Nuk aplikohet marrëveshja mbi pranimin e fajësisë

Kosova

Nuk aplikohet marrëveshja mbi pranimin e fajësisë

Më: 23 maj 2015 Në ora: 11:04

Avokati Nikë Shala, prokurorja Laura Pula dhe ish-gjyqtari Raif Emini, kishin qenë treshja e parë në analet e gjyqësisë në Kosovë ku në vitin 2008, kishin përmbyllur suksesshëm një çështje penale me marrëveshje mbi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit në atë çështje.

Zgjidhja e lëndëve me aplikimin e kësaj norme juridike ka shënuar rënie në Kosovë, pasi mungon gatishmëria e prokurove që t’u qasen këtyre procedurave alternative për lehtësimin e veprës penale.

Prokurorja Laura Pula ka bërë me dije për KosovaPress se marrëveshja mbi pranimin e fajësisë kap të gjitha veprat penale pavarësisht dënimeve që parashihen, dhe nga marrëveshja përfitimet janë të dyanshme, si të prokurorit ashtu edhe të akuzuarit.

Pula thotë se ky institut kishte filluar të aplikohet në sistemin e drejtësisë por sipas saj kohëve të fundit ka rënë interesimi për aplikim. Në këtë aspekt, ajo thotë se duhet të avancohen prokurorët dhe të specializohen për ta aplikuar në masë sa më të madhe këtë, ngase siç thotë, automatikisht do të zvogëlohej numri i lëndëve që janë të grumbulluara nëpër sirtarët e gjykatave.

Pula konsideron se me rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të rifillohet sërish të implementohet më tepër kjo normë.

Pula: Marrëveshja mbi pranimin e fajësisë kap të gjitha veprat penale

“ Kam qenë prokurorja e parë e cila kam filluar ta implementojë këtë marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, duhet të përmendi gjithsesi se aso kohe kemi punuar në ekipe mobile me prokurorë ndërkombëtar, fatmirësisht na ka ndihmuar një prokuror amerikan në përpilimin e akteve. Them të vërtetën të gjitha shtetet euro-perëndimore vetëm e zbatojnë dhe kanë treguar sukses në zbatimin e këtij instituti, ndërsa mos të themi për SHBA-të, ku 95 % të rasteve i kryejnë që në fazën preliminare të hetimeve me marrëveshje mbi pranimin e fajësisë”, tha ajo.

Ajo ka treguar edhe përfitimet e të pandehurve nga kjo marrëveshje, ku sipas saj, i pandehuri mund të dënohet së paku 90 % të minimumit të dënimit të përcaktuar me dispozitat përkatëse të kodit penal në momentin kur e bën pranimin e fajësisë në shqyrtim gjyqësor, mirëpo nëse arrihet marrëveshja mbi pranimin e fajësisë para shqyrtimit gjyqësor, atëherë Pula thotë se të pandehurit mund t’i jepet së paku 80 % e dënimit.

Pula: Kjo do të ndihmonte sistemin e drejtësisë

“ D.m.th, varësisht prej cilës fazë të procedurës t’i korrespondon apo bashkëpunon me prokurorin ke lehtësira në dënimin tënd, te dëshmitari bashkëpunues mund edhe ta falim krejt nëse ka dhënë informata të mjaftueshme dhe në mënyrë substanciale ka bashkëpunuar me prokurorin për të zbuluar rrjetin kriminal. Kështu që unë inkurajoj të gjithë ata si të pandehurit dhe mbrojtësit t tyre, mirëpo edhe kolegët e mijë që merren me këto vepra, me këtë punë që të fillojnë të zbatojnë sa më shumë këtë institut ngase vërtet do të na ndihmonte që sistemi i drejtësisë të avancohej më tepër”, theksoiPula.

Ndërkaq, avokati, Nikë Shala ka treguar për KosovaPress se për koincidencë ka pasur rastin e parë në analet e gjyqësisë në Kosovë të ketë marrëveshjen që e kishte lidhur me prokuroren e çështjes, Laura Pula, për një rast të veprës penale të rrezikimit të komunikacionit publik.

Shala thotë se pas këtij rasti që kishte përfunduar me marrëveshje, kishte pasur fatin të përzgjidhej nga departamenti i SHBA-së, si avokat nga Kosova që të shkojë në Amerikë për të njoftuar së afërmi lidhur me marrëveshjen e pranimit të fajësisë dhe të shoh drejtpërdrejtë tërë ecurinë e saj që bëhet në SHBA, dhe siç është njoftuar atje rreth 97 % të rasteve zgjidhen në këtë mënyrë.

Ai ka shpjeguar edhe tërë rrjedhën e kësaj procedure, ku së pari fillohet me një kërkesë për negocim drejtuar prokurorit të çështjes, ku pas kësaj caktohet një takim me prokuronin i cili është i obliguar ta njoftojë kryeprokurorin e prokurorisë dhe pasi ta merr autorizimin nga ai, atëherë caktohet një seancë ku ftohen të gjitha palët dhe nëse arrihet ajo marrëveshje i dërgohet gjykatës që është kompetente për ta vendosur.

Sipas tij, marrëveshja e arritur nuk e obligon gjykatën e cila ka mundësi që ta refuzojë por në të shumtën e rasteve që ka pasur , Shala thotë se Gjykata i ka aprovuar.

Shala: Marrëveshje duhet të jetë me vet dëshirë

“Anët pozitive të marrëveshjes janë ngase nuk kemi zvarritje të procedurës, shpenzimet më të vogla procedurale, qytetarët nuk e marrin drejtësinë në duart e tyre për shkak se siç dihet për shkak të zvarritjes të madhe të lëndëve pa arsye, për fat të keq në disa raste qytetarët e marrin vet drejtësinë në duart e tyre, kështu që me arritjen marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë nuk kemi zvarritje të procedurës, shpenzime më të vogla dhe qytetarët nuk e marrin drejtësinë në duart e tyre por kjo çështje arrihet me marrëveshje dhe përfundon me marrëveshje”, tha ai.

Shala thotë se kur ka fakte dhe prova të mjaftueshme është obligim dhe etikë profesionale e mbrojtësit që ta njoftojë klientin e tij për mundësinë ligjore që të hyhet në negocim mbi pranimin e fajësisë dhe në shkëmbim të kësaj, i akuzuari ka benifite.

Në anën tjetër, Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi ka thënë ky është një veprim procedural shumë i rëndësishëm dhe i efektshëm në procedurë penale, një instrument që e kanë në disponim palët, përkatësisht prokurori dhe mbrojtësit e të pandehurve dhe vet të pandehurit dhe që është mundësuar me kodin e ri të procedurës penale në Kosovë.

Ibrahimi thotë se është një veprim i cili sikur të realizohej në Kosovë, sigurisht do të jepte rezultate shumë të mira, si në mbylljen e rasteve para se ato të kalojnë si çështje penale në gjykatë.

Ibrahimi: Gjykatat kanë vullnet të përkrahin çdo negocim

“Në përgjithësi gjykatat në Kosovë kanë disponimin, kanë vullnetin e mirë që në parim të përkrahin çdo negocim të marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe në parim të përkrahin edhe çdo marrëveshje, por vërehet një stagnim, në fillim ka pas një eufori në realizimin e këtyre normave juridike se do të arrihet shumë, por fatkeqësisht ka ngecje në këtë, nuk di për regjionet tjera sa kanë lëviz por regjioni i Prishtinës nuk mund të lavdërohet se ka bërë ndonjë hap përpara”, tha ai.

Ibrahimi këtu thotë se mungon vullneti dhe gatishmëria e prokurove që t’u qasen këtyre procedurave alternative tek pezullimi i procedurës, pasi sipas tij, nuk do të thotë se çdo rast që ndodh duhet të kalojë në procedim penal dhe të ngritet akti akuzues. Po ashtu, thotë se ka ngecje në procedurën e ndërmjetësimit, dhe nuk zbatohen këto norma juridike në vëllimin që do duhej të realizohej.

Ibrahimi: Do të kishte numër shumë më të vogël të lëndëve penale

“ Në regjionin e Prishtinës sikur të realizohej kjo mundësi, atëherë kishte me pas sigurisht një numër shumë më të vogël të lëndëve penale, po ashtu një numër më të vogël të njerëzve të cilët mbahen për një kohë të gjatë në evidencë të kaluarës kriminale, thjesht një efikasitet shumë më të madh”, tha ai.

Ibrahimi ka nënvizuar se për realizimin e kësaj marrëveshje kërkohet një angazhim shumë më i madh i prokurorëve tanë por edhe sinqeritet shumë më i madh edhe i mbrojtësve të të pandehurve. Ai ka apeluar që këto norma juridike të zbatohen, pasi gjykatat janë të gatshme dhe të pajtimit, por edhe e përkrahim këtë procedurë të marrëveshjes në çdo aspekt, ka theksuar Ibrahimi./KP

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat