​Rama vjen në Kosovë bashkë me amanetin e Ismail Qemalit

Kosova

​Rama vjen në Kosovë bashkë me amanetin e Ismail Qemalit

Më: 23 maj 2015 Në ora: 17:22

Ishte përurimi i shtatores së Ismail Qemalit, ngjarje kjo që e sjelli sot edhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën në Kosovë. Ai, bashkë me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmetin, njërin nga projektuesit e kësaj ideje zbuluan shtatoren e heroit të madh dhe themeluesit të shtetit shqiptar Ismail Qemalit.

Shtatorja e këtij heroi zuri vend në oborrin e ndërtesës së re të Qeverisë së Kosovës. E në përurimin e saj u bënë shumë nderime.

Njëri ndër nderet që mund t’i bëhet këtij heroi sipas kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, është edhe vazhdimi drejt rrugës së vlerave demokratike dhe përmbushjes së amanetit të shqiptarëve të bashkuar në Evropën e bashkuar.

E, sipas Ramës, të shikosh Ismail Qemailin në sy kërkon inteligjencë dhe një kthjelltësi që fillon nga zemra e vazhdon drejt rrugës së vlerave demokratike dhe përmbushjes së amanetit të tij e që është bashkimi i shqiptarëve në Evropën e bashkuar.

Rama: Amaneti i Ismail Qemaili ishte “Shqiptarët e bashkuar në Evropën e Bashkuar”

“Të shohësh Ismail Qemailin në sy kërkon një inteligjencë dhe një kthjelltësi që fillon sigurisht nga zemra, por që vazhdon drejt rrugës së vlerave demokratike dhe drejt përmbushjes së atij amaneti në fillesat e të cilit Ismail Qemaili e vuri jetën e vet, amanetin e shqiptarëve të bashkuar në Evropën e bashkuar, shqiptarëve të bashkuar si shqiptarë dhe si Evropian në një hapësirë lirie dhe demokracie ku askush kurrë, asnjëherë nuk do të mundët t’i përpijë, por as të imagjinoj më se mund t’i përpij shqiptarët”, tha Rama.

Rama, po ashtu, shtoi se kjo shtatore e Ismail Qemailit doli sot për të mos lëvizur në këtë shesh ashtu si nuk lëviz guri i rënd në vendin e vet dhe sipas tij do të prehet me shpirtin e tij rrezatues në këtë tokë përfundimisht të çliruar dhe të mosvarne njëherë e përjetë.

Gjithashtu, ai tha se kur Ismail Qemaili i kërkonte fqinjëve që të respektojnë fjalën e dhënë, nuk kërkoi traktate e dokumente dhe kur shqiptarët e Maqedonisë përkushtohen për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, ata nuk kërkojnë lëmosh nga një shtet i vobektë por kërkojnë të drejtat e tyre, siç nuk kërkojnë asgjë më shumë shqiptarët e Luginës së Preshevës, se sa të drejtat e serbëve në Kosovë.

Rama: Do të bashkohemi nënçatinë e përbashkët të Evropës

“Kur shqiptarët e Maqedonisë përkushtohen në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, ata nuk kërkojnë të imponojnë një faturë të padrejtë një shtetit të vobektë, por rrekën të besojnë edhe shpesh kundër të besueshmes se fjala dhe besa as nuk përkëmben, as nuk poshtërohen, as nuk pushkatohen dhe as nuk treten jo, jo. Kur shqiptarët e Preshevës ngrenë zërin ata nuk kërkojnë asgjë më shumë se sa çfarë kanë serbët e Veriut të Kosovës dhe as ne shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës nuk kemi ndërmend të shkelim aspak fjalën e lidhur me Amerikën dhe Evropën për ta kthyer Bashkimin Evropian si kulmim, përveçse si kulmim të bashkimit shpirtëror, ekonomike dhe shoqëror mbi bashkimin Evropian dhe kurrsesi jo si përçmim ndaj fqinjëve, me të cilët duam po ashtu të bashkohemi nënçatinë e përbashkët të Evropës”, tha Rama.

E Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në fjalimin e tij gjatë kësaj ceremonie tha se përmes kësaj shtatoreje ata po ja mundësojnë Ismail Qemailit të jetë në Prishtinë, e që ishte një hatër i tij, pasi që gjatë udhëtimit të tij nuk kishte mundur të jetë asnjëherë në Prishtinë. Ai tha se duam bashkimin e shqiptarëve dhe përparimin ekonomik.

Ahmeti theksoi se për shtetndërtimin nuk është nevoja për thënie të reja, por mjafton t’i implementojmë ato që i kanë dashur Ismail Qemaili dhe rilindësit tanë.

Ahmeti tha se në fjalët dhe veprat e Ismail Qemailit janë dhënë dy porosi, shtet ndërtimin dhe bashkimin dhe sipas tij për t’i përmbushur ato nuk duhen thënie të reja, mjafton vetëm implementimi i tyre.

Ahmeti: Ta qojmë ne vend vetëm amanetin e tij

“Ne duam vetëm bashkimin dhe uniteti e shqiptarëve, përparimin intelektual dhe ekonomik tonin me qëllim që bëhemi mjaftë të fortë për të kundërshtuar atë që synon të na përpijë ne. Ne nuk kemi nevojë për thënie të reja, ne nuk kemi nevojë për gjëra të reja, mjafton t’i reflektojmë dhe t’i implementojmë atë që ka bërë Ismail Qemaili Vlora, rilindësit dhe të gjithë ata që punuan për kombin tonë. Lavdi për Ismail Qemail Vlorën, lavdi për të gjithë dëshmorët e kombit dhe në fund dua të them se kur e shpalli Ismail Qemail Vlora pavarësinë e ngriti flamurin dhe tha : “I lutem Zotit, që ashtu siç ma dha mundësinë që ta ngris i pari flamurin në Vlorë, të më bëj dëshmorin e parë për këtë shtet. Pra me këtë ka dashur të tregoj që edhe pse shteti ja ka dhënë mundësinë që të jetë i pari ai ishte i gatshëm për këtë vend, ja dha jetën shtetit shqiptarë, prandaj lavdi për Ismail Qemail Vlorën”, tha Ahmeti.

E Gëzim Zilja, përfaqësues i intelektualëve të Vlorës me rastin e fjalimit të tij tha se më në fund përmes këtij busti Ismail Qemaili erdhi në tokën e tij të ëndërruar. Ai tha se pas 103 viteve dy qytetet e Kombit Shqiptarë së bashku me qytetarët Vlonjatë i shërbyen historisë së kombit tonë duke ngre këtë shtatore.

Zilja: Këtë shtatore e ngrenë dy bashkitë e kombit shqiptarë së bashku me qytetarët

“Kam kënaqësinë dhe nderin të flas në këtë tubim madhështor me rastin e inaugurimit të themeluesit të shtetit shqiptarë burrit të madh dhe të pavdekshëm, Ismail Qemaili Vlorës. Plotë 103 vjet pas ngritjes së flamurit në Vlorën e dashur heroike, bashkitë e dy qyteteve të pavarësisë së kombit shqiptarë, Prishtinës dhe Vlorës së bashku me një grup të qytetarëve Vlonjatë me një vullnet të mirë dhe dëshirën për t’i shërbyer kombit dhe historisë së tij morën përsipër të ngrehin këtë shtatore madhështore, veprës së skulptorit shqiptarë Luan Mulliqi këtu në qendër të Prishtinës”, tha Zilja.

Ky projekt, ideja e të cilit ishte e Ndriçim Kullës dhe e skulpturuar nga skulptori Luan Mulliqi, përfshinë dy faza.

Faza e parë ishte sjellja e bustit të Ismaili Qemailit në Prishtinë ndërsa faza e dytë ka të bëjë me ngritjen e shtatores së Hasan Prishtinës në njërën nga sheshet e qytetit të Vlorës, në fund të këtij viti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat