​Veseli e quan historike pranimin e Kosovës në SEEPC

Kosova

​Veseli e quan historike pranimin e Kosovës në SEEPC

Më: 23 maj 2015 Në ora: 17:13

Nga sot Kosova gëzon të drejta të barabarta me shtetet e tjera, për të qenë e pranishme në të gjithë aktivitetet e Asamblesë Parlamentare te SEEPC-së.

Dakordësia për anëtarësimin me të drejta të plota të Kosovës në SEECP, është arritur sot në ditën e dytë të punimeve të samitit që po mbahet në Tiranë.

Lajmi është konsideruar nga dy kryeparlamentarët Meta dhe Veseli si një arritje historike e integrimit të Kuvendit të Kosovës në institucionet rajonale; dhe kjo do ti shërbejë të ardhmes si dhe do ndihmojë përshpejtimin e procesit të integrimit të rajonit tonë.

Veseli: Anëtarësimi në SEECP, tregon se Kosova po bën progres

"Veçanërisht për Kuvendin e Republikës së Kosovës është një ditë e veçantë, për arsye se Kuvendi i Republikës së Kosovës fiton të drejtat e plota të anëtarësimit në një Asamble Parlamentare e cila është e nivelit më të lartë në Evropën Juglindore. Në fakt kjo është me shumë rëndësi për Republikën e Kosovës, është një vlerësim se shteti i Kosovës po bën progres, po luan rol pozitiv për paqen, stabilitetin dhe integrimin në BE. Në të njëjtën kohë është edhe një dritare e re veçanërisht për Kuvendin e Republikës së Kosovës në fushën e harmonizimit të ligjeve dhe këmbimeve, veçanërisht drejt integrimeve në BE e cila do të jetë një rrugë e gjatë për ne", tha Kadri Veseli.

Por çfarë do të thotë kjo më tej për Kosovën, për të ardhmen e saj dhe proceset integruese? Për z.Veseli ky është një vendim i historik, që e afron Kosovën më shumë edhe me vendet e BE-së të cilët janë pjesë e SEECP-së, dhe është një hap më tej drejt përshpejtimit të liberalizimit të vizave, dhe proceseve të tjera integruese, pasi Kosova do të ketë mundësi të komunikojë drejtpërdrejt dhe do të ketë zërin e saj.

Veseli: Anëtarësimi në SEECP e afron Kosovën më shume me BE

"Më lejoni të theksoj në radhë të parë që kjo krijon një afërsi të Kuvendit tonë dhe të Republikës së Kosovës me partnerët tanë duke pasur parasysh se në këtë asociacion, Asamble Parlamentare, janë edhe disa nga vendet e BE-së, kjo krijon mundësinë që Kosova të flas drejtpërdrejt aty, me të drejta të plota veçanërisht në fushën e integrimeve në BE, edhe në të njëjtën kohë edhe për liberalizimin e vizave, që presim që të jetë një proces i shpejtë veçanërisht në lëvizjen e lirë të qytetarëve tonë drejt BE. Është një hapësirë më e veçantë për arsye se jemi drejtpërdrejt të përfshirë në këto punime; për arsye se jemi anëtarë me të drejta të plota, dhe në të njëjtën kohë aty është zëri jonë, edhe komunikimi, por edhe ndihma e cila do të jetë shumë më e madhe për ne, veçanërisht për Kosovën si shtet por në të njëjtën kohë edhe për Kuvendin tonë. Kjo i hap një perspektivë fushës së këmbimeve, bashkëpunimit edhe harmonizimit të ligjeve, kompatibil me BE-në", tha më tej Kadri Veseli./KP

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat