Gjatë një viti grevë pati edhe të vdekur

Kosova

Gjatë një viti grevë pati edhe të vdekur

Më: 26 maj 2015 Në ora: 09:41

Greva e punëtorëve të Fabrikës së Gypave të Ferizajt, e cila ka filluar që një vit para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, nuk është ndërprerë, edhe pse askush nga qeveria nuk i ka vizituar ata.

Kjo grevë zgjati aq shumë saqë ka edhe raste të vdekjes së grevistëve, të cilët nuk mundën t’i rezistojnë kohës së gjatë dhe mos përkushtimit të Qeverisë.

Punëtorët, madje rastësisht kishin takuar edhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, i cili kalimthi u kishte thënë se do t`i takojë një ditë, raporton Indeksonline.

Anëtari i Këshillit të punëtorëve të Fabrikës së Gypave, Ahmet Sylejmani, ka thënë se sot është takuar me Kryeministrin Mustafa, por kjo gjë ndodhi rastësisht. Ai nuk harroi ta potencojë se bisedën e shkurtë në hollin e ndërtesës së Qeverisë tentoi ta ndalë njëri nga truprojat e Kryeministrit Mustafa.

“Rastësisht u takova me kryeministrin, ai ishte duke dalë, i thashë që unë jam njëri nga grevistët e çdo ditë po i sjelli disa kërkesa, po nuk e di ju a jeni të njoftuar apo jo. Ai tha se do t`ju takojmë një ditë.
Ishte me dy truprojë, njëri mashkull, tjetria femër. Ai mashkull tentoi të më ndalë, tha se nuk lejohen bisedat kështu”, ka thënë Sylejmani.

Arsyeja pse Sylejmani kishte hyrë në ndërtesën e Qeverisë, ishte për ta dërguar një kërkesë, të cilën grevistët e dërgojnë në Qeveri çdo ditë që nga 24 prilli i këtij viti.

Krejt kjo, sipas Sylejmanit, erdhi si pasojë që edhe pas protestës që kanë mbajtur para disa muajve, askush nga Qeveria e Kosovës nuk ka dalë të takohet me ta, por punëtorët kanë vendosur të mos ndalen dhe të shfrytëzojnë edhe këtë mënyrë të ligjshme.

“Një javë ditë kemi ba kërkesë, kemi protestu para Qeverisë që të na takojë, por nuk është përgjigj askush.Pasi që askush nuk na ka takuar, kemi vendos që me shkrim t`i drejtohemi Qeverisë. Kërkesat i paraqesim prej 24 prillit”, ka sqaruar Sylejmani.

Ajo se çka i preokupon më shumë grevistët brenda tendës, është gjendja e mjerueshme e qëndrimit aty, ku si pasojë, Lutfi Rexhës, një ish-grevist, i ishte përkeqësuar gjendja dhe kishte vdekur.

“Në 2007-tën, Policia e Kosovës na ka largu prej punës me dhunë. Njërin nga punëtorët e kanë lënduar rëndë. Ky nuk ka marrë pjesë në grevë tani. Një tjetër që ka marrë pjesë në grevë, ka vdekur. Atij i ishte përkeqësuar gjendja dhe e ka lënë grevën. Pas pak ai ka vdekur. Quhet Lutfi Rexha, e ka numrin 28 prej 45 atyre punëtorëve që i kërkojnë këto paga.

Prej 46 grevistëve që dikur ishin pjesëmarrës të kësaj greve, tani janë vetëm tetë. Por, edhe ata tani kanë probleme me shëndetin.

Remzi Murati, grevist, ka thënë se edhe pse kanë shumë probleme me shëndet, greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës, të cilën sipas tij, është e drejtë e punëtorëve dhe këtë e ka vendosur edhe Gjykata Kushtetuese.

“Momentalisht jemi tetë vetë, por thuajse të gjithë jemi të sëmurë. Prej fillimit kemi qenë 46, por prej gjendjes shëndetësore disa janë tërheq, e momentalisht jemi tetë vetë. Deri në realizimin e kërkesës sonë nuk do të tërhiqemi. Ndihmë na japin punëtorët tonë që janë jashtë, ne këtu hamë, këtu pimë, tjetër kush nuk na ndihmon”, është shprehur Murati.

Ndryshe, të dy grevistët, Ahmet Sylejmani e Remzi Murati kanë thënë se Qeveria e Kosovës duhet t`i zbatojë ligjet dhe rregullat.

“Porosia jonë është e vetmja dhe e ligjshmja që ligjet në Kosovë të zbatohen, vendimet e rregullta të Gjykatave të zbatohen”, kanë shtuar ata.

Ndërsa, Sylejmani ka njoftuar se të mërkurën do të mbahet edhe një takim me media, ku sërish do t`i paraqesin kërkesat e tyre drejtuar Qeverisë së Kosovës.

Njëkohësisht, ai i ka bërë thirrje Kryeministrit Mustafa që të jetë përgjegjës për qytetarët e tij dhe t`i zbatojë ligjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat