Reforma kushtetuese e mbetur në heshtje

Kosova

Reforma kushtetuese e mbetur në heshtje

Më: 23 maj 2015 Në ora: 15:14

Ka nisur në vitin 2011, por reforma kushtetuese sa i përket zgjedhjes së presidentit ka mbetur në heshtje tash e sa kohë.

E kur presidentes Atifete Jahjaga po i afrohet fundi i mandatit, pretendenti për këtë post, Hashim Thaçi ka filluar ta përmend zgjedhjen e presidentit nga populli. Në Institutin Demokratik të Kosovës, thonë se ekziston rreziku që në momentin e fundit të vendoset për ndryshimet kushtetuese dhe të shkohet me zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli, dhe në këtë mënyrë do të jetë vetëm Thaçi i përgatitur për këtë garë.

“Shumë shpejt PDK-ja do ta kurorëzojë edhe një nga fitoret e veta, e cila do të jetë fitore historike e PDK-së në një garë të cilën do ta kemi shumë shpejt, për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët”, u shpreh Veseli.

Kjo deklaratë e zëvendëskryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, është vetëm njëra prej deklaratave të drejtuesve të PDK-së, të cilët kohëve të fundit kanë filluar ta përmendin zgjedhjen e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejt nga populli. Për ta arritur këtë, duhet së pari të bëhen ndryshimet kushtetuese, e që sipas Albert Krasniqi nga KDI-ja, institut ky që monitoron punën e Kuvendit, këto ndryshime janë të gatshme dhe mund të procedohen në çdo moment në Kuvend për miratim.

“Pothuajse infrastruktura ligjore është e p ërfunduar, kërkohet vetëm një vullnet që në Kuvend të miratohen këto ndryshime dhe të kalojë kjo lëndë. Plus duke qenë që koalicioni aktual i ka votat në Kuvend për t’i bërë këto ndryshime dhe roli i opozitës do të jetë fare i vogël për të penguar diçka në këtë process”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.

Radio Kosova ka provuar të kontaktojë me disa prej përfaqësuesve të opozitës në Komisionin për legjislacion, por kontakti me ta ka qenë i pamundur, ndërkohë anëtarja e këtij komisioni nga PDK-ja, Selvije Halimi thotë se nuk ka njohuri nëse ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit, mund të vihen shpejt për shqyrtim në Kuvend.

“Si anëtare e komisionit për legjislacion nuk kam informacione momentalisht që është duke u punuar dicka në këtë drejtim”, u shpreh Halimi për Radio Kosovën.

Albert Krasniqi nga KDI-ja e sheh si të rrezikshme, mundësinë që kjo çështje mund të shtrohet më urgjencë, në moment të papërshtatshëm për kandidatët tjerë të mundshëm për president.

“Është rreziku që duke qenë një infraskturë pothuajse e kompletuar dhe nuk duhet shumë kohë që Kuvendi të hartojë ligje e draftligje të reja, ekziston rreziku që në momentin e fundit të vendoset të shkohet direct dhe kështu të jetë vetëm Thaçi i përgatitur për garë dhe t’i lërë jashtë kandidatët tjerë, të cilët do të dinin më herët do të përgatiteshin dhe do të bënin fushatë për vete”, tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se po ashtu ekziston rreziku që të shtohen kompetencat e presidentit, të cilat sipas tij, madje do duhej të zvogëloheshin nga kompetencat aktuale që ka presidentja e vendit.

Megjithatë, KDI-ja nuk ka ende një qëndrim se cila është mënyra më e mirë e zgjedhjes së presidentit, nga Kuvendi apo nga populli, por Krasniqi thotë se Instituti Demokratik i Kosovës do të dalë së shpejti me një hulumtim lidhur me mënyrën e presidentit dhe me avantazhet dhe disavantazhet që mund të ketë zgjedhja e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejt nga qytetarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat