Familjet e dëshmorëve më 30 maj protestojnë para Qeverisë

Kosova

Familjet e dëshmorëve më 30 maj protestojnë para Qeverisë

Më: 23 maj 2015 Në ora: 14:28

Komisioni i Familjeve të Dëshmorëve të Kombit ka vendosur që më 30 maj të mbajë një protestë para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku do të kërkohet që në ligjin për veteranët të përfshihen edhe dëshmorët e rënë para luftës çlirimtare në Kosovë, të rënë në dyluftime, në atentate, demonstrata dhe gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në ushtrinë e ish-Jugosllavisë.

Drejtues nga Këshilli për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Liritë e Njeriut, gjatë një konference për media ka thanë se marrshi protestues do të fillojë nga Biblioteka Kombëtare drejt Qeverisë së Kosovës.
Ata kërkuan nga institucionet e Kosovës implementimin e ligjit Nr.04/L-054, ku thuhet se t’i njihet statusi i heronjëve dhe dëshmorëve dhe gjithë atyre, që ranë në fushën e nderit në forma të ndryshme të rezistencës për liri dhe pavarësi të vendit para luftës së UÇK-së.

Naim Zhitia, kryetar i këtij komisioni tha se heronjët e kombit po neglizhohen shumë nga institucionet e vendit. Sipas tij, kjo nuk do duhej të ndodhte sepse edhe ata njëjtë sikur dëshmorët tjerë dhanë jetën duke luftuar për këtë vend.
“Komisioni i KFDK ka mbajtur disa takime me familjarët e tyre. Në të gjitha këto takime është shprehur indinjatë e thellë për diskriminimin që institucionet e Kosovës po ua bëjnë heronjëve dhe dëshmorëve të kombit, pjesëtarëve tanë, të cilët siç dihet injoruan nga rënia para luftës së UÇK-së në forma të ndryshme kundër okupatorit serb për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Zhitia.

Zhitia më pas shtoi se do të vazhdojnë me këto kërkesa, derisa të arrihet realizimi i këtij qëllimi.

“Ne së pari po bëjmë pyetje nëse nuk futet në listat e dëshmorëve edhe kjo kategori, shtrohet pyetja i kujt është ky shtet, kush i udhëheq këto institucione nëse kjo kategori mbetet jashtë listave të dëshmorëve të kombit. Prandaj ne jemi të bindur thellë sepse jemi të bindur edhe në veten që nuk do të hiqemi derisa të realizohet ky qëllim i jonë, sepse ne nuk mendojmë që shtetin i Kosovës duhet ta udhëheq dikush tjetër, por duhet ta udhëheqin shqiptarët”, shtoi Zhitia.

Ky komision është themeluar, duke parë se institucionet e Kosovës po i anashkalojnë heronjët dhe dëshmorët e rënë para luftës së UÇK-së, gjegjësisht nuk po i njohin si të tillë, edhe pse në opinion dhe mbarë popullin shqiptar këta i njohin si heronjë dhe dëshmorë të kombit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat