Fillon edicioni i dytë i Shkollës Pranverore për Diplomatët e Rinj

Kosova

Fillon edicioni i dytë i Shkollës Pranverore për Diplomatët e Rinj

Më: 25 maj 2015 Në ora: 16:03

Ka filluar sot në Pejë edicioni i dytë i Shkollës Pranverore për Diplomatët e Rinj, në të cilën po ligjërojnë diplomatë të shquar ndërkombëtarë. Para pjesëmarrësve ligjëruan ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Rosemary DiCarlo dhe ambasadori Wolfgang Petritsch, të cilët kanë vlerësuar se organizimi i aktiviteteve të tilla ndihmon në bashkëpunimin ndërfqinjësor.

Në emër të ministrit të Punëve të Jashtme Hashim Thaqi, foli sekretari i përgjithshëm i MPJ-së, Kreshnik Gashi, i cili tha se Kosova është e përkushtuar në vlerat e paqes, tolerancës dhe dialogut.

Ai tha se Kosova po punon fuqishëm në përballimin e të gjitha sfidave dhe gjithashtu ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me të gjitha vendet fqinje dhe po e bëjnë me të mirën për të krijuar raporte të mira shtetërore me Serbinë përmes fasilitimit që po zhvillohet në Bruksel.

Drejtori i Akademisë Diplomatike të Kosovës Skënder Durmishi tha se ky organizim është shumë i nevojshëm për diplomatët e rinj, pasi kanë rastin të marrin përvojë dhe mësime nga diplomatët me përvojë të madhe ndërkombëtare siç janë DiCarlo dhe Petritsch.

Durmishi: Diplomatët e rinj kanë rastin të marrin përvoja nga diplomatët e njohur

“Përfitimet janë para së gjithash do të thosha mundësia për të ndjekur nga afër dijen teorike dhe përvojën praktike të diplomatëve me eksperiencë emër dhe reputacion siç janë dy diplomatët që sapo dëgjuam, ambasadorja Rosemary DiCarlo dhe ambasadori Wolfgang Petritsch. Kjo është një përfitim i jashtëzakonshëm, një mundësi për të qenë afër tyre për të ndjekur leksione dhe për të shtruar pyetjet. Përfitime tjera ka, secili mund t’i gjejë nga këndi i vet, por njohja, shoqërimi mes diplomatëve të rinj, mundësia për të transmetuar opsionet dhe vizionet e tyre të ministrive prej nga vijnë si dhe për të debatuar bashkërisht për këto çështje”, tha Durmishi.

Pjesëmarrës në këtë shkollë, ishte edhe drejtori i Akademisë diplomatike të Kroacisë, Mladen Anderliq, i cili tha se është tejet e rëndësishme që diplomatët e rinj të takohen dhe rrinë se bashku më njerëz me më përvojë, të cilët merren më çështje të rëndësishme për secilin që shërben një punë si kjo.

Anderliq: Diplomatët e rinj mund të marrin përvoja të reja

“Diplomatët e rinj po ashtu kanë shansin të jenë në seminarin ndërkombëtar, pra duke pasur këtë në mendje, do të thotë se kemi një garë me njerëz nga vendet tjera, të cilët mbase po kanë dilemat e njëjta por që i kanë disa nga zgjidhjet për këto dilema, pra mund t’i krahasosh aktivitetet tuaja ditore, problemet, sfidat, mundësitë, shanset dhe kështu mund t’ia gjesh vetës një pozitë me të mirë për punë, ky është mesazhi thelbësor i çdo konference ekspertesh do të thosha”, tha Anderliq.

Ai shtoi se dy akademitë diplomatike, e Kroacisë dhe Kosovës, kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm.

Anderliq: Akademia e Kosovës dhe Kroacisë kanë bashkëpunim të mirë

“Unë jam përgjegjës për aktivitetet trajnuese diplomatike dhe mund të them që prej ditës së parë kur kemi vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, kemi filluar bashkëpunimin, se pari jemi takuar, pastaj ulur se bashku dhe kemi shikuar programet. Kemi ofruar përvojën tonë dhe njohuritë në fusha të ndryshme diplomatike dhe po udhëheqim një program të përbashkët për diplomatët kosovarë dhe pastaj për diplomatet kosovarë dhe kroatë së bashku, para se të organizojmë disa takime regjionale apo ndërkombëtare në të cilat të gjithë përfitojnë në një mënyrë të caktuar. Ne mendojmë se akademia diplomatike në Prishtinë po ben një punë të mirë dhe efektive jo vetëm brenda por edhe ndërkombëtarisht”, theksoi ai.

Edicioni i dytë i Shkollës Pranverore për diplomatët e rinj është organizuar nga Akademia Diplomatike e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me fondacionin gjerman “Friedrich Ebert” dhe do të zgjasë një javë, në të cilën do të trajtohen tema të ndryshme. /kp

___________________________

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat