​Gërvalla – Mustafës: Sjellja juaj mediokre po dëmton interesat e vendit

Kosova

​Gërvalla – Mustafës: Sjellja juaj mediokre po dëmton interesat e vendit

Më: 27 maj 2015 Në ora: 07:24

Donika Gërvalla –Schwarz, thotë se i ka shkruar kryeministrit Isa Mustafa dhe njëherit kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për parregullsitë që ajo ka parë në procesin e zgjedhjeve të kësaj partie.

Krejt kjo ka ardhë pasi që kryesia e LDK-së ka vendosur që zgjedhjet në degën e LDK-së në Gjermani të përsëriten, “për shkak të parregullsive të konstatuara, përkatësisht mosmbajtjes së Kuvendeve zgjedhore, në nëndegët e degës të lartpërmendur”.

Por, Donika Gërvalla shkruan se kjo nuk është e vërtetë dhe se dokumentet që vërtetojnë të kundërtën do t’ia sjellë atij (Mustafës) në zyre.

“Në dallim nga zgjedhja juaj me aklamacion, e cila bie ndesh me rregulloren për zgjedhjen e delegatëve, LDK në Gjermani ka mbajtur zgjedhje transparente, konform rregullave statutore, të dokumentuara me përpikëri deri në detajet më të vogla. Së bashku me një delegacion të LDK-së nga Gjermania, dokumentet do t'ua sjell nesër në zyrë në orën 11”, thuhet në letrën e Donika Dërvallës.

Kjo, sipas Donikës është një përpjekje e drejtuesve aktual së LDK-së, që me metod a arbitrare të ndalë zëra të padëshiruar kritik.

“Kjo përpjekje jo vetëm që shkel parimet e LDK-së, por edhe parimet e kulturës demokratike në Evropë dhe të EPP-së. Kjo sjellje unike e kryesuesve të tanishëm të LDK-së ndaj degës në Gjermani ka shkaktuar habi të madhe edhe tek partia jonë simotër, CDU-ja gjermane. Veprimet e tilla nuk e dëmtojnë vetëm imazhin tuaj si kryetar i LDK-së, por e reduktojnë edhe autoritetin tuaj si kryeministër. Sjellja juaj mediokre brendapartiake po dëmton në këtë mënyrë edhe interesat e vendit”, shkruhet më tutje në letrën e Donikës.

Lexojeni të plotë letrën e Donika Gërvallës – Schwars dërguar Isa Mustafës

Donika Gërvalla-Schwarz

Isa Mustafën dhe gardën e tij e ka kapur paniku dhe po përdor metoda jolegale për të frikësuar delegatët e Kuvendit zgjedhor. Zgjedhjet në nëndegët dhe në degën e LDK-së kanë qenë shembullore, si r rallë kund nëpër Kosovë. Veprimi i tij i sotëm, anulimi arbitrar i zgjedhjeve në Gjermani, është jolegal. Natyrisht që 9 delegatët e degës në Gjermani do të marrin pjesë në Kuvendin zgjedhor. Jo me leje të dikujt por falë legjitimetit të marrë nga zgjedhjet deri në detaj konform statutit të LDK-së dhe rregullores mbi mbajtjen e zgjedhjeve.

I nderuar z. Mustafa,

Ju jeni i informuar rreth manovrës së çuditshme politike të komisionit tuaj për të verifikuar zgjedhjet e mbajtura në degën e LDK-së në Gjermani. Një veprim i tillë arbitrar dhe selektiv i drejtuesve të LDK-së ka shkaktuar habi dhe zemërim jo vetëm në Gjermani, por edhe tek të gjithë ata,me të cilët kam biseduar në Kosovë. Një kontakt i thjeshtë prej pak sekondash do të kishte mjaftuar për ta sqaruar këtë çështje.

Në dallim nga zgjedhja juaj me aklamacion, e cila bie ndesh me rregulloren për zgjedhjen e delegatëve, LD K në Gjermani ka mbajtur zgjedhje transparente, konform rregullave statutore, të dokumentuara me përpikmëri deri në detajet më të vogla. Së bashku me një delegacion të LDK-së nga Gjermania, dokumentet do t'ua sjell nesër në zyrë në orën 11.

Përpjekja e dukshme e drejtuesve aktual së LDK-së, që me metoda arbitrare të ndalë zëra të padëshiruar kritik, nuk mund dhe nuk guxon të funksionojë. Kjo përpjekje jo vetëm që shkel parimet e LDK-së, por edhe parimet e kulturës demokratike në Evropë dhe të EPP-së. Kjo sjellje unike e kryesuesve të tanishëm të LDK-së ndaj degës në Gjermani ka shkaktuar habi të madhe edhe tek partia jonë simotër, CDU-ja gjermane. Veprimet e tilla nuk e dëmtojnë vetëm imazhin tuaj si kryetar i LDK-së, por e reduktojnë edhe autoritetin tuaj si kryeministër. Sjellja juaj mediokre brendapartiake po dëmton në këtë mënyrë edhe interesat e vendit.

Në Kosovë, Gjermani dhe Evrop ë sundon parimi i së drejtës së barabartë për të gjithë. Prandaj, duke u nisur nga ky parim, dega e LDK-së në Gjermani ka vendosur të kërkojë zyrtarisht verifikimin e të gjitha zgjedhjeve, në të cilat ka indikacione se janë shkelur normat statutare të LDK-së gjatë zgjedhjeve në degë dhe nëndegë. Kjo përfshin si zgjedhjen tuaj me aklamacion, ashtu edhe zgjedhjet nëpër degë, në të cilat është shkelur hapur rregullorja. Kërkesat për këto verifikime do t'ua dorëzojë nesër delegacioni ynë.

Duke pasur parasysh faktin, që pavarësisht nga dilemat e mia rreth përcaktimeve tuaja dhe mënyrës suaj të drejtimit të LDK-së, gjatë zgjedhjeve të fundit ju kam mbështetur si gjatë fushatës, ashtu edhe publikisht, me shpresë që LDK-ja t'i fitojë këto zgjedhje, më lejoni dy fjalë jashtë çështjeve procedurale të lartpërmendura.

Është përshtypje e përgjithshme e pothuajse të gjithë bashkëbiseduesve të mi në Kosovë, që personalisht jeni shumë i painteresuar lidhur me gjendjen në të cilën ndodhet LDK-ja. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që keni investuar më shumë vite për ta luftuar LDK-në, sesa që jeni brenda saj. Megjithatë ju i keni LDK-së shumë borxh dhe ne kemi të drejtë të kërkojmë nga ju që të mos e shkatërroni LDK-në nga brenda, për çfarëdolloj motivi.

Ju i dini shifrat që rrjedhin nga sondazhet serioze dhe të cilat dëshmojnë që ju e keni sjellë LDK-në në 13%, pra në prag të rrezikut ekzistencial. Ju e keni konsumuar autoritetin tuaj dhe jeni duke e humbur edhe respektin që ua huazon pozicioni juaj.

Duke vënë në pikëpyetje zgjedhjet në nëndegët dhe degën e LDK-së në Gjermani keni fyer pas asnjë nevojë qindra aktivistë të LDK-së, të cilët jo vetëm që e dëshirojnë suksesin e LDK-së, dhe kështu indirekt edhe tuajin, por kanë dhënë dhe japin një kontribut të pamasë për LDK-në dhe Kosovën. Nëse nuk i pushoni menjëherë aktivitetet e këtij lloji, atëherë Isa Mustafa në historinë kosovare mund të hyjë si varrmihësi i LDK-së. Të jeni i sigurt, që të gjithë së bashku, me ju ose kundër jush do të përpiqemi ta evitojnë vdekjen e LDK-së.

Me nderime,

Donika Gërvalla

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat