Kandidimi i Vjosa Osmanit për kryetare të LDK-së mirëpritet nga anëtarësia

Kosova

Kandidimi i Vjosa Osmanit për kryetare të LDK-së mirëpritet nga anëtarësia

Më: 25 maj 2015 Në ora: 20:26

Deputetja më e votuar e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka vendosur t’i hyjë garës për kryetar të kësaj partie dhe kandidatura e saj po mirëritet nga anëtarësia partiake dhe sigurisht edhe nga delegatët.

Këtë e ka bërë të ditur një burim i KosovaLive, brenda LDK-së, i cili në kushte anonimiteti tha se pret që Osmani të sjellë një frymë të re dhe të reformojë partinë.

Deputetja Vjosa Osmani ka thënë se është e bindur në fitoren e saj për kryetare të parisë së dytë më të madhe në vend.

KosovaLive ka provuar të kontaktojë me deputeten Osmani, por ajo nuk e hapi telefonin. Në një intervistë dhënë në emisionin Infobox të Radio Dukagjinit, deputetja Osmani ka thënë se ajo që e bënë të ndihet triumfuese në kandidaturën për kryetar të LDK-së është mbështetja jashtëzakonisht e madhe e elektoratit të LDK-së, elektorat ky që i ka qëndruar besnik LDK-së qysh nga themelimi.

Sipas saj, kauza e presidentit Rugova për liri, pavarësi dhe demokraci është ende e papërmbushur, kauzë e cila çojë LDK-në si parti e parë në vend.

Osmani ka dhënë një porosi për delegatët e LDK-së, që ta ruajnë fshehtësinë e votës.

“Vota është e fshehtë, këtu nuk mund të shkohet me aklamacion siç ka shkuar në disa raste. Përkundër faktit që statuti nuk e lejon. Këtu duhet vullneti i lirë dhe i pacënuar i delegatëve të vendosin se kush do ta udhëheqë LDK-në në katër vitet e ardhshme. Shpresoj shumë që këta delegatë do të kenë në mendje vetëm një gjë dhe ajo është vullneti i elektoratit sepse këtë detyrë e kanë, ta përçojnë vullnetin e elektoratit me votën e tyre, shpresoj që nuk do të ketë tentime për ta cenuar atë votë. Mirëpo ne jemi të gatshëm edhe për skenare të tilla dhe do të thirremi në statut, do të kërkojmë që rastet e tilla të eliminohen”, ka shtuar më tej ajo.

E pyetur se a ka vërejtur një tendencë të tillë, ajo ka thënë se “ka fjalë lidhur me këtë, por se nuk beson që dikush do të tentojë të bëjë një gjë të tillë”.

“Shpresoj që edhe ai proces të jetë i hapur për media sepse nuk ka arsye që të jetë ndryshe”, ka thënë Osmani.

Ajo e ka vlerësuar edhe kontributin e Fatmir Sejdiut dhe Lufti Hazirit dhe shpreson që edhe ata do të bëhen pjesë e “platformës së fitores”.

“Të dielën do të fitojë vullneti i elektoratit – për këtë jam e bindur. Në çdo situatë të kundërt unë dhe i gjithë ekipi im respektojmë verdiktin e delegatëve dhe jemi të angazhuar për fuqizimin e LDK-së sepse angazhimi ynë me LDK-në në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk është lidhur me pozita. Do të vazhdojmë të mbesim veprimtarë të devotshëm të LDK-së”, ka thënë ndër tjerash Osmani.

KosovaLive ka provuar që të marr edhe një prononcim nga Fatmir Sejdiu, për të pyetur nëse edhe ai do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së, por këshilltari i tij, ka thënë se “Sejdiu nuk është në dispozicion”.

Po ashtu edhe kontakti me anëtarë të tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka qenë i pamundur.

Rikujtojmë se zgjedhjet në LDK do të mbahen më 31 maj dhe tashmë janë deleguar 355 delegatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat