Disa mjekë pas përfundimit të specializimit po mbesin pa punë.
Përderisa specializimet e mjekëve financohen nga shteti, me ligj parashihet që ata edhe të punësohen në atë institucion apo rajon ku e kanë fituar të drejtën e specializimit. Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjoci, tha për Radio Kosovën se tani e tutje, një gjë e tillë nuk do të ndodhë por do të veprohet sipas ligjit.
Valbona Gashi, specialiste e mjekësisë emergjente, është njëra nga mjeket e cila pasi e ka mbaruar specializimin katërvjeçar në Qendrën Emergjente të QKUK-së tani ka mbetur e pa papunë. Ajo tha për Radio Kosovën se është sakrificë e madhe e sidomos të studiosh mjekësinë dhe në fund të mbetesh pa punë. Ajo thotë se kjo është në kundërshtim me ligjin sepse me ligj specializantët duhet të kontribuojnë në vendin ku e kanë përfunduar atë.
“Pas përfundimit të specializimit ne kemi ngel pa punë në krahasim me kolegët tonë të rajoneve të cilët janë kthye menjëherë në vendin e vetë të punës. Po presim qershorin, sipas fjalëve të drejtorit të qendrës spitalore, se në qershor do të behet revidimi i buxhetit edhe atëherë do të behët kërkesa për sistemimin tonë. Kjo është shpresa jonë. Është sakrificë e madhe edhe në fund është e pakuptimtë me mbet pa punë”, tha ajo.
Ndërsa, në anën tjetër Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjoci tha për Radio Kosovën se ka raste kur specializantët fitojnë të drejtën e specializimit në një rajon të caktuar ndërsa nuk e aplikojnë atë sipas ligjit. Ata ose kërkojnë që të punësohen në Qendra tjera, siç është QKUK, ose fillojnë të punojnë si të pavarur. Kështu që tani e tutje një gjë e tillë nuk do të ndodhë, tha ai. Sipas tij, të gjithë ata që fitojnë të drejtën e specializimit në cilëndo qendër të Kosovës do të jenë të obliguar që të kryejnë obligimin ligjor, po në atë rajon prej nga vijnë.
“Tani do të insistohet që së paku për një periudhë të caktuar profesionisti i cili përfundon specializimin me shërbye për atë regjion ku e ka marrë së paku specializimin, deri në minimum sa t’i kthen të gjitha ato të ardhura që janë dhënë gjatë kohës së specializimit si kuadër profesional për institucionin përkatës”, tha ai.
E sipas drejtuesit të Sindikatës së QKUK-së, Xhemjal Selmani, për një specializant shteti shpenzon rreth 200 mijë Euro.