Thaçi në Këshillin e Sigurimit dënon dhunën e përdorur në Maqedoni

Kosova

Thaçi në Këshillin e Sigurimit dënon dhunën e përdorur në Maqedoni

Më: 26 maj 2015 Në ora: 17:17

(I plotësuar) - Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës ka deklaruar është humbje kohe të tentohet që me Gjykatën Speciale të ndryshohet historia e gjenocidit që ka bërë regjimi i Millosheviqit.

Thaçi në Këshillin e Sigurimit dënon dhunën në Maqedoni

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës ka deklaruar është humbje kohe të tentohet që me Gjykatën Speciale të ndryshohet historia e gjenocidit që ka bërë regjimi i Millosheviqit.

Ai në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork ka falënderuar Kombet e Bashkuara për rolin pozitiv që kanë pasur në rindërtimin dhe shtet-ndërtimin e Kosovës, duke thënë se që nga Serxho Di Mejo i ndjerë që ka shërbyer më 1999, e deri tek miku i Kosovës Farid Zarif që shërben sot, Kosova ka pasur një progres të pa precedent në historinë moderne evropiane.

Thaçi ka folur për fluksin e madh të emigrantëve në fillim të këtij viti, duke shprehur pakënaqësi te Serbia për hapjen e kufijve me Hungarinë. Ai ka theksuar se ka shumë incizime në Internet, që dëshmojnë se po licia serbe merrte edhe bakshishe për të ndihmuar imigracionin ilegal. “Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti ne kemi pasur një fluks të madh emigrantësh nga Kosova që shkuan në disa shtete të Unionit Evropian në kërkim të një jete më të mirë, të ngashënjyer me thashetheme të rrejshme për azil të garantuar. Ne kemi qenë të pakënaqur me fqinjën tonë, Serbinë, që për dy muaj të tërë ka lënë kufijtë e hapur me Hungarinë dhe ka shumë incizime në Internet, ku policia serbe merrnin bakshish për të ndihmuar imigracionin ilegal. Pas fushatës tonë sensibilizuese për opinion, e cila ka demaskuar tregtarët me njerëz, si dhe masave që kanë ndërmarrë Gjermania, Austria dhe Hungaria, ne kemi zbritur 95% nivelin e emigracionit për një muaj dhe Kosova ka marrë lavde edhe nga Komisioni Evropian për këtë zbritje spektakulare në kontroll të emigracionit ilegal”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi.

Ai ka theksuar edhe p ritshmëritë e kosovarëve te bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, si shtet i fundit në Ballkan që ende ka nevojë për viza Shengen. “Liria e lëvizjes është një nga faktorët kyç që rrit frustrimin e kosovarëve”, ka thënë Thaçi.

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, në vazhdim të fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork ka kërkuar që pala serbe të jetë më serioze në procesin e dialogut dhe të mos angazhohet në propagandë destruktive, e cila shpesh e rrezikon edhe procesin e dialogut. “Unë jam takuar gati 40 herë me lidershipin serb dhe me ministrin e Jashtëm Daqiç dhe dua të besoj se kanë kaluar kohërat e propagandës raciste kundër Kosovës. Ne duhet të shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe të flasim si fqinjë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka treguar se ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është arritur edhe marrëveshja për mbyllje të strukturave ilegale të Serbisë në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe për integrimin e juristëve dhe gjykatësve serbë në veri në sistemin unik të drejtësisë së Republikës së Kosovës. “Me çdo marrëveshje të re dhe me çdo hap të dialogut ne po arrijmë të normalizojmë marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është edhe qëllimi i dy qeverive dhe partnerëve tanë nga Unioni Evropian dhe Amerika, që Kosova dhe Serbia të jenë anëtare të Unionit Evropian duke mos penguar njëra-tjetrën”, ka thënë ai.

Thaçi në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Maqedoni. Ai ka thënë, se derisa Kosova është forcuar në një shtet stabil dhe plotësisht të dedikuar drejt integrimit evropian, ne kemi pasur zhvillime fatkeqe në rrethinë që mund të kenë implikime për sigurinë rajonale. “Në Maqedoni kemi pasur një incident të dhunshëm ku kanë vdekur policë dhe persona të armatosur. Nga qeveria maqedone jemi njoftuar se një numër i atyre të vrarëve dhe të arrestuarve janë nga Kosova. Por, më lejoni që para jush sot të jem përsëri i qartë ashtu siç kam qenë edhe në javët e kaluara: Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon dhunën e përdorur në Maqedoni dhe është insistuese që të vetmet zgjidhje për çfarëdo probleme në Ballkan të kërkohen nëpërmjet dialogut dhe pjesëmarrjes në institucione. Ne nuk përkrahim, as nuk do ta përkrahim kurrë asnjë tendencë për të destabilizuar rajonin nga kushdo qoftë. Maqedonia është partnere dhe aleate e Kosovës në integrime në Unionin Evropian dhe NATO dhe ne përkrahim Marrëveshjen e Ohrit si të vetmen kornizë në Maqedoni”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se ka dëgjuar akuzat se Kosova apo Shqipëria po punojnë për një Shqipëri të Madhe, por këto akuza i ka cilësuar si të kota dhe krejtësisht propagandistike. “Më shumë flitet për Shqipërinë e Madhe në Beograd, se n ë Prishtinë. Ne kemi fituar luftën ndaj regjimit të Millosheviqit. Po ashtu fituam edhe pavarësinë sipas planit të negociatorit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtiaarit. Ne do të arrijmë të fitojmë edhe betejën për integrimin e rajonit në NATO dhe BE. Ata që janë kundër NATO-s dhe Unionit Evropian kanë dëshirë të krijojnë mjegull dhe të rrezikojnë progresin në Ballkan, por ne nuk do të lejojmë që këta veprimtarë kundër NATO-s dhe Unionit Evropian, kudo që gjenden ata, të prishin suksesin e arritur në Ballkan pas pavarësimit të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Thaçi.

Para përfaqësuesve të Këshillit të Sigurimit, Thaçi ka thënë se Kosova ka përfunduar demarkacionin e kufirit me Maqedoninë dhe për disa javë do ta përfundojë edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe se është shteti i vetëm në ish-Jugosllavi që ka konfirmuar kufijtë me shumicën e fqinjve pa përdorur dhunë dhe pa iu drejtuar gjykatave ndërkombëtare. “Kjo dëshmon se në Kosovë askush nuk flet për ndryshim të kufijve. Ne jemi të orientuar drejt Brukselit ku kufijtë edhe ashtu nuk kanë kuptim. Nuk po angazhohemi për Shqipërinë e Madhe, por për Ballkanin e Madh në kuadër të Unionit të Madh Evropian”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.

Duke folur për akuzat nga raporti i Dick Martit, Thaçi ka thënë se Kosova ka vazhduar me procesin e themelimit të Dhomave të Posaçme në kuadër të sistemit të drejtësisë së Kosovës, që do të përfundonin proceset e ndërlidhura me raportin e prokurorit Williamson rreth akuzave të Dick Martit.

“Ne besojmë se shumica e këtyre akuzave janë thashetheme dhe krejtësisht të pabazuara, por për të pastruar luftën tonë dhe për të izoluar rastet individuale kur ka mundur të ketë veprime negative, ne do ta themelojmë këtë institucion të pavarur dhe ndërkombëtar. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për ndryshimet e Kushtetutës që mundësojnë themelimin e Dhomave të Posaçme dhe Kuvendi i Kosovës do të votojë me 29 maj krijimin e tyre”, ka thënë Thaçi.

Por, sipas tij, pas gjykimeve të gjyqeve të UNMIK-ut, pas gjykimeve nga Tribunali i Hagës, pas gjykimeve nga EULEX-i dhe gjykatat lokale, kjo është hera e pestë që po hulumtohen rastet e krimeve të luftës nga individë në ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ne kemi nevojë njëherë e përgjithmonë që ta pastrojmë emrin e luftës së shenjtë të UÇK-së që u përkrah nga mbarë bota. “Ne e dimë që edhe Kongresi Nacional Afrikan i Nelson Mandelës ka pasur individë që kanë bërë krime. Edhe lëvizjet e tjera guerile kanë pasur, por është me rëndësi t’ju them këtu se Republika e Kosovës dhe unë personalisht kurrë nuk do të lejojë që Dhomat e Posaçme të krijuara për dyshimet e Raportit të Dick Martit të përdoren për të ri-dizajnuar historinë tonà «. Kot tentojnë disa ta përdorin këtë instrument për të ndryshuar historinë se luftërat në Ballkan janë shkaktuar nga qeveria e kaluar e Serbisë. Askush në Ballkan, por as më gjerë nuk do të harrojë terrorin dhe gjenocidin e ushtruar nga Sllobodan Millosheviqi dhe përkrahësit e tij. Askush në Ballkan, por as në botë nuk do të harrojë se në Srebrenicë është kryer gjenocid nga ana e forcave serbe. Askush nuk do të harrojë as verdiktin e Tribunalit të Hagës kundër lidershipit të Serbisë që ka konstatuar pa asnjë fije mëdyshje se qeveria serbe ishte fajtorja kryesore në luftën e Kosovës për pastrime etnike dhe për qëllim të krijimit të Serbisë së Madhe”, ka thënë Thaçi, duke i ftuar të lexojnë verdiktin e Tribunalit të Hagës të krijuar nga Kombet e Bashkuara kundër lidershipit serb për ta kuptuar sa çnjerëzore ka qenë Qeveria e Serbisë ndaj Kosovës gjatë një shekulli të tërë okupimi.

Duke folur për pajti min e popujve dhe forcimin e pozitës së Kosovës në botë, Thaçi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka thënë se dialogu me Serbinë ka pasur storie të suksesshme, por ka kërkuar nga qeveria serbe të vazhdojnë me implementimin e marrëveshjeve dhe të mos bien në gracka të diskursit nacionalist. “Pajtimi dhe stabiliteti nuk do të ruhen duke harruar të kaluarën. U kemi borxh gjeneratave të reja të kosovarëve dhe serbëve që mos të harrojmë të kaluarën as mos të harrojmë arsyen e agresionit serb”, ka thënë Thaçi.

Ai ka treguar se Kosova tash e disa vite ka punuar për të dokumentuar krimet dhe viktimat e luftës dhe se shumë shpejt kosovarët do të kërkojnë drejtësi në gjykata ndërkombëtare për krimet serbe në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat