Ahmeti takon sekretarin e Shtetit të Zvicrës Rossier

Kosova

Ahmeti takon sekretarin e Shtetit të Zvicrës Rossier

Më: 26 maj 2015 Në ora: 20:10

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, priti një delegacion nga Zvicra të kryesuar nga sekretari i Shtetit të Zvicrës, Yves Rossier, të cilin e njoftoi lidhur me përgjegjësitë e Komunës së Prishtinës, si dhe me projektet e qeverisjes, në të cilat ai veçoi angazhimin për reformimin e administratës në shërbim të qytetarëve si dhe reformat e mirëfillta në transportin publik.

“Kryetari Ahmeti e njoftoi z. Rossier edhe lidhur me sfidat në urbanizimin e qytetit, duke filluar nga parandalimi i degradimit të mëtutjeshëm të kryeqytetit, respektivisht ndalimi i ndërtimeve pa leje e deri tek reformat dhe rregulloret që tashmë kanë filluar të zbatohen në këtë drejtori”, thuhet në komunikatën e komunës së Prishtinës.

Ahmeti dhe Rossier vizituan edhe Qendrën për Këshillim në Karrierë (QKK), e cila do të luajë një rol të rëndësishëm midis nxënësve të shkollave profesionale të Komunës së Prishtinës dhe sektorit privat me qëllim të avancimit të tyre në karrierë në të ardhmen. QKK do të lidhë shkollat profesionale në të cilat vijojnë mësimin rreth 7000 nxënës me tregun e punës.

Në muajin nëntor të vitit 2014, Komuna e Prishtinës dhe “Helvetas Swiss Intercooparation” n ë Kosovë nënshkruan Marrëveshjen e Mirëkuptimit për realizimin e projektit “Rritje e punësimit për të rinjtë. Kjo marrëveshje u nënshkrua me qëllim të realizimit të dy projekteve: "Qendra e Biznesit" që do t’u ndihmojë bizneseve të reja, posaçërisht atyre që eksportojnë shërbime jashtë vendit, duke u ndihmuar atyre edhe me këshilla, por edhe me gjetjen e kontakteve në mënyrë që të zhvillohen sa më shumë, si dhe "Qendra për Këshillim në Karrierë", e cila do të lidhë shkollat profesionale të Komunës së Prishtinës, ka thënë Ahmeti në këtë takim./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat