Bahtiri i kërkon ambasadorit malazez kthimin e kobures së Isa Boletinit në Kosovë

Kosova

Bahtiri i kërkon ambasadorit malazez kthimin e kobures së Isa Boletinit në Kosovë

Më: 26 maj 2015 Në ora: 13:00

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, priti ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Radovan Milaniq, me të cilin ka biseduar për gjendjen e përgjithshme në komunën e Mitrovicës dhe për mundësitë e bashkëpunimit të Mitrovicës me komunat e Malit të Zi, në fushën e zhvillimit ekonomik, kulturor, etj.

Kryetari Bahtiri, i tha ambasadorit Milaniq se vetëm me bashkëpunim mund të ecet përpara drejt Bashkimit Evropian. “Dëshiroj që të vendos bashkëpunim me komunat në Mal të Zi, pasi që konsideroj se mund të bashkëpunojmë në të mirën e komunave dhe qytetarëve të tyre. Ne si përfaqësues të qytetarëve tanë duhet të bëjmë diçka që t’i afrojmë qytetarët si në aspektin ekonomik, ashtu edhe atë kulturor, pse jo edhe politik”, tha Bahtiri.

Ai foli edhe për bashkëpunimin e suksesshëm kohëve ët fundit ndërmjet të të dyja komunave, e sidomos ndërmjet atij dhe kryetarit të komunës në veri të qytetit, Goran Rakiq.

“Me Rakiqin po bashkëpunojmë suksesshëm në të mirë të të dyja komunave dhe qytetarëve të saj. Planifikojmë të mbajmë një konferencë të përbashkët donatorësh, ku do t’i ftojmë investitorët të mbështesin projektet tona të përbashkëta, me interes për qytetarët e të dyja komunave”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Ambasadori Milaniq, u shpreh të jetë i kënaqur me informacionet që i ofroi kryetari Bahtiri. “Unë jam në Kosovë qe dy vite dhe gjatë kësaj kohe kam vizituar disa komuna të Kosovës. Më vjen mirë që sot jam këtu në Mitrovicë, sepse unë kam interesim të posaçëm për njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe mundësitë për shfrytëzim të resurseve që ka Kosova me bollëk. Kapitull i veçanet i Kosovës është rinia e saj, që është e dukshme si askund tjetër”, tha ambasadori Milaniq.

Sipas tij, politika e ka thënë të veten, ndërsa tash janë të nevojshme paqja, bashkëpunimi, besueshmëria dhe aksioni, që është edhe thelbi i mendimit të tij, si për vendin prej nga vjen, ashtu edhe për shtetin ku shërben, e që është Kosova.

Gjatë takimit, kryetari Bahtiri kërkoj nga ambasadori malazez, që të angazhohet për sjelljen e kobures së heroit Isa Boletini, në Kosovë, për të cilën tha se ka informacion se ndodhet në Mal të Zi.

Ambasadori Milaniq, premtoj se do ta njoftoj Qeverinë e Malit të Zi, për ofrimin e bashkëpunimit nga Komuna e Mitrovicës, si dhe biznesmenët që të shikojnë mundësitë e tyre këtu, pasi që komuna është në rrugë të mbarë për të ofruar lehtësira të ndryshme.

Ndërsa, sa i përket çështjes së kobures së heroit Isa Boletini, ambasadori Milaniq tha se nuk ka kurrfarë informacionesh lidhur me këtë dhe se nuk e din se ajo ndodhte në Mal të Zi. “Mirëpo, unë do të interesohem edhe lidhur me këtë dhe do ju njoftoj shumë shpejt se si qëndron puna lidhur me këtë”, tha ai./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat