Nishani mbështet rivarrimin e Isa Boletinit në Boletin

Kosova

Nishani mbështet rivarrimin e Isa Boletinit në Boletin

Më: 24 maj 2015 Në ora: 13:43

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri është pritur në Tiranë nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, me të cilin ka biseduar për zhvillimet lidhur me ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të heroit Isa Boletini.

Bahtiri ka thënë Presidentit Nishani se familjarët, institucionet dhe qytetarët e Mitrovicës, por edhe ata të Kosovës e më gjerë, me vite kanë pritur që eshtrat e heroit të Kombit Isa Boletini, të rivarrosen në mënyrë dinjitoze dhe ashtu si I ka hije, me nderime më të larat shtetërore, në vendlindjen e tij, në Boletin të Mitrovicës, për çka edhe ishte shtyrë deri tash rivarrimi, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Komuna e Mitrovicës.

“Kur Qeveria e Kosovës më në fund mori vendim që rivarrimi i eshtrave të këtij personaliteti të shquar të Kombit të bëhet në Boletin, më 10 qershor të këtij viti, të gjithë u gëzuan pa masë. Mirëpo, fatkeqësisht ky gëzim nuk zgjati shumë, sepse pa pritur, Këshilli për rivarrim, i formuar nga Qeveria e Kosovës, në një mbledhje të më vonshme, pasi që kishin filluar përgatitjet sipas agjendës së përcaktuar, doli me një propozim absurd, që rivarrimi i eshtrave të heroit Boletini, të bëhet në Vlorë, e jo në Boletin, propozim ky që u shndërrua në marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”, tha kryetari Bahtiri.

Ai në vazhdim i tha Presidentit Nishani, se ky vendim dhe kjo marrëveshje, shkaktuan pakënaqësi të jashtëzakonshme, indinjatë të thellë dhe reagime të papara deri tash në Mitrovicë dhe në Kosovë.

“Në vend që të merremi me përgatitjet serioze për organizmin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave, ashtu sikur e meriton heroi Isa Boletini, ne në Mitrovicë po shpenzojmë shumë energji për menaxhimin e pakënaqësisë së madhe që ka shpërthye, si dhe duke u marrë me kërkesa ndaj Këshillit për Rivarrim dhe Qeverisë së Kosovës, që të anulohet ky vendim, në mënyrë që përgatitjet për rivarrimin dinjitoz të kësaj figure emblematike të kombit, të bëhen bashkërisht dhe ashtu si duhet. Kjo është e vetmja rrugë që duhet të ndodhë, pasi që për këtë ekziston vullneti i familjes Boletini dhe qytetarëve të Mitrovicës, Kosovës e më gjerë. Për këtë na duhet edhe mbështetja dhe këshillat tuaja”, i tha Presdinetit Nishani, kryetari Bahtiri.

Presidenti Nishani, pasi falënderoi kryetarin Bahtiri për informacionet që I ofroi lidhur me këtë çështje dhe për qëndrimin e tij të drejtë e dinjitoz, shprehu edhe mirënjohjen më të thellë për reagimet e qytetarëve të Mitrovicës e të Kosovës, për respektin e treguar për heroin Isa Boletini, duke kërkuar me vendosmëri që rivarrimi i eshtrave të tij të bëhet në vendlindje, në Boletin, e jo në Vlorë.

“Jam i surprizuar pozitivisht me reagimin e mitrovicasve, përkatësisht dashurinë e tyre të treguar për heroin Isa Boletini dhe me vullnetin e shprehur që ai të rivarroset në Boletin. Edhe Vlora, edhe Boletini, i përkasin historisë gjithëshqiptare, ashtu sikur që i përkasin edhe figurat e mëdha të kombit, Ismail Qemali e Isa Boletini. Por, historia nuk guxon të zhvendoset nga aty ku është bërë dhe ku është edhe sot. Këtë nuk mund ta bëjnë as presidencat e as qeveritë. Mitrovica përmes Boletinit është simbol i ruajtjes së territoreve shqiptare, prandaj eshtrat e heroit Isa Boletini, duhet të vendosen në vendlindjen e tij, në Boletin. Unë do dëshiroja që edhe ceremonia të jetë sa më dinjitoze dhe të ndodhë aty”, tha ai.

Presidenti Nishani në vazhdim tha, se me figura të çmuara historike nuk duhet të luaj askush dhe se është e papranueshme dhe e pafalshme që figurat e mëdha historike të kombit të shfrytëzohen për interesa të politikës ditore.

“Si duket, në këtë rast pati një përpjekje të tillë, por që qytetarët e Mitrovicës, të Kosovës e më gjerë e kuptuan se ky ishte një kurth politik, për të cilin përgjegjësinë e mbajnë ata që e përgatitën”, tha Presidenti Nishani.

Ai na vazhdim tha se figura e Isa Boletinit, fatkeqësisht, një kohë të gjatë është lënë nënë hije për shkaqe ideologjike, andaj, një gjë e tillë në kohën e sotme, nuk guxon të përsëritet.

Sa i përket përgatitjeve për rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini, më 10 qershor të këtij viti, Presidenti Nishani tha se ai dhe presidenca do t’i kryejnë me përgjegjësi të lartë të gjitha obligimet e tyre dhe se këtë do ta bëjnë me kënaqësi të veçantë, sepse edhe figura e Isa Boletinit është e veçantë dhe meriton respektin më të madh.

“Pa marrë parasysh se nga kush do të organizohet ceremonia e rivarrimit të eshtrave të heroit Isa Boletini, unë dhe presidenca jemi të gatshëm në çdo kohë që të ndihmojmë dhe të kryejmë obligimet tona që kërkohen. Unë besoj se edhe të tjetër duhet të sillen kështu. Nuk besoj se ndokush do të guxoj të ndërmerr veprime që do të ndikonin negativisht në organizimin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të figurës emblematike, heroit Isa Boletini. Presidenti do të jetë i pranishëm në ceremoni dhe do t’i kryej të gjitha aktivitetet e veta”, tha Nishani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat