Vjosa Osmani beson në fitore dhe në ata që duan LDK’në të ripërtëritur

Kosova

Vjosa Osmani beson në fitore dhe në ata që duan LDK’në të ripërtëritur

Më: 25 maj 2015 Në ora: 16:21

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë dhënë në emisionin Infobox të Radio Dukagjinit është shprehur e bindur rreth fitores për kryetare në partinë e dytë më të madhe në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës, garë e cila do të zhvillohet të dielën.
Ajo që e bënë të ndihet triumfuese në kandidaturën për kryetar të LDK-së, sipas saj, është mbështetja jashtëzakonisht e madhe e elektoratit të LDK-së, elektorat ky që i ka qëndruar besnik LDK-së qysh nga themelimi.

“Besoj tek mbështetja jashtëzakonisht e madhe e elektoratit të LDK-së, atij elektorati i cili i ka qëndruar besnik LDK-së qysh nga themelimi, dhe po ashtu një gjeneratë e tërë, kryesisht të moshës së re të cilët kërkojnë që LDK-ja të ripërtërihet. Siç e dini unë kam prezantuar edhe një platformë me dhjetë parime apo dhjetë shtylla kryesore e cila është ndërtuar në terren bashkë me anëtarësinë e LDK-së, varësisht nga kërkesat e tyre. Kemi dalë me këto dhjetë shtylla kryesore të cilat besojmë fuqishëm që do çojnë LDK-në drejt fitores dhe do ta bëjnë partinë e parë në vend e cila pastaj do të jetë determinuese e proceseve të rëndësishme politike në Kosovë”, tha Osmani.

Sipas saj, kauza e presidentit Rugova për liri, pavarësi dhe demokraci është e ende e papërmbushur, kauzë e cila çojë LDK-në si parti e parë në vend.

“Është një besim shumë i madh në kauzën tonë, dhe kjo është një kauzë për ta bërë LDK-në të parën. Është një kauzë për ta përmbushur një mision të papërmbushur dhe ajo është shtylla e tretë e filozofisë liri, pavarësi dhe demokraci të presidentit Rugova. Në Kosovë mungon kjo demokraci për të cilën është punuar dhe për të cilën kanë dhënë jetën gjeneratat e tëra, dhe tani ne po punojmë që ky mision të përmbushet dhe do të punojmë deri në fund deri sa të arrihet ky qëllim, pavarësisht vështirësive që mund t’i kemi në rrugën tonë. Megjithatë nga kontaktet që i kemi, dhe këto janë të shumta. Pra gjatë muajve të fundit kemi kontaktuar me mijëra anëtarë të LDK-së por edhe me shumicën dërmuese të delegatëve kemi prezantuar platformën, kemi diskutuar me ta dhe kemi marr besimin e tyre që të ndërmarrim këtë rrugë dhe të dalim triumfues në këtë proces, pra kam besim të plotë që vullneti i elektoratit të LDK-së do të triumfojë të dielën”, vijoi ajo.

Gjithashtu, Osmani ka dhënë një porosi për delegatët e LDK-së, që ta ruajnë fshehtësinë e votës.

“Besoj shumë dhe dua t’i porosisë delegatët që ta ruajnë fshehtësinë e votës së tyre. Vota është e fshehtë, këtu nuk mund të shkohet me aklamacion siç ka shkuar në disa raste. Përkundër faktit që statuti nuk e lejon. Këtu duhet vullneti i lirë dhe i pacënuar i delegatëve të vendosin se kush do ta udhëheqë LDK-në në katër vitet e ardhshme. Shpresoj shumë që këta delegatë do të kenë në mendje vetëm një gjë dhe ajo është vullneti i elektoratit sepse këtë detyrë e kanë, ta përçojnë vullnetin e elektoratit me votën e tyre, shpresoj që nuk do të ketë tentime për ta cënuar atë votë. Mirëpo ne jemi të gatshëm edhe për skenare të tilla dhe do të thirremi në statut, do të kërkojmë që rastet e tilla të eliminohen”, ka shtuar më tej ajo.

Në pyetjen e radio Dukagjinit se a ka vërejtur tendenca për një gjë të tillë, ajo tha: “Ka fjalë mirëpo unë nuk dua të besoj që dikush do të tentojë të bëj një gjë të tillë. Shpresoj që edhe ai proces të jetë i hapur për media sepse nuk ka arsye që të jetë ndryshe“.

Osmani thotë se e vlerëson jashtëzakonisht shumë edhe kontributin e Fatmir Sejdiut dhe Lufti Hazirit, me shpresë sipas saj që edhe ata do të bëhen pjesë e “platformës së fitores”.

Qëllimi i përbashkët sipas saj është që LDK-në ta bëjnë partinë e parë në vend.

“Platforma ime nuk është platformë e koalicioneve, është platformë që e bënë LDK-në partinë e parë në vend dhe çështja e koalicionit nuk është vendim i Vjosa Osmanit, është vendim i anëtarësisë së LDK-së, dhe këtë e kam thënë shumë herë, që për çështje të rëndësisë esenciale, vendimi i parë që do ta marrim si kuvend i LDK-së do të jetë ndryshimi i statutit që paraqet apo sjell sistemin e demokracisë së drejtpërdrejt, pra sistemin “një anëtarë një votë” për çështje të rëndësisë esenciale”, ka thënë më tej ajo për radio Dukagjinin.

“Të dielën do të fitojë vullneti i elektoratit - për këtë jam e bindur. Në çdo situatë të kundërt unë dhe i gjithë ekipi im respektojmë verdiktin e delegatëve dhe jemi të angazhuar për fuqizimin e LDK-së sepse angazhimi ynë me LDK-në në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk është lidhur me pozita. Do të vazhdojmë të mbesim veprimtarë të devotshëm të LDK-së”, ka thënë ndër tjerash Vjosa Osmani në "Infobox" të Radio Dukagjinit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat