Çka po ndodh me listat e Ministrisë së Mbrojtjes?

Kosova

Çka po ndodh me listat e Ministrisë së Mbrojtjes?

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 25 maj 2015 Në ora: 09:38

Saim Tahiraj, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë, bashkëluftëtarë dhe bashkorganizator i luftës në Kosovë me Sali Çekajn, thekson se procesi i verifikimit dhe caktimit të statusit së kategorive për personat që ishin pjesë e luftës në Kosovë është deformuar aq shumë sa që mendoj se do ishte më mirë të anulohet plotësisht dhe të fillohet nga e para.

“Fillimisht duhet të ndryshohet ligji aktual. Si datë e fillimit duhet të merret 5. 12. 1991, data kurë u thye kufiri nga Sali Çeku dhe Adem Jashari, sepse aty filloj rezistenca e armatosur. Pastaj duhet formuar komision tjetër në përbërjen e të cilit duhet futur person zyrtarë dhe profesional të të dy Ministrive të Mbrojtjes, asaj të nga viti 1991 të udhëhequr nga Hajzer Hajzeri dhe kësaj të luftës të udhëhequr nga Ahmet Krasniqi. Sepse vetëm ata e dinë saktësisht se kush ishin pjesë a atij organizimi ushtarak”, thotë Tahiraj për gazetën “Bota sot”.

Ai potencon se, më pas duhet të shfrytëzohet arkiva e këtyre dy ministrive, gjithashtu të shfrytëzohet edhe arkiva e përfaqësisë së Kosovës në Tiranë. “Deformimi i këtij procesi u bë pikërisht sepse askush nga këta individ që përbëjnë komisionin aktual, nuk kanë edhe njohurin më të vogël për pjesëtaret e këtyre dy Ministrive. Lufta e pakompromis që u zhvillua kundër Ministrisë së Mbrojtjes të udhëhequr nga kolonel Ahmet Krasniqi, ishte që përfundimisht të shkatërrohej ajo, të likuidoheshin bartësit e sajë e në veçanti kolonel Krasniqi dhe përfundimisht të mbyllet ç'do gjë sikur të mos ka ekzistuar fare ajo”, pohon ai.

Tahiraj thotë se, kjo luftë e tmerrshme po vazhdon edhe sot me listat e Ministrisë së Mbrojtjes. “Ata do bëjnë ç'do gjë që ajo mos të aprovohet, apo në fund bile bartësit kryesorë të sajë të eliminohen dhe kështu të bëhet edhe vrasja e dytë e tyre. Një pjesë të madhe të përgjegjësisë e kanë edhe ish kryeministri Bujar Bukoshi, i cili me heshtjen e tij po bëhet pjesë e kësaj lufte të tmerrshëm për eliminimin totalë të organizimit Institucional. Gjithashtu edhe lidershipi i LDK-së që aprovon ç'do gjë që i servon kjo bandë kriminale. Kryetari i LDK-së dhe Kryeministri Isa Mustafa nuk po i mbanë premtimet e dhëna, dhe kështu po bahet pjesë e këtij deformim dhe bashkëpërgjegjës me bandat kriminale”, potencon Saim Tahiraj.

Ndryshe, Listat e dëshmorëve dhe veteranëve, pjesëtarëve, pjesëmarrësve dhe invalidëve të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, ende nuk janë publikuar edhe përkundër nënshkrimit nga përfaqësuesi i kësaj Ministrie, komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Rrustem Berisha, si dhe nga Ahmet Alishani, ish shef i Shtabit të po të njëjtës Ministri.

Deri më tani, komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së ka publikuar listat për Zonën e Karadakut, Nerodimës, Llapit, Shalës, Dukagjinit, Pashtrikut, Drenicës, Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me njësitë vartëse, por ende nuk publikuar listën për ish pjesëtarët e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas listave, ende të papublikuara, statusi i dëshmorit iu është ndarë tetë vetave. Dëshmorë janë shpallur Ahmet Krasniqi ish ministër i parë i Ministrisë së Mbrojtjes, Enver Maloku, Fehmi Agani, Gjergj Sokoli, Mark Malota, Muharrem Tafaj nga Tropoja, Qazim Jakupi dhe Rashit Mustafa.

Statusin e veteranit e kanë fituar 307 veta, statusin e invalidit dy veta, statusin e pjesëmarrësit e kanë fituar të drejtën ta kenë 56 veta, statusin e pjesëtarit 286 veta, ndërsa në listën e të refuzuarve figurojnë gjithsej pesë veta.

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, Brigada “Mërgimi” statusin e pjesëtarit figuron se kanë marrë 78 veta, kurse statusi i veteranit iu është dhënë 37 vetave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat