Ambasadori Ismaili dekorohet nga Garda Kombëtare e Shtetit të Iowa-s

Kosova

Ambasadori Ismaili dekorohet nga Garda Kombëtare e Shtetit të Iowa-s

Më: 27 maj 2015 Në ora: 10:52

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Akan Ismaili, është dekoruar me medaljen për “Shërbim të shquar” nga Garda Kombëtare e shtetit të Iowa-s, në një ceremoni të veçantë ushtarake, e cila u mbajt në Kampin Dodge, në qytetin Johnston të Iowa-s.

“Ambasadori Ismaili dekorohet për shërbim të veçuar meritor në shtetin e Iowa-s dhe Gardën Kombëtare gjatë mandatit si ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkushtimi dhe devotshmëria personale e ambasadorit Ismaili shtynë përpara vizionin e Gjeneralit dhe të gjithë Iowa-s për mbarë Kosovën që rezultoi në themelimin formal të marrëdhënieve dhe binjakëzimin në mes shtetit të Iowa-s dhe Kosovës dhe qyteteve të Pejës dhe Johnstonit.

Lidershipi i fuqishëm i ambasadorit Ismaili, entuziazmi, mprehtësia në biznes dhe sjellja profesionale sigurojnë suksesin e Programit të Partneritetit shtetëror Iowa-Kosovë për vitet që vijnë”, thuhet ndër të tjera në motivacionin për medaljen e ndarë, të nënshkruar nga gjeneral–majori Timothy Orr, nga Garda Kombëtare e Iowa-s.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, në këtë ceremoni u dekoruan edhe disa oficerë të Gardës Kombëtare të Iowa-s për shërbimin e tyre të dalluar, ndërsa i pranishëm ishte edhe Guvernatori i shtetit, të Iowa-s, z. Terry Branstad, dhe shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së, gjenerali Frank J. Grass.

“Gjatë vizitës zyrtare dyditore në shtetin e Iowa dhe pjesëmarrjes në këtë ceremoni, ambasadori Ismaili, i shoqëruar nga Ministri-Këshilltar në ambasadë, z. Sami Kastrati. dhe Atasheu për Siguri, Gjeneral brigade, z. Xhavit Gashi, zhvilluan një sërë takimesh edhe me autoritetet më të larta të shtetit të Iowa-s.
Fillimisht, ata u pritën në Zyrën e Iowa-s për Shtetet Simotra nga ku, së bashku me drejtuesen e kësaj zyre, Kim Heidemann, dhe tre nxënës kosovarë, që aktualisht po vijojnë mësimet në shkolla të mesme në Iowa, u pritën nga senatorja Rita Hart, zëvendëssekretari i shtetit të Iowa-s dhe guvernatori, Terry Branstad”, thuhet në njoftim.

Më tej shtohet se është me rëndësi të theksohet se në takimin me guvernatorin, Branstad u rikonfirmua mbështetja e mëtejme dhe zgjerimi i partneritetit tashmë të vendosur ndërshtetëror në mes shtetit të Kosovës dhe Iowa-s dhe është bërë e ditur se guvernatori Branstad ka mundësi të vizitojë Kosovën gjatë vitit të ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat