturimit të mirëfilltë të partisë, të reformave të vërteta brenda saj, si dhe të ndërrimeve të domosdoshme të atyre që kanë përgjegjësi të veçantë për zhvillimet që e kanë çuar LDK-në në humbje të vazhdueshme dhe në rënie rapide që nga viti i kaluar, çfarë e kanë treguar bindshëm edhe sondazhet e fundit.

Anëtarësia e LDK-së, jam i bindur se do të kërkojë përgjegje të drejtpërdrejtë nga lidershipi aktual i saj për të sqaruar mashtrimet në parafushatën elektorale të vitit të kaluar, që u dëshmuan si mashtrime për të ardhur në pushtet për qëllime personale të lidershipit aktual, me çdo kusht dhe pa zgjedhur mjete.

Pavarësisht nga gjithë këto përpjekje manipuluese, anëtarësia e LDK-së si forcë politike demokratike, me ide dhe përvojë të lirisë së brendshme dhe dinjitet politik, dhe e cila mbetet shpresë për qytetarët e Kosovës, sigurisht që nuk do të lejojë që LDK të shndërrohet në një subjekt të përulur dhe të parëndësishëm siç e ka katandisur lidershipi aktual i Isa Mustafës.

Duke qenë që nga dita e themelimit pranë anëtarësisë së LDK-së, unë ftoj të gjithë ata që e duan LDK-në parti të vlerave demokratike, të ndërtuar me vizionin e Presidentit Rugova, të bashkohemi për ta rikthyer si forcë prijëse politike të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat