Kërkohet anulimi i 19 pasaportave të ish-diplomatëve dhe familjarëve

Kosova

Kërkohet anulimi i 19 pasaportave të ish-diplomatëve dhe familjarëve

Më: 25 maj 2015 Në ora: 18:18

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ( MPJ) ka kërkuar zyrtarisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) të invalidohen 19 pasaporta diplomatike të ish- diplomatëve, familjarëve të tyre pasi që ata nuk i janë përgjigjur kërkesës së MPJ-së për t’i dorëzuar këto pasaporta
Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, Artan Behrami, zyrtar për informim në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Për invalidim janë përcjellë në MPB 19 pasaporta diplomatike, kryesisht të diplomatëve dhe të fëmijëve të tyre deri në moshën 18 vjeçare, që janë larguar nga shërbimi diplomatik”, tha Behrami.

Zyrtari shpjegoi se një pjesë e pasaportave që nuk janë dorëzuar fizikisht nuk kanë pasur afatshmëri.

Ai tha se MPJ-ja ka dërguar shkresë në MPB, përkatësisht në policinë e Kosovës, për ata që nuk i kanë kthyer pasaportat diplomatike e që bie se janë 19 të tillë.

“Një pjesë i kanë dorëzuar dhe janë kryer procedurat e invalidimit (“shpimi në kopertina”) dhe u janë kthyer bartësve. Disa prej tyre nuk kanë pasur validitet dhe janë të pavlera, kurse ata që nuk i janë përgjigjur njoftimit dhe nuk i kanë kthyer, pas një afati të caktuar janë përcjellë me shkresë në MPB për deklarimin e tyre në gjendje fiktive apo invalidim”, deklaroi Behrami.

Sipas tij, MPJ-ja ka njoftuar diplomatët e tyre për të drejtat e bartjes së pasaportës diplomatike pas shkarkimit apo largimit nga puna.

“MPJ sipas legjislacionit ka njoftuar diplomatët me të drejtën e bartjes së pasaportës diplomatike dhe pas shkarkimit apo largimit nga puna, diplomati është i detyruar ta dorëzojë atë”, deklaroi Behrami.

Behrami tha se dërgimi i shkresës në MPB për kthimin e pasaportave diplomatike të ish diplomatëve kosovarë është procedurë e rregullt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat