​Qeveria po funksionon e pa kompletuar

Kosova

​Qeveria po funksionon e pa kompletuar

Më: 24 maj 2015 Në ora: 14:03

Qeveria e Kosovës në prag të muajit të gjashtë të saj po hynë pa u kompletuar krejtësisht.

Nga 20 Ministri që ka qeveria e kryeministrit Isa Mustafa, vetëm tri prej tyre janë të kompletuara me nga dy zëvendësministra. Ndërsa vazhdojnë të jenë të pakompletuar në këtë pozitë nëpër disa Ministri.

Mos kompletimin e kabinetit qeveritarë e ka pranuar edhe zëvendësi i qeverisë së Kosovës, njëherësh ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili për KosovaPress në një përgjigje përmes mesazhit telefonik përveç që ka konfirmuar mos kompletimin e kabinetit qeveritar ka thënë se kjo do të ndodhë së shpejti.

“Emërimi i zëvendësministrave ende nuk është përfunduar, jemi në proces dhe presim që shumë shpejt të përfundojë”, ka qenë përgjigja e shkurtër e Abrashit.

Kjo vonesë për gati gjashtë muaj po vlerësohet si pjesë e pazareve politike të bëra në mes të PDK-së dhe LDK-së të cilat bashkë-qeverisin vendin.

Për Frashër Krasniqi nga Vetëvendosje, kjo qeveri duke u themeluar në bazë të ndarjes së privilegjeve dhe pozitave të caktuara, padyshim që do të ndikojë edhe në ndarjen e pozitave të zëvendësministrave.

Krasniqi shkon më tutje, duke thënë se ekziston një arsye e qartë pse po ndodh kjo zvarritje e përzgjedhjes së zëvendësministrave dhe e cila sipas tij lidhet me zgjedhjet që po ndodhin brenda subjektit të kryeministrit Mustafa.

“Na e dimë që një prej arsye pse nuk po zgjedhën zëvendësministrat janë edhe zgjedhjet e brendshme në LDK e cila siç po raportohet edhe nga vet qoftë deputetë, qoftë figura të rëndësishme të LDK po i shantazhon anëtarët e subjektit të vet me pozita të zëvendësministrit. Pra është i interesuar, Isa Mustafa që përmes duke i lënë të zbrazëta pozitat e zëvendësministrave me i ble ose me i marrë votat për zgjedhjen e tij si kryetar”, theksoi Krasniqi.

Ndërsa Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në një prononcim dhënë KosovaPress përveç që ka thënë ka thënë se është praktik e Qeverisë që vendet e rezervuar t’i ketë për aktivistë të partive politike dhe jo për profesionistë, mos kompletimi i kabinetit qeveritar tregon për mungesën e seriozitet që ka koalicioni qeverisës karshi qytetarëve.

“ Ju e dini që pas formimit të koalicionit qeverisës kanë pas deklaruar në një numër shumë të madh të zëvendësministrave të ministrave që mund të them që është qeveria me numër më të madh në rajon kur dihet numri i banorëve të Republikës së Kosovës dhe kjo është një mospërfillje të punë së tyre dhe mendoj që është një mos seriozitet i tyre për të kompletuar edhe pas gjashtë muajve kabinetin qeveritarë”, thotë Lekaj.

Ndryshe Qeveria e Kosovës ka gjithsej 20 ministri, duke përfshirë këtu edhe ministrat pa portofol. Ky numër i ministrive pati marrë kritika nga shoqëria civile duke thënë se tejkalon nevojat që ka Kosova si një vend i vogël e me pak banorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat