Dëshmitari: Adelina Ismaili ndër shkaqet e urrejtjes së Sekiraqës për Rizën

Kosova

Dëshmitari: Adelina Ismaili ndër shkaqet e urrejtjes së Sekiraqës për Rizën

Më: 25 maj 2015 Në ora: 18:28

Sot në Gjykimin e Enver Sekiraqës që akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, dha dëshminë e tij Besnik Hasani, ish-polic i dënuar për rastin e shpërthimit në Lokalin “Sekiraqa”.

Hasani tregoi se Rizën ishte njohur qysh në vitin 2000 ndërsa e përshkroi atë si një njeri të urtë dhe profesional.

“Ka qenë një djalë shumë i mirë, i urtë dhe profesional, i respektueshëm si ndaj kolegëve ashtu edhe ndaj qytetarëve”, tha Hasani.

Dëshmitari vlerësoi lart edhe guximin e ish-policit të vrarë në vitin 2007.

“[Triumfi] ka qenë një polic shumë i guximshëm. Pikërisht për guximin që ka pasur, ai nuk jeton edhe sot mes nesh”, tha Hasani.

Prokurori i rastit Andrew Carney e pyeti dëshmitarin se ku po e bazon thënien se Triumf Riza ishte i guximshëm.

“Ai ishte i guximshëm, ju e dini që Enver Sekiraqa ka bërë shumë vepra, ka qitur haraç dhe me kalimin e kohës gjatë pyetjeve mund ta argumentoj këtë. Ai nuk ka qenë i vetëm, e ka pasur një grup kriminal që kanë qenë me një fuqi të madhe të njerëzve dhe të profilit shumë të lartë”, tha Hasani.

Dëshmitari, i dënuar me 25 vjet burg për shpërthimin e vitit 2007 në lokalin e Enver Sekiraqës, përveç trim, e cilësoi të pastër si loti Triumf Rizën.

“Triumf Riza ka ardhur nga një familje shumë e ndershme dhe si qytetar shumë i ndershëm Triumfi e ka pasur guximin se ka qenë i pastër si loti në kuptimin që nuk ka mundur askush që ta korruptojë dhe ka qenë i pathyeshëm në të gjitha kuptimet. Nuk ka pasur kurrfarë konflikti, me fqinjë ose me njerëz,” tha Hasani.

I pyetur nga prokurori, Besnik Hasani tregoi kur për herë të parë e pa tash të akuzuarin Enver Sekiraqa.

“Për Enverin e gjithë policia dhe qytetarët në përgjithësi e kanë ditur, por kështu me pa dhe me njoftuar nuk e kam njohur kurrë. Personalisht e kam parë në Ferizaj kur kam punuar në ROSU”, u përgjigj Hasani.

Hasani më tutje deklaroi se Triumfi u kla treguar kolegëve policë për rrezikun që po i kanosej nga Sekiraqa.

“Shqetësimet e Triumfit lidhur me Sekiraqën kanë qenë të shumta dhe i ka rrëfyer shpesh te ne si kolegë dhe shokë që është në rrezik nga Sekiraqa, se Triumfi nuk ka pasur asnjë problem tjetër me askënd, përveç me të. Këtë e them me plot përgjegjësi”, tha Hasani.

Ky dëshmitar tregoi se si problemet e Rizës me Sekiraqën, nisën kur ish-polici e ndaloi makinën e tash tash të akuzuarit në Lagjen “Vranjevc”

“Prej ndaljes që ia ka bërë Triumfi Sekiraqës në Vranjevc, ai ka filluar të ia marrë inati, sepse nëse e ke ndalë si polic atë, ai e ka konsideruar si diçka personale dhe ka qenë e çuditshme për të që ta ndalë një polic, i është dukur ofenduese kjo”, tha Hasani

Hasani tregoi para trupit gjykues se situata pastaj ka eskaluar edhe më shumë dhe se ndaj Rizës ishin bërë atentate, i ishte djegur vetura, ndërsa në përleshjen e ndodhur në “Swiss Casino” kishin mbetur të plagosur një polic edhe një anëtar i grupit Sekiraqa.

Hasani tha se situata dhe urrejtja e Sekiraqës për Rizën u përkeqësua edhe më tej në momentin kur Adelina Ismaili u lidh me Triumf Riizën.

“Adelina personalisht më ka treguar se ka qenë e kërcënuar dhe e shantazhuar dhe në momentin kur është shoqëruar me Triumfin dhe më pastaj janë bërë të dashur, ka filluar urrejtja edhe më e madhe, sepse tani nuk ka mundur ta shantazhojë sepse ajo është ndier e sigurt me Triumfin”, tha Hasani.

Ai do të vazhdojë dëshminë e tij edhe ditën e enjte, gjatë së cilës pritet të përballet me mbrojtjen e Sekiraqës./kallxo.com

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat