LDK-në e pret Kuvend i nxehtë zgjedhor

Kosova

LDK-në e pret Kuvend i nxehtë zgjedhor

Më: 23 maj 2015 Në ora: 13:11

Në fund të këtij muaji, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë kuvendin e tetë zgjedhor. Në këtë Kuvend pritet të zgjedhet kryetari dhe kryesia e re e kësaj partie me mandat katër vjeçar.

Deri me tani të paktën zyrtarisht kandidaturën për kryetar të LDK-së, e kanë shpallur kryetari aktual i kësaj partie, Isa Mustafa, kryetari i nderit i LDK-së, Fatmir Sejdiu, deputetja Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri.

E pakënaqësitë pritet të jenë prezentë edhe gjatë mbajtës së Kuvendit zgjedhor. Kështu të paktën paralajmëron analisti politik, Artan Muhaxhiri. Sipas tij, ekzistojnë shumë pakënaqësi brenda LDK-së, të cilat do të bëhen publike gjatë Kuvendit zgjedhor.

“Nuk do të jetë një Kuvend i lehtë, sepse ka shumë pakënaqësi brenda LDK-së dhe Isa Mustafa nuk është duke bërë asgjë që të relativizojë efektin negativ të tyre. Pra Isa Mustafa nuk duke tentuar që t’i zvogëlojë dallimet në mes të këtyre grupacioneve, por ai është në konflikt të hapur me ta, gjë që u pa edhe në seancën e parë kur u zgjodh kryeministër, kur i kritikojë deputetët e partisë së tij për mos votim të qeverisë”, ka thënë Muhaxhiri.

Sidoqoftë, Muhaxhiri thotë se pozicioni që mban Mustafa në Qeveri, e favorizon atë që të rizgjidhet edhe për një mandat në krye të LDK-së.

“Do të jetë shumë vështirë që dikush t’ia rrezikojë rizgjedhja e tij si kryetar i LDK-së. Sepse ai ende e ka pushtetin mbi delegatët edhe për faktin që tani është kryeministër mund t’iu ofrojë edhe poste qeveritare njerëzve të cilët e ndihmojnë atë që të rizgjedhet kryetar”, ka thënë Muhaxhiri për ORAinfo.

Mirëpo, sipas tij, do të jetë e pamundshme për Isa Mustafën që të vazhdojë me këtë qasje ndaj kundërshtarëve të tij politik brenda partisë, pasi sipas tij, kjo mund t’i kthehet bumerang.

Pavarësisht se çfarë mund të ndodh në Kuvendin e ri zgjedhor të LDK-së, Muhaxhir nuk pret që në këtë Kuvend të përsëritet ‘Kuvendi i Kërrigave’ të vitit 2006, e as të ndikojë që njerëzit e pakënaqur të largohen nga LDK dhe të formojnë një parti të re.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat