Suspendohet “Baba” i tenderëve

Kosova

Suspendohet “Baba” i tenderëve

Më: 26 maj 2015 Në ora: 11:15

Shefi i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, është suspenduar nga puna për shkak se ndaj tij është ngritur aktakuzë për korrupsion.

Krasniqi ka qenë zyrtari më i përfolur i prokurimit si i dyshuar për korrupsion, pasi që për vite të tëra ai ka drejtuar Zyrën e Prokurimit të Ministrisë së Transporteve, e cila më vonë është shndërruar në Ministrinë e Infrastrukturës, ku përmes saj kanë shpenzuar qindra miliona euro.

Kohë më parë përmes një kërkese të Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar informacione rreth aktakuzës me të cilën ngarkohet Krasniqi, e ku pas marrjes së përgjigjes, kjo ministri ka vendosur ta suspendojë nga puna shefin e prokurimit.

Derisa të përfundojë lënda Krasniqi do të merr nga ministria vetëm gjysmën e pagës, ashtu sikurse parashihet me ligj.

Për këtë çështje gazeta “Zëri” i ka dërguar pyetje ministrisë, por për dy ditë nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Për këtë çështje nuk është shprehur i gatshëm të flasë as vetë Krasniqi.

Mirëpo, sipas burimeve të besueshme të “Zërit”, vetë kryeministri Isa Mustafa ka kërkuar që të zbatohet Ligji për Shërbyesit Civil dhe të mos ketë në institucione njerëz që hetohen për vepra penale.

“Bazuar në Ligjin për Shërbyesit Civilë, është marrë vendim që menaxheri i Prokurimit, Nexhat Krasniqi, të pezullohet nga puna, sepse ka aktakuzë të konfirmuar për vepër penale”, ka thënë për “Zëri” një burim brenda Ministrisë së Infrastrukturës.

Një panel prej tre gjyqtarësh, dy ndërkombëtar dhe një vendor, të Gjykatës së Apelit, ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish ministrit Fatmir Limaj dhe të tjerëve lidhur me rastin “MTPT 1”.

Në këtë rast, i cili po ndiqet nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Nexhat Krasniqi akuzohet për kryerjen e veprave penale: krim i organizuar, shpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit, marrje e mitos.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat