Hapet 'Java e Gruas'

Kosova

Hapet 'Java e Gruas'

Më: 25 maj 2015 Në ora: 12:15

Sot, me rastin e hapjes së “Javës së Gruas” në Fushë Kosovë, grave asambleiste të komunave nga Rajoni i Prishtinës, iu drejtua anëtarja e Bordit të Grupit të Grave Deputete, znj. Blerta Deliu - Kodra.

Ajo në fjalën përshëndetëse përmendi rolin e grave deputete në avancimin e barazisë gjinore. Në vijim , znj. Deliu Kodra foli për të arriturat e GGD-së: si blerja e Mamografit Mobil, me anë të të cilit bëhet ekzaminimi i grave në çdo komunë të vendit tonë. “Ne po bëjmë përpjekje që të rrisim përfshirjen dhe fuqizimin e gruas në Qeveri, komuna dhe në të gjithë sektorët. Për këtë arsye ne kemi qenë të vendosura t’ i themelojmë grupet e grave në komuna, kemi insistuar në kandidimin dhe përkrahjen grave për pozita të rëndësishme, kemi zhvilluar shumë aktivitete për promovimin e të drejtave të gruas, fuqizimin ekonomik etj.” , theksoi znj. Blerta Deliu - Kodra.

Në takim të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, i cili tha se ndikimi i grave nga politika dhe shoqëria civile duhet të depërtojë në çdo familje. Ai përmendi faktin se në Komunën e Fushë Kosovës 50% e të punësuarve janë gra. Kurse zyrtarja për barazi gjinore Lendita Dervisholli theksoi se në kuadër të “Javës së Gruas” të grupeve të grave nga Rajoni i Prishtinës po fillohet me këtë tryezë , ndërsa do të vazhdohet me takimin me gratë në biznes, gratë në zonat rurale, si dhe panairin e prodhimeve të grave nga rajoni etj.

Këtij takimi, që përkrahet nga OSBE-ja , iu drejtua edhe znj. Sanja Mihajlloviq nga OSBE-ja, e cila theksoi se Projekti për promovimin e barazisë gjinore në bashkëpunim me Grupin e Grave Deputete do të ketë përkrahje të vazhdueshme nga OSBE-ja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat